Mustafa: Ekstremizmi dhe radikalizmi nuk kanë atdhe

Aktuale

Mustafa: Ekstremizmi dhe radikalizmi nuk kanë atdhe

Më: 26 tetor 2016 Në ora: 10:14
Isa Mustafa

(E plotësuar) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë Konferencës Ndërkombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ka folur për rezultatet e arritura deri më tani, si dhe përkushtimin e shumanshëm të Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, dhe shefi OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu, të cilët folën për punën e deritashme, sfidat dhe angazhimet e mëtejme të Kosovës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Kryeministri Isa Mustafa, tha se ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi janë dukuri, të cilat po rrezikojnë shoqërinë, të cilat nuk e kanë një atdhe, nuk e kanë një lokacion të caktuar, por po e mundojnë botën bashkëkohore dhe po paraqesin rrezik për njerëzimin, për paqen dhe sidomos për njerëzit e pafajshëm.

“Ne kemi bërë përpjekje deri më tani të shohim se cilët janë faktorët apo çfarë janë shkaqet e dukurive të tilla. A janë faktorët ekonomikë, socialë, arsimor, kulturor, a janë faktorët fetarë, a janë ambicie për të shprehur egon individuale apo grupore. Është vështirë të vihet deri te konstatime të caktuara, mirëpo ajo çfarë bashkërisht kemi konstatuar, është e domosdoshme që të gjithë ne të marrim masa, të punojmë bashkërisht, jo vetëm në Kosovë, por të punojmë edhe me vendet fqinje, me të gjitha vendet tjera, sepse është një problem që nuk i përket vetëm një vendi, nuk i përket vetëm Kosovës, por bashkërisht mund ta mundim, dhe mund ta mundim vetëm nëse punojmë bashkërisht”, tha kryeministri. 

Më tej, kryeministri Mustafa u shpreh se Kosova është në rrugë të mirë dhe është e përkushtuar për integrime evropiane, për integrime euroatlantike dhe për bashkëjetesë me të gjitha komunitetet. 

“Kemi një tolerancë të mirë fetare, që është kontribut sidomos i bashkësive fetare, edhe asaj myslimane, katolike, ortodokse dhe bashkësive tjera, sepse kemi një bashkëpunim të shkëlqyer mes tyre. Por, mund t’ju them se kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer edhe në këtë aktivitet të betejës sonë, që ta mundim ekstremizmin, radikalizmin dhe të bëjmë një punë të suksesshme të përbashkët, sepse pa ndihmën e bashkësisë islame, bashkësive tjera fetare, pa ndihmën e shoqërisë civile, medieve, subjekteve politike, shkollave, firmave, sepse është një çështje, e cila preokupon të gjithë shoqërinë dhe do të ishte vështirë që të arrijmë suksese në këtë fushë”, tha kryeministri.

Lidhur me punën institucioneve kompetente, kryeministri Mustafa, tha se ato janë të ndërtuara dhe të strukturuara mirë por se nuk iu është lënë që kjo punë të jetë vetëm e policisë, apo vetëm e Agjencisë së Inteligjencës dhe e organeve shtetërore.

“Por, kemi menduar se duhet të jetë çështje e shoqërisë dhe të gjitha institucioneve shoqërore dhe ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer. Këtë bashkëpunim e kemi realizuar edhe me vendet fqinje dhe kjo ka kontribuar që ne gjatë kësaj periudhe të arrijmë rezultate. Por, nuk e konsiderojmë që kjo është çështje specifike e Kosovës, por konsiderojmë se Kosova duhet të ketë vendin e saj në këtë luftë kundër ekstremizmit dhe radikalizmit i cili pastaj qon në terrorizëm dhe veprime të tjera, me të cilat bota sot po preokupohet”, tha kryeministri.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa, foli edhe për aprovimin vitin e kaluar të Ligjit në Kuvend i cili ndalon bashkimin e qytetarëve në konfliktet e jashtme dhe të hartimit të Strategjisë në Qeverinë, si një dokument shumë i rëndësishëm për t’u përballuar edhe me ekstremizmin e dhunshëm, edhe format e radikalizmit, të cilat qojnë në terrorizëm.

“Mendoj se po punojmë mjaft suksesshëm në këtë fushë, por se puna jonë dhe suksesi varet nga bashkëpunimi që ne do ta kemi edhe me vendet fqinje, edhe me vendet tjera evropiane, por edhe me koalicionin botëror, sepse duhet të jemi të gjithë në një front të përbashkët”, tha kryeministri.

Më tutje, kryeministri Isa Mustafa, ritheksoi kërkesën që Kosova të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare të cilat merren me sigurinë, sidomos në Interpol, të ketë marrëdhënie shumë të mira me Europolin dhe po ashtu të jetë pjesë e bashkëpunimit me NATO-n, në mënyrë që Kosova ta jap kontributin e saj.

“Ne do të punojmë vazhdimisht me vendet fqinje dhe vendet e tjera, që ta kemi përkrahjen e tyre, që ne të bëhemi anëtarë të këtyre organizatave, sepse lypset këmbimi i informacioneve dhe lypset të jemi në rrjetin e informimit për t’u përballuar më me sukses dhe për të dhënë kontributin tonë”, tha kryeministri Mustafa.

Image

Mustafa: Po e luftojmë dhe do ta mundim ekstremizmin

I ka filluar punimet konferenca dyditore e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ministri i Brendshëm Skënder Hyseni, tha se ekstremizmi i dhunshëm mund të luftohet vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ai theksoi se Kosova nuk bënë përjashtim nga prekja e kësaj dukurie negative, por sipas tij, përjashtim bënë mënyra se si i është qasur kësaj të keqeje.

Hyseni tha se feja islame është fe e mirë dhe predikon paqe, duke theksuar se në Kosovë duhet ruajtur praktika e deritanishme e islamit.

Ndërsa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se të gjithë e  vlerësojmë se ekstremizmi dhe radikalizmi janë të dhunshëm dhe se nuk kanë atdhe, por po paraqesin rrezik për paqe.

“Ne kemi kërkuar faktorët që i shkaktojnë këto dukuri, është vështirë të vihet në një konstatim, por ajo çka jemi pajtuar është ta luftojmë këtë dukuri dhe ta mundim atë”, tha Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat