Akuzat ndaj komandantëve të UÇK-së, përgatitje për Specialen

Aktuale

Akuzat ndaj komandantëve të UÇK-së, përgatitje për Specialen

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 1 nëntor 2016 Në ora: 15:03
Selia e Gjykates Speciale

Vendimi i Gjykatës së Apelit për rastin “Drenica II”, ku grupi “Drenica” u  dënua ditë më parë me gjithsejtë 14 vjet burg për krime lufte gjatë viteve 1998-99, po vazhdon të kundërshtohet ashpër nga deputetët dhe shoqëria civile në vend.

Ky debat është aktualizuar edhe më shumë me ngritjen e aktakuzës kundër liderit të Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, i cili akuzohet për vrasjen e dy civilëve shqiptarë: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, të cilët me datë 2 tetor 1998,të cilët sipas aktakuzës, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Analistë dhe deputetë opozitarë punën e organeve të drejtësisë lidhur me këto raste e ndërlidhin me Gjykatën Speciale.

Ata janë shprehur për gazetën “Bota Sot” se institucionet e drejtësisë, të ndikuara nga forcat politike po mundohen që dështimet e veta t’i mbulojnë me masa senzacionle kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Nismës për Kosovën Zafir Berisha, në një prononcim për “Bota Sot”, thotë se ngritja e aktakuzave dhe shpallja e aktgjykimeve ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, po bëhet me qëllim që të përgatitet psiqikisht opinioni për, siç i quan ai, budallallëqet e radhës që mund të ndodhin ndaj luftës së lavdishme të UÇK-së.

Ai shprehet i bindur se asnjë luftëtar i vërtetë nuk ka çfarë të frikësohet nga Gjykata Speciale dhe nga asnjë gjykatë tjetër për luftën e bërë kundër fashizmit.

“Dilema është se politika të caktuara vendore dhe ndërkombëtare po shihet se në emër të çfarë “pajtimi” në rajon duan të barazojnë me çdo kusht luftën për liri dhe luftën gjenocidale të Serbisë”, ka theksuar deputeti Berisha.

Ndërsa, për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, nuk ka shumë rëndësi kur ndodh padrejtësia.  Ai thotë se ajo çka po ndodh ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së është padrejtësi.

“Padrejtësia është padrejtësi kudo, ndaj kujtdo dhe kurdo që ndodh. Ajo çka po ndodh ndaj ish luftëtarëve të UÇK-së është padrejtësi. Prandaj ajo peshon rëndë gjithmonë.”, ka thënë Selimi për “Bota Sot”.

Kurse, sa i përket aktakuzës ndaj Limajt, Selimi thotë se ajo është edhe një hallkë tjetër e padrejtësisë ndaj tij personalisht dhe ndaj UÇK-së në përgjithësi.

“Akuzat pa fakte dhe pa prova e kanë shkatërruar drejtësinë në Kosovë dhe besimin se do të ketë drejtësi për aq sa ky regjim e ka pushtetin”, ka shtuar ai.

Edhe analisti politik, profesor i së drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se gjykatat dhe prokuroritë në Kosovë, në mënyrë jo profesionale dhe pa fakte akute po shpallin aktgjykime kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Duke folur për gazetën “Bota Sot”, ai tregon edhe shkaqet lidhur me këtë.

“Shkaqet janë të ndryshme, por kryesisht këto organe kanë rënë nën ndikimin e forcave të veçanta të politikës dhe ndikimit të jashtëm, por pa u bazuar në ligj. Ne kemi një dështim total të shtetit. Ka dështuar Kuvendi I Kosovës, Qeveria dhe tërë organet e drejtësisë. Ne fare nuk kemi president funksional”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, dështimet e tilla po mbulohen me masa senzacionale kundër UÇK-së, dhe se këto dënime shkojnë në dëm të të tashmes.

“Ai akt vetëm e deformon shtetin. Ndaj dënimet e tilla janë jo të drejta dhe tërësisht kundër të kaluarës sonë, luftës së drejtë çlirimtare dhe shkojnë në llogari të dëmtimit të të tashmes së benefitit. Këtë duhet ndalur”, ka shtuar  profesori Kelmendi për “Bota Sot”.

Ndryshe, Gjykata Speciale do të formohet bazuar në pretendimet e senatorit zviceran të Këshillit të Evropës, Dik Marty se në Kosovë kishte krime lufte nga UÇK. Një pjesë të këtyre pretendimeve i ka konfirmuar edhe hetuesi amerikan, Clint Willamson, pas hetimeve që bëri në Ballkan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat