Sonte kthehet skuadra e artë e FSK

Aktuale

Sonte kthehet skuadra e artë e FSK

Më: 23 tetor 2016 Në ora: 19:50
Ilustrim

Sonte do të kthehen në vendlindje Skuadra e Brigadës së Reagimit të Shpejtë të FSK-së të cilët janë dekoruar me Medaljen e artë në ushtrimin “Cambrian Patrol” në Britani të Madhe.

Skuadra prej tetë pjesëtarësh do të mbërrijnë në Kosovë sonte pas mesnatës në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë dekoruar me Medaljen e artë në njërën ndër ushtrimet më sfiduese dhe më prestigjioze në botë “Cambrian Patrol” në Wells të Mbretërisë së Bashkuar.

Ky ushtrimi është mbajtur në tetë faza përgjatë muajit tetor në Wells të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa skuadra e FSK-së ka zhvilluar patrollën e saj 48 orësh në fazën e 6-të nga data 19  deri me 21 tetor 2016.

“Gjatë zhvillimit të patrollës skuadra e FSK-së edhe pse pjesëmarrëse për herë të parë ka treguar një profesionalizëm të jashtëzakonshëm duke arritur të njëjtin nivel me njësitë me elite të ushtrive më të zhvilluara në botë”, thanë dje në njoftimin për media Forca e Sigurisë së Kosovës .
Në këtë ushtrim përveç 102 skuadrave  nga njësi të ndryshme të ushtrisë britaneze kanë marrë pjesë gjithësejt  edhe 18 skuadra mysafire, përfshirë ushtritë  nga vendet si Gjermania, Italia, Zvicra, Kanada, Pakistani, Nepali, Brazili, Kili, Bosnia dhe Hercegovina, Irlanda, India, Belgjika, Çekia, Australia, Zelanda e Re, Gjeorgjia, Meksika, dhe Latvia.

Ky ushtrim daton qysh nga viti 1959 dhe njihet në mbarë botën si një ndër patrollat më të vështira, ku një numër i vogël skuadrash arrin të dekorohet me medaljen e artë dhe shkalla e dështimit është mjaftë e lartë.

“Me qenë se kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në këtë lloj ushtrimi, dekorimi me medaljen e artë i ka lënë të befasuar  si vendin nikoqir ashtu edhe vendet tjera pjesëmarrëse. Kjo performancë e suksesshme e skuadrës ka bërë që FSK të njihet nga vendet pjesëmarrëse si një organizatë serioze dhe shumë profesionale, ku pa dyshim që në të ardhmen si rezultat pritet të rrisë bashkëpunimin me ushtritë e vendeve të tjera”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat