Vendimi i Apelit për ‘Drenica 1 e 2’ mbledh në seancë të jashtëzakonshme Kuvendin

Aktuale

Vendimi i Apelit për ‘Drenica 1 e 2’ mbledh në seancë të jashtëzakonshme Kuvendin

Më: 26 tetor 2016 Në ora: 12:25
Kuvendi i Kosoves

Vendimi i Apelit për ta vërtetuar dënimin ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK’së në dy rastet ‘Drenica’ pritet t'i mbledhë në një debat të jashtëzakonshëm deputetët e Kuvendit të Kosovës. 

Deputetët e PDK’së kanë mbledhur nënshkrime për të kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për debat në Kuvend, për të diskutuar dënimin e ish-pjesëtarëve të UÇK’së. Ata, këtë kërkesë e kanë dërguar në Kryesi të Kuvendit, ndërsa, kryeparlamentari Veseli ka thirrur mbledhjen e Kryesisë për në ora 14:00 të ditës së sotme. 

Kjo është konfirmuar nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Zenun Pajaziti. 

“Është një kërkesë nga ana e deputetëve. Sot gjatë ditës në ora 14:00 do të mblidhet kryesia dhe ajo do të vendos lidhur me atë se a do të mbahet seanca apo jo", ka thënë Pajaziti.

Në rast se kryesia pajtohet, sipas kërkesës seanca mund të mbahet po të mërkurën, rreth orës 15:00 – menjëherë pas mbledhjes së kryesisë. 

Iniciativa e deputetëve të PDK’së, bëhet e ditur se ka marrë mbështetje edhe nga shumica e deputetëve të partive tjera, përfshirë edhe ata të opozitës.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, në fillimin e kësaj jave, ka vërtetuar dënimet e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, në dy rastet e ndara 'Drenica 1 dhe 2', ku janë dënuar ish-pjesëtarët e UÇK'së për krime lufte në Kosovë. 

Apeli në vendimin e saj i ka zbritur vetëm një vit dënimin Sylejman Selimit. Të dënuar tjerë në 'Drenica' janë edhe kreu i Skenderajt, Sami Lushtaku, ish-kryetari i Drenasit Nexhat Demaku dhe deputeti i PDK'së, Fadil Demaku. Këta dy të fundit, dhanë dorëheqje, menjëherë pas publikimit të vendimit nga postet e tyre publike, të ardhur me votë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat