Rashiti për demarkacionin: Liderët kanë kohë deri në fillim të dhjetorit

Aktuale

Rashiti për demarkacionin: Liderët kanë kohë deri në fillim të dhjetorit

Më: 26 tetor 2016 Në ora: 18:51
Naim Rashiti

Në lidhje me takimet në mes të liderëve të të gjitha partive politike, Naim Rashiti, ka vlerësuar që ky projekt ka ecur përpara, megjithëse me rezultatet e tij mund të mos pajtohen të gjitha subjektet, përderisa theksoi rëndësinë e takimeve në mes të liderëve të paktën çdo tre muaj.

“Shoh një vullnet për një çasje të ndryshme në raport me atë të mëhershmen nga të gjitha palët – që e kanë kuptuar se diçka nuk ka qenë në rregull. Gjatë kësaj periudhe kur kemi punuar një draft, kemi parë që palët nuk i kanë refuzuar pjesët vetëm pse kanë qenë ide e palës tjetër, por kanë qenë konstruktiv. Dy vitet e fundit kanë qenë një lloj aksidenti” ka thënë Rashiti në një intervistë në Klan Kosova.

“Asnjëra nga partitë nuk janë në këtë takim për të bërë paqe, por për të punuar në disa nga pikat kyçe të zhvillimit të shtetit. Për 15 vjet intervenimi ndërkombëtar nëpër rezidenca ka prodhuar zgjidhje për individë, apo përfitime për individët. Ne ju kemi propozuar një platformë, që në qendër ka proceset. Vetëvendosja ka kontribuar në draft me seriozitet, por na e ka bërë të qartë që nuk do të marrin pjesë në çështjet e dialogut me Serbinë”, vazhdoi Rashiti.

Sa i përket takimit të ditës së martë, lidhur me draft-deklaratën e përbashkët, Rashiti vlerësoi që ky takim është realizuar me vonesë, ngaqë të dyja palët kanë besuar që do të realizohen pritjet e tyre, duke theksuar që dhjetori është afati i fundit.

“Fatkeqësisht jemi vonë, sepse po të fillonim më herët do ta kishim zgjidhjen tashmë .Qëllimi i draft marrëveshjes ka qenë që liderët të vulosin vullnet dhe të krijojnë kushtet që ne me përfaqësues të partive dhe ekspertë të gjejmë një zgjidhje, të drejtë, për të përmbyllur procesin e demarkacionit. Kur i trajtoj ndaras pozicionet e liderëve, shoh zgjidhje për secilin qëndrim. Mospajtimi i djeshëm ka qenë më shumë gjuhësor, sesa në përmbajtje. Ka pasur zhvillime anësore që e kanë turbulluar situatën. Por shoh klimë tërësisht të ndryshme në raport me atë të muajve më parë” deklaroi Naim Rashiti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat