Paralajmërimi, Thaçi, Veseli, Limaj, Çeku e Haliti, të akuzuar nga Gjykata Speciale?

Aktuale

Paralajmërimi, Thaçi, Veseli, Limaj, Çeku e Haliti, të akuzuar nga Gjykata Speciale?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 nëntor 2016 Në ora: 08:54
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Agim Çeku, Xhavit Haliti

“Unë besoj që figurat politike do të jenë në Gjykatë Speciale, nuk dihet nëse do të jetë Thaçi, Veseli apo të tjerët mirëpo ata nuk gëzojnë imunitet. Nuk gëzon imunitet asnjë qytetarë i Kosovës, nëse ata kanë bërë krime do të përgjigjen për atë çfarë kanë bërë” shprehet Ismaili.

Ligji prej 50 faqesh mbi Dhomat Speciale dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar, i cili u negociua midis BE-së dhe Kosovës, dhe i cili më në fund u miratua nga Parlamenti i Kosovës, pas muajsh të tërë debatesh, protestash në rrugë, spekulime nëpër media dhe vonesa të shkaktuara nga opozita politike, ende nuk ka filluar punën e saj, mirëpo  kjo çështje ende është debat.

Edhe pse ende nuk dihet kur Gjykata Speciale kur do të fillojë me aktakuzat e para, disa nga emrat e mundshëm që do të jenë cak i kësaj gjykate përmenden.

Gazetari, Milaim Zeka, kishte përmendur edhe më herët emrat e disa personave që do të hetohen nga kjo gjykatë dhe i përsërit ato emra duke thënë se emrat që i përmend ai janë sipas  listës së prokurorit amerikan.

Presidenti, Hashim Thaçi, krye parlamentari, Kadri Veseli, kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, Agim Çeku, Xhavit Haliti etj, janë disa nga emrat që i përmend Krasniqi, e që do të jenë të hetuar nga Gjykata Speciale.

Kjo deklaratë e Zekës, sipas opinionit mund të jetë një sinjal për përgatitjet e Gjykatës Speciale,  ndërsa sipas deputetëve të Kosovës, ai vetëm është duke bërë spekulime me emra pasi që sipas tyre nuk dihet kush do të akuzohen nga Gjykata Speciale.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, thotë se askush nuk e di kush do të akuzohet nga Gjykata Speciale dhe sipas tij kjo gjykatë do të funksionalizohet për qëllime politike.

“Askush nuk e di nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Agim Çeku, Xhavit Haliti apo edhe të tjerë do të jenë të akuzuar nga Gjykata Speciale, por kjo gjykatë do të funksionalizohet për qëllime politike” u shpreh Hasani.

Edhe opozita deklaratën për të akuzuarit e mundshëm e sheh si spekulim.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se nëse Gjykata Speciale do të formohej ajo do ta ketë zëdhënësin e saj dhe paraprakisht askush nuk mund ta luajë  rolin e zëdhënësit për ta ditur se kush do të akuzohet.

“Nuk po duket gjë e mirë për spekulime me emra nëse do të jenë Thaçi, Veseli, Çeku apo të tjerët. Gjykata Speciale nëse do të formohej do ta ketë edhe zëdhënësin e saj. Unë dhe askush tjetër nuk mund ta luaj atë rol” deklaron Selimi.

Sipas Selmit, më rëndë është klima e krijuar kundër UÇK-së sesa emrat e përmendur.

“Klima e krijuar kundër UÇK-së është shumë më e rëndë sesa emrat e përmendur nga gazetarët” thotë Selimi.

Ndërsa, deputeti i Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, thotë se Milaim Zeka shpesh flet pa bazë, mirëpo në këtë rast nuk dihet pasi që dyshon për kë punon.

Sipas Berishës, çdo akuzë që ngrihet mbi raportin e Dick Martit, është i papranuar pasi që ai bëhet nga dosjet e Serbisë.

“Milaimi shpesh ja fut kot, po në gjithë këtë gjymysh nuk dyshoj që di edhe naj sen sepse nuk e di për kë punon. Sido që të jetë çdo aktakuzë që ngritet mbi raportin e Dick Martit është i papranuar mbasi dihet që ai raport ekskluzivisht bëhet nga dosjet e Serbisë” shprehet Berisha.

Ai shton se Milaimi me këtë deklaratë, dëshiron ta përgatis opinionin për akuzat e mundshme të Gjykatës Speciale.

“E vërtetë është se pallavrat e Milës janë në kuadër të parapërgatitjes së opinionit për akuzat e mundshme të Gjykatës Speciale. Tendenca për me barazu luftën çlirimtare të UÇK-së me luftën okupuese serbe është e papranuar dhe do të mbetet kështu për mua gjithnjë” pohon Berisha.

Deklaratën e Milaim Zeka, e quan mosbesuese juristi, Osman Ismaili.

''Sa e kam përcjell unë opinionin e atij pas çlirimit e këndej ai është njeri labil, unë nuk i besoj. Unë nuk i besoj thënieve të tija pasi që ai han, rrin, pin me ta dhe Kosova nuk e din çfarë figure është ai, nuk i besoj” thotë Ismaili.

Mirëpo Ismaili, edhe pse nuk i beson deklaratat e Zekës, ai përsëri mendon se figurat politike do të jenë cak i Gjykatës Speciale.

“Unë besoj që figurat politike do të jenë në Gjykatë Speciale, nuk dihet nëse do të jetë Thaçi, Veseli apo të tjerët mirëpo ata nuk gëzojnë imunitet. Nuk gëzon imunitet asnjë qytetarë i Kosovës, nëse ata kanë bërë krime do të përgjigjen për atë çfarë kanë bërë” shprehet Ismaili.

Ai deklaratën e Zekës, e sheh si paralajmëruese por gjithashtu sipas tij edhe rasti i Drenicës, rasti i Limaj është paralajmërim i Gjykatës Speciale.

“Krejt këto rasti Drenica, rasti Limaj,  krejt këto janë parapërgatitje, kjo deklarata e Zekës është e fundit që parapërgatit opinionin për Gjykatën Speciale” pohon Ismaili.

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se emrat që i përmend Zeka janë spekulime pasi që nuk dihet kush do të akuzohet apo kush do të jetë dëshmitar në Gjykatë Speciale.

Burjani, thotë se raporti në mënyrë recidive e përmend Thaçin, mirëpo sipas tij ai nuk do të jetë i akuzuar.

“Jo nuk do të akuzohen emrat që përmend Zeka, raporti në mënyrë recidive e përmend Thaçin por as ky nuk do të jetë i akuzuar nga ky tribunal, ai  do të ftohet në cilësinë e dëshmitarit, për deri sa Kadriu nuk figuron fare se mund të ketë përgjegjësi për gjërat që kanë ndodhë” shprehet Burjani.

Sipas tij, gjitha këto janë mendime dhe detyra është e prokurorisë dhe e gjykatës për emrat, nuk ka nevojë për spekulime. Raporti i Dick Martit nuk do të thotë se është aktakuzë pasi që e gjitha varet nga provat dhe materialet e mbledhura.

“ Këto janë mendime të sepse kuptohet kjo është detyrë e kësaj gjykate dhe prokurorisë , pra nuk duhet të përmenden emra sepse nuk dihet fare, pra mbetet në nivel të spekulimeve, s’ka sinjale fare nga kjo gjykatë se kush mund të akuzohet e as kush do të jetë dëshmitar, kjo çështje është procedurale dhe vendos tribunali. Përmendja e raportit të Dick Martit nuk do të thotë menjëherë edhe aktakuzë kjo varet nga provat e mbledhura formale dhe materiale, pra është procedurale dhe nuk dihet” thekson Burjani.

Në anën tjetër, “Bota sot” ka provuar të kontaktojë me personat që i përmend Zeka për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me këtë deklaratë të atij, mirëpo ata nuk janë përgjigjur./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat