Gecaj i kundërpërgjigjet Nitajt: Opozita të bëhet gati për dy palë zgjedhje!

Aktuale

Gecaj i kundërpërgjigjet Nitajt: Opozita të bëhet gati për dy palë zgjedhje!

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 11:17
Bajram Gecaj

Zëvendësministri i Administrimit të Pushteti Lokal, Bajram Gecaj i ka reaguar anëtarit të Kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, pasi që ky i fundit ka listuar dhjetë arsye pse Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Përmes një postimi në Facebook, Gecaj ka thënë se opozita, mediat dhe shoqëria civile edhe një herë këto ditë “mizën e shndërruan në buall”.

“Opozita duhet të përgatitet mirë për dy palë zgjedhje, ato lokale të vitit 2017 dhe ato qendrore të vitit 2018, pasi që edhe ashtu në gjendjen e tanishme të tyre kjo kohë gjithsesi se nuk do t’u mjaftoi”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë i Gecajt: 

MIZËN E BËJNË BUALL

Opozita, mediat dhe shoqëria civile edhe një herë këto ditë “mizën e shndërruan në buall”. Duke shpresuar se më në fund do të arrijnë atë të cilën e filluan që në fillim të këtij mandati, përmbysjen e pushtetit me çfarëdo mjeti, Muharrem Nitaj i AAK-së na i paska listuar dhjetë arsye pse Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Unë këtu do të mund të listoja njëqind arsye tjera pse Kosova nuk duhet të shkonte në zgjedhje, por tani për tani po ndalem vetëm në arsyet e Nitaj-t:

1. Deri sa është çështje e mandateve të kaluara të shpjegojnë për kohën e tyre, në këtë mandat faji kryesor për zhagitjen e liberalizimit të vizave qëndron mu tek opozita, e cila për arsye të pastra të politikës ditore ua mohon qytetarëve të Kosovës udhëtimin pa viza; e qytetarët duhet në të ardhmen të mendojnë mirë se kujt po ja japin votën, dhe se a do të mbrojnë ata të zgjedhur interesin e tyre personal apo shtetëror;

2. Kosova nuk qëndron as më mirë e as më keq se vendet tjera rajonale në çështjen e korrupsionit, diçka të cilën Nitaj e thotë kuturu dhe pa asnjë masë te verifikuar statistikore;

3. Qeveria nuk ka bërë asnjë gabim kur ka nënshkruar marrëveshjet mbi asociacionin dhe demarkacionin, por ka përmbushur obligimet shtetërore, e në rastin e parë të nxjerra nga një ligj i cili është aprovuar edhe nga deputetet e AAK-së në vitin 2013. Është në fakt opozita e cila me metoda primitive dhe të dhunshme ka tentuar që përmes këtyre dy çështjeve të përmbysë pushtetin;

4. Shndërrimin e FSK-së në ushtri nuk do të mund ta kalonte asnjë qeveri pa një konsensus të përgjithshëm politik e etnik, dhe posaçërisht jo në kushtet, rrethanat dhe ambientin e krijuar nga vet veprimet jodemokratike dhe nxitjes së urrejtjes ndëretnike nga vet opozita;

5. Është plotësisht e pasaktë se qeveria nuk ka bërë “pothuajse asgjë në integrimin e veriut të Kosovës”, dhe ne, ju sigurojmë, se me qasjen e opozitës nuk do të arrihej as gjysma e asaj që është arritur deri më tani (kuptohet nëse do ti qëndronin konsistent qëndrimeve të tanishme, e për çka unë dyshoj shumë);

6. Qeveria është në rrugë të mirë të përmbushjes së premtimeve zgjedhore, duke u bazuar në programin e harmonizuar qeverisës, dhe se një vlerësim i tillë, negativ apo pozitiv, do të duhej të vijë në fund të mandatit e jo tash;

7. Qeveria, thotë ky, ka qenë armiqësore ndaj opozitës, duke harruar se ishte opozita ajo e cila na gjuajti me gaz lotsjellës, sprej, ngjyrë, koktej molotovi, na i dogji veturat dhe tentoj të na i kallë shtëpitë, e shumë e shumë metoda tjera të dhunshme të cilat ngritën re të zeza për demokracinë e re kosovare, re, të cilat do të na ndjekin për një kohë të gjatë;

8. Hipokrizia e Nitaj shkon aq larg sa të akuzoi qeverinë se ka provokuar opozitën ta shndërroi Kuvendin e Kosovës “në arenë përplasjesh me gaz lotsjellës e me polici”, e kjo i bie sikur të akuzoheshin viktimat e luftës së fundit se provokuan regjimin e kasapit Millosheviq;

9. Është e drejtë demokratike e tyre të pasurit e perceptimit opozitar se “partnerët e koalicionit qeverisës asnjëherë nuk kanë funksionuar si një tërësi e vetme”. Në shoqëritë demokratike z. Nitja as partitë e veçanta nuk funksionojnë “si një tërësi e vetme” e lëne më në koalicionet e përbëra. Por ju themi me përgjegjësi të plotë se në shtetin tonë dhe në këtë mandat problemet e mëdha i kemi pasur me opozitën e dhunshme e jo me partnerët e koalicionit;

10. Ndasitë e mëdha politike dhe faqja e zezë na ka ardhur, siç thashë edhe më lartë, mu nga veprimet primitive dhe të dhunshme të opozitës së “bashkuar”.

E gjithë kjo zhurmë e ditëve të fundit në lidhje me nevojën e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme mua më tingëllon si ai tregimi popullor i ujkut duke e ngrënë gomarin, derisa ky i fundit shpresonte të ishte në ëndërr. Opozita duhet të përgatitet mirë për dy palë zgjedhje, ato lokale të vitit 2017 dhe ato qendrore të vitit 2018, pasi që edhe ashtu në gjendjen e tanishme të tyre kjo kohë gjithsesi se nuk do t’u mjaftoi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat