Mustafa: Edhe pse kemi disa vështirësi jemi në harmonizim të buxhetit 2017

Aktuale

Mustafa: Edhe pse kemi disa vështirësi jemi në harmonizim të buxhetit 2017

Më: 26 tetor 2016 Në ora: 10:57
Isa Mustafa

(E plotësuar) - Qeveria e Kosovës të hënën e ardhshme pritet ta miratoj projekt buxhetin për vitin 2017, i cili pritet të jetë 2 miliardë euro. Mirëpo, për kryeministrin Isa Mustafa, janë disa çështje që nuk janë të lehta për t’i zgjidhur, sepse sipas tij, ka obligime të mëdha buxhetore.

Mustafa, beson se do të arrijnë t’i tejkalojnë këto sfida dhe do të respektojnë afatet kohore për miratimin e buxhetit. Sa i përket përplasjes së mundshme ndërmjet koalicionit qeverisës për shpërndarje të buxhetit, Mustafa tha se janë të përkushtuar t’i harmonizojnë të gjithë çështjet buxhetore para se buxheti të futet në rend të ditës në mbledhjen e Qeverisë.

Mustafa: Jemi para finalizimit të buxhetit, kemi disa vështirësi

“Jemi duke diskutuar në mënyrë që të harmonizojmë maksimalisht të gjitha çështjet para se buxheti të arrin në Qeveri dhe pastaj të kaloj në kuvend. Unë mendojë se është bërë një progres shumë i mirë në këtë fushë dhe pres që buxheti të aprovohet. I kemi disa çështje që nuk janë të lehta që t’i zgjidhim, sepse janë krijuar obligime të mëdha, por po bëjmë përpjekje që edhe ato çështje t’i zgjidhim. Mirëpo, afatin do ta respektojmë”, tha kryeministri Mustafa gjatë shpalosjes së raportit të BB për të bërit biznes në Kosovë në një konferencë për medie.

Raporti i Bankës Botërore për “Të bërit biznes 2017” i publikuar mbrëmë, konfirmon progresin e arritur nga Kosova në përmirësimin e mjedisit afarist, duke ngritur rangimin e saj botëror në vendin e 60-të nga vendi i 64 sa është ranguar me revidimin e raportit të mëparshëm.

Kështu u tha në konferencën për medie në të cilën u shpalosen hollësitë e raportit të BB nga kryeministri Isa Mustafa dhe ministrja e MTI, Hykmete Bajrami.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa vlerësoi lart raportin e Bankës Botërore për Kosovën, i cili tha se në Kosovë po përmirësohet çdo vit ambienti i të bërit biznes.

Mustafa tha se ka një ndër lidhshmëri dhe bashkëpunim shumë më të ngushtë tek të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat po krijojnë kushte që bizneset të veprojnë në mënyrë më të suksesshme, duke u rritë efikasiteti dhe efiçenca e institucioneve karshi ofrimeve të shërbimeve për biznese, dhe po ashtu kryeministria tha se po rritet siguria e të bërit biznes në Kosovë.

Mustafa: Progresi tek të bërit biznes është një tregues shumë i rëndësishëm

“Është objektiv i ynë themelorë që ne të arrijmë progres në zhvillimin ekonomik, sepse është qëllimi kryeso I kësaj Qeverie, edhe në rritjen ekonomike, në rritjen e numrit të të punësuarve, në zvogëlimin e varfërisë, por edhe në krijimin e stabilitetit makroekonomik dhe stabilitetit buxhetor. Mendoj se edhe ky progres, i cili po arrihet në ngritjen e shkallës tonë tek të bërit biznes është një tregues shumë i rëndësishëm, sepse po punohet në mënyrë serioze dhe shihet se ka një përkushtim të madh të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

Në shpalosjen e raportit “Të bërit biznes 2017” ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se Qeveria ka marrë shumë seriozisht përmirësimin e ambientit të biznesit. Sipas Bajramit janë disa indikatorë që ka pasur përmirësim, të cilët janë fillimi i biznesit, heqja e pagesave të tatimeve dhe  tregtia përtej kufijve.

Kurse, Kosova nuk figuron mirë në fushën e furnizimit të energjisë elektrike për bizneset dhe për zgjidhjen e kontratave kontestuese biznesore.

Në lidhje me stagnimet në këto fusha, ministrja Bajrami tha se me qëllim që të këtë përmirësim në disa fusha është ngritur Task Forca ku janë të niveluara disa Ministri me Grupe punuese

Ndërsa për çështjen e energjisë elektrike Bajrami beson se zgjidhja do të bëhet në një fat të shkurt.

Bajrami: Furnizimi me energji elektrike është problematike, do të bëjmë zgjidhje shpejt

“Sa i përket furnizimit me energji elektrike ne e dimë që është problematike dhe pikërisht për këtë edhe Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik janë të angazhuar dhe jemi në fazën finale të përfundimit të projektit me kompaninë “Countur Global”, dhe shpresojmë se në një të ardhme të afërt edhe ky problem do të zgjidhet. Sa i përket mbrojtjes së investitorëve të vegjël ne kemi bërë ligjin e falimentimit nuk është marrë parasysh, sepse BB merre parasysh implementimin e ligjit të falimentimit… Tek ekzekutimi I kontratave janë bërë  përmirësime edhe përmes përmbaruesve privat dhe tash së fundmi në kuadër të Gjykatës Ekonomike në Prishtinë është hapur një divizion I veçantë për kontestet biznesore”, tha Bajrami.

Ministrja e MTI-së më tej tha se Banka Botërore për raportin e të bërit biznes për vitin 2017 ka marrë parasysh vetëm reformat që Qeveria e Kosovës ka bërë deri më 31 maj të vitit 2016.

Ky përmirësim sipas drejtuesve tw MTI-sw është arritur kryesisht përmes shkurtimit të afateve, procedurave dhe kërkesave për regjistrimin e bizneseve pranë Agjencisë së Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), funksonalizimin e sistemit elektronik të pagimit të tatimeve pranë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe funksionalizimit të sistemit ASYCUDA nga Doganat e Kosovës.

Këto përmirësime janë edhe rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Qeverisë së Kosovës, përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe Task Forcës për të Bërit Biznes që udhëhiqet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) si dhe grupeve punuese të specializuara për secilin nga dhjetë indikatorët e Raportit të Bankës Botërore për të Bërit Biznes që udhëhiqen nga ministritë përgjegjëse për fushat përkatëse.

Bajrami tha se përveç përmirësimit të rangimit botërore në indikatorët përkatës, përmirësimet në këta indikatorë janë ngushtë të ndërlidhur me reduktimin e korrupsionit, prosperitetin ekonomik si dhe efikasitetin e përgjithshëm në qeverisje.

Ministrja Bajrami po ashtu tha se këtë vit ka rënie të investimeve sipas së cilës  në periudhën janar- korrik janë shënuar 122 milionë euro investime. Për këtë Bajrami ia lë fajin krizës politike.

Mustafa: Mbledhja e Qeverisë për buxhet mbahet të hënën

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se mbledhja e Qeverisë, në të cilën pritet që të votohet buxheti për vitin 2017, më së largu do të mbahet të hënën.

“Është bërë progres shumë i mirë dhe besoj se do të aprovohet.”

“Afatin do ta respektojmë dhe do të procedojmë sipas saj”, ka thënë Mustafa, gjatë një konference të përbashkët me ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ku u shpalosen hollësitë e Raportit të Bankës Botërore për të “Bërit Biznes 2017.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat