Veseli: Ja pse ka luftuar UÇK-ja

Aktuale

Veseli: Ja pse ka luftuar UÇK-ja

Më: 27 tetor 2016 Në ora: 12:01
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-se, në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, ka thënë se UÇK-ja luftoi për të ndërtuar një shoqëri të lirë ku sundon drejtësia dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit.

UÇK ka luftuar për të krijuar një shtet, sipas Veselit, ku një qytetar mund të dënohet vetëm pas një procesi të ndershëm gjyqësor, ku fajësia të provohet nëpërmjet provave të qarta, të besueshme e bindëse.

 “Luftoi për një sistem evropian të drejtësisë ku pasi fajësia provohet përtej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe dënimi të jetë proporcional me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë. Ne kemi sakrifikuar që të ndërtojmë një shtet të pavarur të mbështetur në parimet e demokracisë”, ka thënë Veseli.

Në parim, sipas Veselit, politika nuk duhet të ketë ndërhyrje në çështje gjyqësore. Kjo, sipas tij, është ajo çfarë më se shumti i duhet Kosovës, të ardhmes së saj euroatlantike.

“Partia Demokratike e Kosovës ka besuar dhe beson fuqishëm tek ky parim themelor kushtetues dhe demokratik. Kjo ka qenë arsyeja pse kemi heshtur edhe kur kemi pasur shumë dilema në veprimet e caktuara të gjyqësorit”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se për t’i hapur rrugën drejtësisë, Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa janë larguar nga pozita e deputetit këtë mandatë, Ramush Haradinaj ka lëshuar postin e kryeministrit, Fatmir Limaj të deputetit.

Po ashtu, Veseli ka thënë se kur u arrestua Azem Syla, e ka mbështetur largimin e tij nga të gjitha përgjegjësitë institucionale.

“Edhe Fadili dhe Nexhati tani kanë lëshuar pozitat e tyre politike. Ne po zbatojmë parimin e drejtësisë, mirëpo me kalimin e kohës po shohim që shqetësimet e qytetarëve me këto procese po bëhen edhe më të mëdha”, ka thënë Veseli. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat