Presidenti Hashim Thaçi ‘tradhton’ shokët e UÇK-së?!

Aktuale

Presidenti Hashim Thaçi ‘tradhton’ shokët e UÇK-së?!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 26 tetor 2016 Në ora: 09:00
Hashim Thaçi

Vendimi i Gjykatës së Apelit ndaj rastit “Drenica II” ku të akuzuarve iu konfirmua dënimi i shkallës së parë, ka nxitur reagime të shumta në opinion. Më shumë se kjo, reagime ka nxitur edhe heshtja e Presidentit të vendit Hashim Thaçi, njëherë edhe ish- Drejtor Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bashkëshortja e ish  Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, gjatë ditës së djeshme ka hedhur një varg akuzash, në drejtim të Presidentit Thaçi, duke thënë se uron që edhe Thaçi t’i bashkohet Syles në burg, meqë nuk i ishte bashkangjitur në vijat frontale.

"Mallkimi raft edhe mbi juve President, ju vrafshin lotët e fmive tan. Qe nuk nxorët një zë ta mbroni të drejtën, jo te nderhyni në drejtësi, por ti mbroni vlerat. Tash edhe juve ju uroj te ju bashkëngjitkeni Syles, meqë nuk ju bashkëngjitet ne vijat frontale, neper beteja të lara me gjak, dhe u fshehshit skutave aty ku nuk kishte luftime dhe bënit plane për poste mbas lufte se kush qka do të gradohet. Syla asnihere se mendoj ktë. Uroj që të paktën ti bashkohesh tash”, ka shkruar bashkëshortja e Selimit Kimetja.

Qeriqi: Institucionet kanë filluar që ta harrojnë luftën dhe bashkëluftëtarët e vet 

Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e të drejtave të veteranëve dhe invalidëve të luftës, Xhevdet Qeriqi, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se në këtë rast është dashur të reagoj edhe Presidenti Thaçi dhe edhe të tjerët të cilët sot janë në institucione, përkatësisht në  krahun e luftës.

“Po të them të drejtën në këtë rast është dashur të reagoj edhe z. Thaçi edhe të tjerët të cilët sot janë në institucione e kam fjalën sidomos për  krahun e luftës. Sepse grupi  Drenica  u akuzuan dhe u dënuan padrejtësisht. Në bazë të asaj çka ne kemi parë në media nuk ka pasur asnjë bazë që të dënohen por këtu ka qenë qëllim I ndërkombëtarëve që ti akuzojnë dhe ti dënojnë me çdo kusht ish komandantin e shtabit të përgjithshëm të UÇK-së dhe grupin e tij. Qëllimi i ndërkombëtarëve ka qenë që ta dëmtojnë dhe ta baltosin luftën e pastër të UÇK-së”, ka thënë Qeriqi për gazetën "Bota sot".

Në këtë drejtim, sipas tij, Bashkësia ndërkombëtare asnjëherë as nuk u morr e as nuk formoj ndonjë gjykatë për ti dënuar ata kriminel serb që vranë e masakruan mijëra shqiptar në kohën e luftës në Kosovë.

”Ne të gjithë jemi dëshmitar se sa krimet I ka kryer Serbia dhe këta ndërkombëtar heshtin, në njëfarë forme ata po heshtin dhe po e fshehin këtë krim dhe me çdo kusht mundohen që ti akuzojnë dhe ti dënojnë çlirimtarët gjë që për ne kjo është e papranueshme  dhe e padrejtë”, është shprehur ai.

Xhevdet Qeriqi e ka quajtur të turpshme heshtjen e institucioneve ndaj këtij rasti.

“Heshtja e Institucioneve të republikës ndaj kësaj padrejtësie është e turpshme. Si duket kanë filluar që ta harrojnë luftën dhe bashkëluftëtarët e vet  këta lider. Personalisht kam pritur një reagim nga ta ndaj padrejtësisë që ju bë grupit Drenica por me gjasë ata kanë zgjedhur të heshtin me çfarë qëllimi kanë zgjedhur këtë të fundit nuk e di as unë”, ka nënvizuar ai.

Faton Ramadani, i cili tash e sa vite po kërkon drejtësi për rastin e vëllezërve të tij, të dënuar për vrasjen e familjes Hajra, ka thënë se përkrah deklaratat e familjes së komandantit të përgjithshëm të UÇK-së Sylejman Selimi, për heshtjen e Presidentit Thaçi.

Ramadani: Ky ishte një dënim i luftës për liri

“Presidenti Hashim Thaçi konkretisht për vëllezërit e mi Burim e Arsim Ramadanin nuk donë drejtësi. Këtë e dëshmon edhe letrat që dërgoi te kryeprokurori për hetim të disa rasteve e nuk kërkoj zbardhjen e të vërtetës ndaj rastit "Kiqina". Për raste tjera duhet folur familjarët e tyre, ku konkretisht unë përkrahi deklaratat e familjes të komandantit të përgjithshëm të UÇK-së Sylejman Selimi që çfarë nuk i mbrojti Hashimi luftëtarët. Ajo se familjaret thonë për luftë nuk më bie të flas, por është e vërtetë se Burim e Arsim Ramadani ishin të afërm me gjeneralin Sylejman Selimin e pas lufte kishte edhe inate në mes të atyre që ishin komandantë të hotel "Rognerit", në Shqipëri dhe komandantëve dhe luftëtarëve të vërtet të UÇK-së,në vitin 2010 truproja i Hashim Thaçit ishte ardhur në familjen tonë duke thënë se krejt këtë burg e kanë familjaret e juaj vetëm pse ishin të afërm me Sylejaman Selimin, aty prindi jon i kishte thënë se nëse për këtë mi mbani në burg djemtë ju nuk jeni të mirëseardhur në familjen tonë”, ka thënë Ramadani.

Ai ka thënë se Sylejman Selimi ishte gjenerali kryesor i UÇK-se dhe dënimi i tij është dënim i luftës dhe gjithë atyre që kontribuuan për liri.

“E vërteta është se familja Hajra u vra për shkak të dëshmisë të Hamëz Hajres për Hagën. Por edhe burgosja e vëllezërve Ramadani që ishin afër 20 veta në ditëlindjen e vëllait që u dashtë të mbyllet ai krim me njerëzit të pa fajshëm që ruanin Sylejman Selimin, duke u munduar t`ja hupin imazhin në opinion se truprojat e Syles vranë fëmijë e dolën njerëzit e SHIK-ut me lista të spiunëve duke e lavdëruar Burimin se vrau Familjen Hajra, tregon se ata kishin inate ndaj gjeneralit kryesor të UÇK-së dhe donin t`i përfshinin truprojat e Sylejman Selimit si vrasës të familjes Hajra pa qenë fare të përfshirë në atë vrasje. Sylejman Selimi ishte gjenerali kryesor i UÇK-se dhe dënimi i tij është dënim i luftës dhe gjithë atyre që kontribuuan për liri, ka deklaruar ai për gazetën "Bota sot".

Nga ana tjetër, ai ka shtuar se Sami Lushtaku nuk është dashur të dënohet për një krim viktima e së cilit nuk dihet. 

Lakmia për pushtet?

Për analistin Faik Krasniqi, Presidenti Hashim Thaçi “ka kohë që i ka tradhtuar shokët e tij të UÇK-së”.

“Vetë deklarata e tij e para dy viteve dhënë EuroNewsit, se nuk ka qenë në vijën e parë të frontit, por përgjegjës vetëm për pjesën politike, e dëshmon tradhtinë e tij ndaj shokëve dhe UÇK-së, të cilët një pjesë e tyre mund të jenë të akuzuarit e Gjykatës Speciale, për krimet e pretenduara të luftës, në bazë të raportit të Dick Martit. Pajtohem deri diku me deklaratën e gruas së ish komandantit të  UÇK-së, z.Sylejman Selimi. Mirëpo, ne edhe pse i kemi ditur planet e tyre, sepse ata menjëherë pas përfundimit të luftës treguan lakminë e tyre për pushtet, konsideroj që këto akuza për planet e tyre që pas luftë se kush dhe me çka do të gradohet, janë shumë të vonuara. Ato është dashur të bëhen shumë kohë më parë, apo nga lakmia e posteve që kanë pasur kanë heshtur deri më tash”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se është një gjë shumë pozitive, që gruaja e një ish komandanti të lartë në hierarkinë e UÇK-së, po i nxjerr të palarat e Hashim Thaçit dhe shokëve të tij.

“Kështu që ka filluar të ndahet shapi prej sheqeri, se kush me të vërtetë ka qenë ushtar pa hile i luftës çlirimtare, e kush e ka përdor luftën për interesat e tij personale”, ka potencuar ai.

Ndryshe, gazeta “Bota sot”, nuk ka marr përgjigje nga Presidenca lidhur me këtë rast, kur është pyetur se si komentohen akuzat e zonjës Kimete Selimi kundrejt Presidentit Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat