Dëshmitë për vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, të deponohen në Gjykatën Speciale

Aktuale

Dëshmitë për vrasjet e zyrtarëve të LDK-së, të deponohen në Gjykatën Speciale

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 1 nëntor 2016 Në ora: 10:16
Disa nga të vrarët

Imer Imeri, vëllau i Haki Imerit aktivisti të vrarë të LDK-së, në një emision ka hedhur akuza ndaj presidentit Hashim Thaçit, Azem Syles, Xhavit Halitit etj, të cilët sipas tij, qëndrojnë prapa vrasjes se vëllaut të tij.

Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësuar se prononcimi publik i z.Imerit e përshkruan detalisht të vërtetën e Kosovës dhe shqiptarëve, prandaj sipas tyre,  do të ishte mirë që z. Imeri ti deponojë të gjitha këtë dëshmi pranë Gjykatës Speciale, në mënyrë që kjo Gjykatë t'i zbardhë të gjitha vrasjet me motive politike.

Ata kanë pohuar se krimi nuk kërkon mëshirë, por kërkon drejtësi, andaj duhet të kërkohet drejtësi ndaj atyre që shtien në Xhemajl Mustafën, Ali Ukaj, Haki Imerin, Enver Malokun, Ukë Bytyçin, Shaban Manaj, Smajl Hajdaraj, Bardhyl Ajetin, Bekim Kastratin e të tjerë duhet të dalin para drejtësisë.

Arbër Gashi njohës i çështjeve politike ka pohuar se prononcimi publik i z.Imerit e përshkruan detalisht të vërtetën e Kosovës dhe shqiptarëve. 

Ai ka deklarua se të njëjtin fat, shqiptarët e Kosovës e kishin të rezervuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe, më pas edhe gjatë sundimit komunist dhe gjatë periudhës së çlirimit nga Serbia. 

“Kosova ekziston si shtet, për shkak se kësaj radhe aleatët perëndimor intervenuan dhe e mundësuan triumfin e drejtësisë historike. Megjithatë, aleatet tanë nuk mundën të na shpëtojnë nga vëllavrasja, siç e dokumenton edhe rrëfimi autentik i z. Imer Imeri. Planet për likuidimin e kundërshtarëve politik nuk janë pa adresë. Përpos dorasëve, përgjegjësi për këto ngjarje duhet të japin edhe urdhërdhënësit, planifikuesit dhe ata që ende i mbajnë dosjet e mbyllura”, ka thënë Gashi.

Rexhep Shahu analist politik ka thënë se krimi nuk kërkon mëshirë, por kërkon drejtësi. Sipas tij, duket sikur ka një marrëveshje që të mos zbulohen krimet e pasluftës në Kosovë. 

 “Mundem të them se armiku më i madh sot në Kosovë është frika, e cila i bën bandat të pushtetshme. Drejtësia në Kosovë ka mbete si shtëpia me dy gra që mbetet pa ujë se shtyhen ortaket kush të mbushe ujin. Në rastin tonë, shtyhet në Kosovë në dëm të së vërtetës, kush do ta bëj drejtësinë, EULEX-i apo vendoret, ndërkombëtaret apo shqiptarët. Gjithsesi ky emision një hap para, por pa u vra frika prej komandanteve nuk ka asgjë të re”, ka thënë analisti Shahu.

Faik Krasniqi politolog ka pohuar se do të ishte mirë që z.Imeri të gjitha dëshmitë që i posedon për vrasjen e vëllait të tij dhe të tjerëve, t'i deponojë pranë Gjykatës Speciale, në mënyrë që kjo Gjykatë t'i zbardhë të gjitha vrasjet me motive politike.

Ai ka thënë se ata që shtien në Xhemajl Mustafën, Ali Ukaj, Haki Imerin, Enver Malokun, Ukë Bytyçin, Shaban Manaj, Smajl Hajdaraj, Bardhyl Ajetin, Bekim Kastratin e të tjerë duhet të dalin para drejtësisë.

“ Është momenti që njëherë e mirë të dihet kush ua mori jetën këtyre personaliteteve me nam në Kosovë. Të kërkohet drejtësi për ta është dhe duhet të jetë obligim i secilit. E një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm Gjykata Speciale, që skena politike të pastrohet njëherë e mirë nga kriminelët e politikës dhe para politikes”, ka thënë politologu Krasniqi. 

Po ashtu gazeta “Bota sot”, ka provuar të marrë qëndrimin e presidentit Thaçi në lidhje me këto akuza të drejtuara ndaj tij, por sikur herave tjera ka qenë i pamundur kontakti me të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat