Deputetët me urdhra të Hashim Thaçit, shesin patriotizëm

Aktuale

Deputetët me urdhra të Hashim Thaçit, shesin patriotizëm

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 nëntor 2016 Në ora: 12:07
Arkiv Kuvendi i Kosovës

Seancat e mbajtura në Kuvend shpeshherë kthehen në arenë përplasjesh në mes të deputetëve.

Ndodh që tema apo pikat e rendit të ditës të tejkalohen, pasi deputetët nxjerrin deklarata të ndryshme për njëri tjetrin, duke zbuluar kështu ‘tradhtitë’.

Në një nga seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për vlerat e luftës së UÇK-së, pati përplasje e ofendime në mes të deputetëve, ë cilët hodhën akuza ndaj njëri tjetrit, për kohën gjatë e pas luftës në Kosovë, duke kaluar edhe kufijtë e diskutimit të tyre, si të zgjedhur nga populli.

Lidhur me këtë, deputeti i Nisma për Kosovën Zafir Berisha ka thënë për gazetën Bota Sot se deputetët që e kanë votuar Gjykatën Speciale me urdhra të Hashim Thaçin, janë mundur të shesin patriotizëm, por ata kanë pasur më së paku të drejtë për të folur për këtë temë.

“Në seancë përpos që është tentuar të shitet patriotizëm, ka pasur edhe tendencë që seancën ta shfrytëzojnë, disa nga deputetët, për ta larë vetveten për temën të cilën është trajtuar, sepse disa nga deputetët që ishin të zhurmshëm ishin ata që kanë votuar gjykatën speciale që do të gjykojë ekskluzivisht UÇK-në dhe shqiptaret dhe për ta shfajësuar  veten dhe pa nevojë kanë gjuajtur fjalë në adresë të kolegëve të tyre, më saktë në adresë të VV-së, ka qene e ndërsjellë partia në pushtet me VV-në. Madje, më është dukur nivel i ulët i tyre.  Nëse dikush nuk e ka merituar të flasë për këtë kanë qenë ata deputetë të PDK-së që gjykatën specialë e kanë votuar me dy duar, madje kanë ngritur edhe këmbët për të votuar sipas urdhrave të Hashim Thaçit”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj ka thënë për gazetën Bota Sot se Kuvendi po shfrytëzohet për të treguar patriotizëm.

”Disa nga deputetët, Kuvendin po e shfrytëzojnë si arenë për të treguar se kush është më patriot se tjetri, kur është fjala për UÇK-në. Ata që kanë përfituar në emër të luftës, tash po përpiqen të shiten si mbrojtës të atyre vlerave. Luftën e UÇK-së më së shumti e kanë dëmtuar të tillët. Andaj, përplasjet e tashme për vlerat e luftës janë edhe përpjekje për qërim hesapesh të vjetra, por edhe tendenca për t’u shfaqur para qytetarëve si patriotë të vërtetë”, ka thënë Mushkolaj për Bota Sot.

Ndërsa, analisti Islam Krasniqi thotë se përmes Kuvendit, deputetët po shprehin haptas inatet personale, me akuza ndaj njëri tjetrit.

“Injoranca e klasës politike na ka sjellë në këtë gjendje, ku s’ka punësim, s’ka përmirësim të mirëqenies sociale, s’ka liberalizim, integrim në BE, s’ka luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, vetëm e vetëm nga inatet personale. Deputetet e kuvendit të Kosovës përmes seancave parlamentare po i shprehin haptas inatet e tyre personale, duke e akuzuar njëri tjetrin, siç ishte rasti për vlerat e luftës së UÇK-së, ku pati edhe përplasje në mes tyre, sa që edhe harruan pse ishin mbledhur”, ka thënë Krasniqi për gazetën Bota Sot.

Sipas tij, për shkak të këtyre inateve politike Kosova ka mbetur në errësirë, edhe 17 vjet pas lufte.

“Inatet mes tyre nganjëherë po shkojnë aq larg sa që do të kishte hapësirë edhe për fushëveprimeve të prokurorëve që të merren me akuzat që i ndërlidhin mes vete, duke u munduar që të zbulojnë të kaluarën sekrete që ne së dimë. Kjo klasë politike, këta liderë për shkak të inateve personale, e kanë lënë popullin në errësirë tash e 17 vite, me të cilin inat po duan të përvetësojnë gjithçka,  për shkak të egos së tyre të pashuar”, është shprehur Krasniqi.

Se Kuvendi po përdoret për të shprehur inatet personale disa prej deputetëve, mendon edhe analisti Nexhmedin Spahiu.

“Nuk mund të evitohet kjo gjë. Problemi është se kush janë deputetët në Kuvend. Zënkat mes deputetëve janë të njohura në botën parlamentare, andaj nuk mund të evitohen. Problemi është cilësia e deputetëve që janë zgjedhur nga populli, sepse besoj që nuk është një lloj cilësie na bën shembull për të mirë”, ka thënë Spahiu për gazetën Bota Sot.

E, duke qenë se përplasjet nga deputetët në Kuvend janë mjaft të shpeshta, varësisht nga tema që diskutohet, ato do të vazhdojnë deri sa ata të kenë mandatin e deputetit./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat