Persona me maska e të armatosur “avullojnë” kamionin në sy të policisë!

Aktuale

Persona me maska e të armatosur “avullojnë” kamionin në sy të policisë!

Më: 11 nëntor 2016 Në ora: 09:35
Foto nga vendi ngjarjes

Disa persona me maska dhe të armatosur, kanë arritur që mbrëmë pas mesnatës në hyrje të Zveçanit dhe ta marrin kamionin që ishte lokalizuar nga policia një ditë më parë duke bartur pije alkoolike të kontrabanduara, duke e dërguar në drejtim të panjohur, derisa kamioni po mbikëqyrej nga rreth 20 policë të veriut, bëjnë të ditur burimet.

Sipas këtyre burimeve, rreth 10 persona të maskuar menjëherë pas mesnatës, përkatësisht rreth orës 00:30, fillimisht kanë bllokuar rrugën Mitrovicë-Zveçan me automjetet e tyre civile tek vendi i quajtur ‘Kapija nr 2’, dhe kanë arritur ta marrin kamionin edhe pse po vëzhgohej nga policia 24 orë në ditë.

 “Gjithçka ka ndodhur si në filma. Fillimisht personat me maska e të armatosur, rreth oës 00:30, kanë bllokuar rrugën me automjete nga të dyja anët, dhe kanë marr kamionin që po mbkëqyrej nga policia, duke e dërguar në drejtim të panjohur. Ata pastaj kanë ikur shpejtë me automjetet e tyre në drejtim të Mitrovicës e dikush në drejtim të Zveçanit, ndërsa e tërë ngjarja është zhvilluar për pak minuta. Policët sikur janë zënë në befasi dhe as që ka pasur pëpjekje për t’i parandaluar personat, derisa vetëm kanë vëzhguar situatën”, kanë thënë burimet.

Burimet më tej kanë shtuar se dyshohet që njëri prej eprorëve të policisë nga rajoni i veriut i cili bartë gradën e kapitenit, ka bashkëpunuar me personat.

Ndryshe, media kishte raportuar dje se dhjetëra serbë kanë arritur që të enjten rreth orës 10:30 të zbrazin mallin kontrabandë nga një kamion, në prezencë të policëve.

Kamioni përplotë me pije alkoolike të kontrabanduara nga Serbia, pronë e Dragan Nedelkoviq nga Zveçani, i njohur me nofkën “katolik”, ishte lokalizuar nga policia në hyrje të Zveçanit, të cilët nuk kanë arritur për më shumë se 10 orë ta dërgojnë kamionin në terminalin doganor për zhdoganim të mallit.

“Katoliku me djemtë e tij, por i ndihmuar edhe nga shumë qytetarë në mesin e të cilëve ishin edhe vëllezërit Miljan e Miljojko Radosavljeviq, por edhe Millan Radojiçiq, e kanë zbrasur komplet mallin nga kamioni, derisa policët kanë qenë vetëm spektatorë”, kanë thënë burimet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat