‘Institucionet e Kosovës të pa përgatitura për anëtarësim në Interpol’

Aktuale

‘Institucionet e Kosovës të pa përgatitura për anëtarësim në Interpol’

Më: 2 nëntor 2016 Në ora: 14:25
Pamje nga raportimi

Edhe përkundër nevojës që ka Kosova për anëtarësim në Interpol, institucionet e vendit, sipas raportit të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), nuk kanë qenë të koordinuara në lobim.

Ndërkohë, sipas raportit të QKSS “Nyja e Gordianit: Pengesat e Kosovës për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare të sigurisë- rasti i Interpol-it”, thuhet se Policia e Kosovës është e përgatitur si në aspektin profesional ashtu edhe në atë teknik për anëtarësim në këtë organizëm.

Raporti në fjalë tregon se dy ministri të Qeverisë së Kosovës, ajo e Punëve të Brendshme (MPB) dhe të Jashtme (MPJ), nuk kanë pasur koordinim të mirë në çështjet që çojnë në anëtarësim në Interpol. Megjithatë, Shqipe Mjekiqi, këshilltare në MPB, pas prezantimit të raportit nga QKSS tha se dy ministritë e lartpërmendura kanë koordinim të mirë, çka e tregon edhe krijimi i grupit punues të përbashkët në lobim të procesit për anëtarësim të Kosovës në Interpol.

Hulumtuesi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Plator Avdiu, ka treguar së në bazë të hulumtimit kanë vërejtur që institucionet kanë qenë të pa përgatitura në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Avdiu: Institucione e pa përgatitura për anëtarësim në Interpol

“Deri tash kanë qenë bukur të pa përgatitura në këtë proces. Ndoshta procesi ishte kapitalizuar nga vetë institucionet e ndryshme, qoftë nga ministria e Brendshme, qoftë nga ministria e Jashtme duhet të ndryshohet kjo qasje duke marr parasysh që ministria e Brendshme deri tash ishte në një farë mënyre e kyçur drejtpërdrejt në këtë proces, dhe kjo duhet të ndryshojë. Ne kemi propozuar që procesi duhet të udhëhiqet nga ministria e Jashtme, dhe me koordinim me ministrinë e Punëve të Brendshme, në koordinim me ambasadat në shtetet e ndryshme por edhe me Atashe policorë të cilat janë të akredituar në disa prej vendeve të Evropës”, tha Avdiu.

Dështimi i anëtarësimit të Kosovës në Interpol, sipas Avdiut, duhet të shërbejë si mësim i mirë që në të ardhmen të përgatitemi më mirë për këtë proces. Ai ka thënë se institucioneve të sigurisë në vend u duhet një agjendë e qartë dhe specifike për planin tutje në kërkim të anëtarësimit në institucionet e larta të sigurisë në botë.

Avdiu: Nuk duhet të ketë paralelizëm ndërmjet institucioneve

“Në aspektin profesional dhe në aspektin teknik Kosova është shumë e përgatitur për anëtarësim në Interpol. Mirëpo besoj që institucioneve të Kosovës, rasti i dështimit për anëtarësim në Interpol do t’i shërbejë si një mësim i mirë për të ardhmen, për tu përgatitur edhe më mirë për anëtarësim qoftë në Interpol, qoftë në organizata tjera rajonale dhe ndërkombëtare, dhe paralelizmi apo çfarëdo mundësie për t’iu shmangur çfarëdo komunikimi normal të institucioneve ndërmjet vete do ta vonoj procesin e anëtarësimit në Interpol...Duhet të ketë përgatitje më të mira, agjendë më të qartë dhe nuk duhet të vonohen më shumë, dhe nuk duhet të ketë paralelizëm ndërmjet institucioneve të brendshme të Kosovës”, tha Avdiu.

Përfaqësuesi i QKSS-së gjithashtu tha se UNMIK-u është duke treguar një mision i ngadalshëm në dhënien e informacioneve për Policinë e Kosovës dhe për ministrinë e Drejtësisë, ndërsa edhe ato informacione që kanë dhënë dalin se nuk kanë qenë të plota. Kjo duhet të shërbejë si një argument shtesë që Kosova me patjetër duhet të jetë pjesë e Interpol-it.

Blerim Rama, shef i Inteligjencës në Drejtorinë Kundër Terrorizmit, ka përmendur lëvizjen e pjesëtarëve të organizatave terroriste siç është ISIS në Kosovë dhe më tej. Këto lëvizje dhe celula japin informacione, dhe si të tilla janë në interes të Kosovës dhe shteteve të Evropës që medoemos të shkëmbehen këto të dhëna dhe të punohet bashkërisht në luftimin e tyre.

Rama: Anëtarësimi i Kosovës në Interpol interes i dy anshëm

“Ne jemi pothuajse të gjithë të vetëdijshëm për lëvizjen e pjesëtarëve të organizatave terroriste siç është ISIS, edhe përmes Kosovës dhe shteteve tjera, do të jetë interes i dy anshëm edhe i Kosovës por edhe i shteteve të Evropës që t’i shkëmbejnë qindra të dhëna apo të gjitha të dhënat që ne i kemi për pjesëtarët, shtetas të Kosovës të cilët janë aktualisht në ISIS, dhe që kanë qenë dhe janë kthyer. Por do të jetë interes edhe që ne t’i kemi të dhënat e secilit shtetas të Evropës apo shteteve tjera që kanë qenë për një kohë  në ISIS dhe tani mund ta shfrytëzojnë Kosovën ose si transit ose për qëllime të tjera për kryerjen e ndonjë akti në Kosovë, kur dihet që prezenca e ndërkombëtareve në Kosovë është jashtëzakonisht e madhe”, tha Rama.

Deputeti Nuredin Ibishi, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së në Kuvendin e Kosovës, , tha se ka munguar lobimi për anëtarësimin e vendit në këtë organizëm me rëndësi. Ai ka pyetur se çfarë kanë bërë institucionet e sigurisë së vendit që nga 2008-ta e deri më 2015-të për lobim në këtë aspekt.

Ndërsa, Shqipe Mjekiqi, nga MPB, ka mohuar që të mos ketë pasur lobim. Madje ajo ka mohuar edhe mos koordinimin mes dy ministrive, të Punëve të Brendshme me Punëve të Jashtme, dhe institucioneve tjera gjegjëse.

Mjekiqi: Kemi lobuar në shumë vende

“Nuk është që nuk kemi lobuar, por të paktën që nga viti i kaluar edhe këtë vit kur e kemi bërë aplikacionin e dytë, sepse u përmend që në vitin 2010 ka qenë një aplikacion tjetër. Kemi lobuar në shumë vende. Mirëpo për të pasur një pasqyrë më të mirë  në qoftë se e kemi përkrahjen e nevojshëm për anëtarësim apo jo, do të na duhet edhe më shumë kohë...Sa i përket mungesës së koordinimit institucional mund të them se që nga viti i kaluar e deri tash, pra deri kur ministri Hyseni ka marr mandatin ka pas koordinim të ngushtë Ministri të Punëve të Brendshme-Ministri e Punëve të Jashtme, madje ne kemi krijuar një grup punues jo formal”, është shprehur Mjekiqi.

Se është dashur që MPB të nis lobimin më herët, Mjekiqi tha se nuk është që nuk kanë bërë përpjekje, por procedurat e aplikimit kërkojnë që aplikacioni së pari të trajtohet në komitetet ekzekutive e pastaj të kaloj në Asamblenë e Përgjithshme, e që sipas saj është dashur të ndjekjen këto procedura.

Përndryshe, INTERPO, është organizatë ndërqeveritare për bashkëpunim policor ndërkombëtar, përmes së cilës shkëmbehen informacione mes shtetesh, organizohen operacione te përbashkëta si dhe bëhet kërkimi i njerëzve nga ndonjë vend tek tjetri, përmes flet-arrestit ndërkombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat