Schwendiman paralajmëron të dyshuarit, akuzat e para të Speciales në janar

Aktuale

Schwendiman paralajmëron të dyshuarit, akuzat e para të Speciales në janar

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 9 nëntor 2016 Në ora: 10:23
Kryeprokurori I Gjykatës Speciale David Schwendiman

Kryeprokurori i Gjykatës Speciale David Schwendiman, i cili ka qëndruar dy ditë më parë në Prishtinë, paralajmëroi se aktakuzat për krime lufte do të ngrihen sa më parë që të jetë e mundur dhe se Gjykata Speciale nuk do të ndjekë UÇK-në, por individët. 

Por sipas disa burimeve të gazetës “Bota sot”, akuzat e para të Gjykatës Speciale do të ngritën në gjysmën e parë të vitit 2017, gjegjësisht në muajin Janar.

Pas takimeve të ndara me kryeprokurorin e shtetit Aleksandër Lumezi dhe me ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Schwendiman theksoi se procesi do të jetë objektiv dhe se nuk do të ketë drejtësi selektive.

Prokurori special tha se të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe do të gjykohet përgjegjësia individuale e jo përgjegjësia e ndonjë grupi apo përgjegjësia e ndonjë organizate.

Analistët politikë konsiderojnë se përmes vizitës së kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, u konfirmua se së shpejti do të nis punën ky insititucion dhe  se në janar do të ngriten aktakuzat e para.

Analisti politik, profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se vizita e Schwendiman ishte zyrtarizim se shumë shpejt priten veprimet, konkretisht shpallja e aktakuzave të para ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Por, ai shprehet i bindur se UÇK në fund do të dalë fitimtare.

“Jam i mendimit se UÇK-ja do të dal fituese. Nuk ka rëndësi kush kapet kundruall faktit se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe çlirimtare. Në këtë nuk kam dilemë”, ka theksuar Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Sipas analistit të rrethanave politike Leon Duhanaj, vizita e Kryeprokurorit të Gjykatës Speciale në Kosovë, sigurisht që ka disa kuptime dhe simbolika.

Duke folur për gazetën “Bota sot’, ai thotë se përpos anës zyrtare, nga takimet me krerët institucional, e posaqërisht me institucionet e drejtësisë në vend, mund të ketë ende çështje të cilat duhet të qartësohen, në lidhje me funksionimin normal të Gjykatës.

“Sidomos duhet patur parasysh që prokurorët e kësaj gjykate, do të kenë mandat të plotë dhe të pakufizuar në Kosovë. Në këtë kontekst, do t'i koordinojnë hapat dhe veprimet, bashkë me institucionet e vendit, në mënyrë që mos të paraqiten dualizma përgjatë procesit”, thotë Duhanaj.

Në anën tjetër, kjo vizitë sipas tij, ka edhe karakter simbolik, si paralajmërim ndaj të dyshuarve të mundshëm të cilët pritet të arrestohen dhe të sillen para kësaj gjykate.

Simbolikë tjetër, siç shton Duhanaj, mund të jetë edhe momentumi i cili paralajmëron se çdo gjë tashmë është gati dhe se prokurori mund së shpejti të fillojë me akuzat zyrtare.

“Krejt kjo është një masë e cila nuk do t'i ndodhte Kosovës, në qoftë se do të kishim qenë më të përgjegjshëm si shoqëri. Nëse do t'i kishim trajtuar çështjet e drejtësisë dhe të tjerat me seriozitet dhe përgjegjësi shtetformuese. Këtë kemi dështuar ta bëjmë dhe si pasojë do të bëhemi subjekt i Gjykatës Speciale, e cila megjithatë nëse shkon siç duhet, është dashur njëherë e mirë t'i heq dilemat dhe akuzat drejtuar ndaj shqiptarëve si kolektivitet”, ka theksuar Duhanaj.

Ndërsa, publicisti Faik Krasniqi thotë se vizita e Prokurorit kryesor të Speciales, është vetëm një konfirmim i asaj që ka thënë sekretarja e Përgjithshme e Gjykatës Speciale Fidelma Donlon, një muaj më parë se ky institucion, që do t’i ndjekë krimet e supozuara të disa pjesëtarëve të UÇK-së, do të fillojë punën zyrtarisht në fillim të vitit të ardhshëm.

Krasniqi shprehet i bindur se ekziston mundësia që akuzat e para nga Gjykata Speciale të ngrihen ndaj zyrtarëve të lartë të ashtuquajturit ''peshqit e mëdhenj'' të skenës politike në vend.

Por, ai thotë se nuk beson që Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Xhavit Haliti, do të jenë në mesin e të akuzuarve nga kjo Gjykatë, pasi sipas tij, ''kurban'' të kësaj Gjykate do të jenë njerëz kryesisht të dorës së dytë dhe pa ndonjë peshë në skenën politike.

“Hashim Thaçi vite më parë në një intervistë për EuroNews,e pati pranuar se roli i tij në luftën çlirimtare nuk ka qenë në vijën e parë të frontit dhe se lufta e tij ka qenë politike. Kjo nënkupton që ai me këtë deklaratë e ka hequr barrën nga vetja e tij, për çdo akuzë eventuale që do të mund të ngarkohej nga Gjykata Speciale!”, ka theksuar Krasniqi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat