Veseli: Nuk bëhet kiameti me mbajt zgjedhje, ja çka thotë Ismet Beqiri

Aktuale

Veseli: Nuk bëhet kiameti me mbajt zgjedhje, ja çka thotë Ismet Beqiri

Më: 24 tetor 2016 Në ora: 14:35
Kadri Veseli

Pavarësisht se ditë më parë kryetari i Kuvendit njëherësh edhe kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar se Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, , me kushtin që për një gjë të tillë të ketë një marrëveshje politike mes partive kryesore parlamentare, sot pas mbledhjes së kryesisë tha se koalicioni qeverisës është stabil dhe mund të qëndroi deri më 2018.

Sipas tij, qëndrimi i opozitës për demarkacionin është gabim dhe se pozita do të qëndrojë në pushtet edhe 50 vjet me këto sjellje të opozitës. Veseli theksoi se nuk do të bëhet “kiameti” edhe po të shkon vendi në zgjedhje, por kjo sipas tij, do të duhej të ndodhë me marrëveshje politike.

Veseli: Koalicioni është stabil, jo me çdo kusht të qëndrojmë deri më 2018

“Sa i përket koalicionit, koalicioni është stabil, koalicioni mund të qëndroi shumë mirë dhe në mënyrë korrekte deri në vitin 2018, kemi komunikim jashtëzakonisht parimor me partnerin e koalicionit. Ajo që jemi duke u munduar është ta ‘shtensjonojmë’ situatën në mënyrë që të lëvizim përpara. Jo me çdo kusht të qëndrojmë deri më 2018 për të qëndruar në pushtet. Këtu ka qenë edhe theksi i deklaratës sime, nuk bëhet kiameti të shkojmë edhe në zgjedhje por me marrëveshje politike, me konsensus të përbashkët… të njëjtat raporte korrekte që i kemi me LDK, po mundohem t’i barti pavarësisht qëndrimeve politike edhe me kolegë të opozitës”, tha Veseli.

Kryetari i GP të LDK-së, Ismet Beqiri theksoi se koalicioni qeverisës është stabil dhe të gjitha vendimet të cilat po nxirren nga Qeveria janë edhe vendime të koalicionit.

Beqiri tha se Qeveria nuk është e një partie politike por është e një koalicioni, kështu që kryetari i PDK-së e ka thënë një mendim të vetin, i cili është edhe kompetent për ta sqaruar më tej sesa si po interpretohet.

Beqiri: Qeveria është stabile

“Unë mendojë dhe jemi të bindur se është një Qeveri stabile dhe Qeveri, e cila po e bën punën e vet karshi rrethanave në të cilat ka punuar. Asnjëherë për ta arsyetuar eventualisht dhe ndoshta jo deri në fund maksimumin e asaj çka ka mund të bëhet por megjithatë duke i pasur të gjitha parasysh jemi të bindur që Qeveria po e bën një punë mjaft ë mirë dhe asnjëherë kjo nuk do të thotë që kjo mund të bëhet edhe më mirë. Sa i përket zgjedhjeve, partitë politike serioze gjithmonë një ditë mund të ndodh të ulen dhe të bisedojnë edhe për proces zgjedhor, qoftë pak para se të vijë koha, por edhe më herët. Në këtë rast nuk do të paragjykoj as nuk dua me projudikuar por mendoj që shpeshherë deklarata tona nxirren prej kontekstit të caktuar”, tha Beqiri.  

Kryetari i GP të AAK-së, Pal Lekaj theksoi se sa më parë që kjo Qeveri të jep dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje, aq më mirë është për qytetarët dhe vendin, sepse ende nuk ka kaluar rreziku nga kjo Qeveri që të parashtrojë atë që nuk i duhet vendit, që është Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Lekaj: Mirë që janë paralajmëruar zgjedhjet prej Veseli

“Mirë që nga kryetari i Kuvendit dhe kryetari i PDK-së, vetëm janë paralajmëruar zgjedhjet e parakohshme, sepse me të vërtetë tani janë bindur edhe këta vet që nuk po shkon diçka për të mirën e qytetarëve të vendit, prandaj ne si opozitë jemi prapë këtu syçelë që të mos lejojmë gjëra të këqija që po ndodhin nga kjo keqqeverisje e vendit”, tha Lekaj.

Edhe deputeti nga radhët e Nisma, Haxhi Shala, tha se nuk e ka marrë shumë seriozisht deklaratat e Kadri Veselit për zgjedhjet, sepse nuk mund të shfajësohet për keqqeverisje kur dihet se edhe PDK është pjesë e Qeverisë.

Ai tha se nëse ka qenë kjo deklaratë serioze, edhe Nisma është për zgjedhje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat