Qeveria kërkon hetime të pavarura për vdekjen e Astrit Deharit

Aktuale

Qeveria kërkon hetime të pavarura për vdekjen e Astrit Deharit

Më: 7 nëntor 2016 Në ora: 13:38
Foto nga mbledhja

Ekspertiza ku do të qartësohet vdekja e dyshimtë e Astrit Deharit do të bëhet sot. Kështu tha ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Ajo ka treguar se në ekspertizë do të marrin pjesë ekspertët që ka propozuar familja e të ndjerit dhe ekspertë nga EULEX-i.

“Në momentin e marrjes së lajmit, menjëherë i kemi aktivizuar të gjithë mekanizmat dhe institucionet relevante, për t’u marrë me rastin. Zyrtarët e shërbimit korrektues kanë njoftuar ekipet e policisë, ekipet e mjekësisë ligjore dhe Prokurorisë. Po ashtu, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes për hetimin dhe sqarimin e rastit. Me vendim të Prokurorisë, por gjithashtu dhe me mbështetjen time të plotë, është lejuar përfshirja e një eksperti vëzhgues të propozuar nga familjarët, gjithmonë në cilësinë e vëzhguesit, gjatë procesit të autopsisë. Sipas informatave të fundit që kam, familjarët tani më kanë identifikuar ekspertët dhe autopsia pritet që të filloj sot në ora 14:00. Gjithashtu, për hir të transparencës së procesit, aty do të jenë dhe pjesëtarë të EULEX-it, që janë përgjegjës për komponenten e institutit të mjekësisë ligjore. Pra, do të jetë një proces plotësisht transparent”, tha ajo.

Hoxha po ashtu tha se me qëllim të rishikimit dhe sqarimit sa më transparent të rastit, kanë angazhuar edhe Inspektoratin e Shërbimit Korrektues, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe posa të dalin me të gjeturat e tyre, këtë raport do ta bëjmë publik dhe në pajtim me të gjeturat e dala, do të ndërmerren hapat dhe veprimet tjera.

Ngushëllime familjes Dehari i ka shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Ai ka kërkuar hetime të pavarura për t’i ndriçuar rrethanat e vdekjes së 26 vjeçarit të shtunën në burgun e Prizrenit.

“Shpreh dhimbjen dhe hidhërimin tonë për vdekjen e të riut në burgun e Prizrenit, Astrit  Deharit. Unë shpreh ngushëllimet e mia dhe të Qeverisë, familjes dhe po ashtu të kërkoj që institucionet e Republikës së Kosovës, të bëjnë të gjitha veprimet e pavarura, në mënyrë që të konstatohen rrethanat në të cilat ajo ka ndodh. Edhe që në të gjitha këto të kemi të kyçur edhe ekspert vendor dhe ekspert ndërkombëtar,  të cilët i kemi këtu, në mënyrë që konstatimet dhe të gjeturat të jenë krejtësisht të pavarura. Të jenë transparente për publikun”, tha ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur, ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 270 mijë euro, për Ministrinë e Punëve të Jashtme, për shlyerjen e obligimeve ndaj kompanisë  “Patent Box” e cila ka kryer shërbime sipas kontratës së nënshkruar 28 shkurt 2014. Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj tha se kompania në fjalë i ka ndihmuar Qeverisë së  Kosovës në forcimin e raporteve me SHBA-në dhe ka ndihmuar në anëtarësimet e shumta në organizatat të ndryshme ndërkombëtare.

“Kompania amerikane e lobingut “Paten Box”, ku ndër njerëzit kryesor të saj janë edhe ambasadori, Frank Vizner, ka ndihmuar Qeverinë e Kosovës, sa i takon forcimit të raporteve bilaterale në mes të Kosovës dhe SHBA-ve dhe sa  i takon të ardhmes tonë atlantike, raportit tonë me NATO-n. Rezultatet konkrete të saj është Samiti i Varshaves, këtë vit ku për herë të parë NATO në konkluzat e saj, sjellë vendim që NATO dhe Kosova të kenë raporte të avancuara të ardhmen, besojë që prej dhjetorit të këtij viti, do të kemi dhe rezultate konkrete. Së dyti ka ndihmuar Republikën e Kosovës në anëtarësimet e shumta në organizatat të ndryshme ndërkombëtare, duke ofruar dokumente dhe analiza, dhe së treti ka ndihmuar në zgjerimin forcimin dhe ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në një gjeografi më globale”, tha ai.

Këtu është fjala për shlyerje të pagesave nga viti i kaluar në mes të muajit korrik 2015, deri në dhjetor të vitit 2015.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat