Thaçi ende mbanë në duar timonin e PDK-së

Aktuale

Thaçi ende mbanë në duar timonin e PDK-së

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 15 nëntor 2016 Në ora: 13:57
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi nuk po mund t`i “shkëputet” assesi partisë të cilën e themeloi vetë, menjëherë pas çlirimit të vendit.

Ndonëse në rolin e Presidentit, Thaçi po duket se nuk mund ta harrojë PDK-në, ndërsa nga pjesëmarrjet nëpër tubime të militantëve, ai ngjanë në një “kryetar në hije”, i kësaj partie.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti Ali Hertica tha se kushdo që do të vjen pas Thaçit në krye të PDK-së, do t`i marrë instruksionet e tij, pasi Thaçi vendosë për çdo vendim që merret në PDK.

“Çdo partie tek ne në Kosovë prapa i rri ish lideri i cili ishte themeltar i atij subjekt, edhe Thaçi është i tillë, ku ta harrosh një subjekt që ja ka krijuar të gjithë atë karrierë e të largohet ashtu sikur mos të ishte në atë parti, është e pakuptimtë. Thaçi ishte dhe do të mbetet siç thuhet den baba den në atë parti dhe kushdo që vjen në krye të kësaj partie, do t`i marrë instruksionet nga themeluesi i saj Thaçi dhe se Thaçi është ai që vendosë për të gjitha vendimet që merren në emër të kësaj partie, ndërsa të tjerët i udhëheqin se janë kryetar. Është evident se çdo kryetar do të bëjë sikur që sot Thaçi  po akuzohet se ndihmon partinë dhe duhet”, ka deklaruar Hertica për gazetën “Bota sot”.

Për analistin Blerim Burjani, Thaçi është kryetar jo formal i PDK-së, apo figura qendrore e PDK-së dhe kjo sipas tij vërtetohet me rastin e shkuarjes në Drenas në prag të zgjedhjeve.

“Po ai është kryetar jo formal i PDK, apo figura qendrore e PDK-së. Kjo po shihet me rastin e shkuarjes në Drenas në prag të zgjedhjeve për kryetar komune, se pa të PDK-ja nuk ka vota. PDK nuk ka autoritet final, ka autoritet sekondar, që e luan këtë rol në vend të kryetarit funksional fuqiplotë. Pra, nuk ka autoritet tjetër ky subjekt, andaj Thaçi që do të jetë pjesë e fushatës edhe në të ardhmen në zgjedhjet lokale dhe qendrore, kjo është e qartë dhe e dijshme”, u shpreh ai.

Ndërkaq sipas analistit Islam Krasniqi, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, edhe pse me trup është larguar nga PDK-ja, ai ende në duart e tij e mbanë timonin e PDK-së, duke i ndihmuar ish-partisë së tij dhe Kadri Veselit, lidhur me zgjedhjet dhe ri-fuqizimin e PDK-së.

“Në vendin tonë nuk ka lider të sinqertë të cilët punët e tyre i kryejnë me përpikëri, duke i trajtuar partitë apo edhe qytetarët të barabartë pa dallim të bindjes politike, por anojnë kah ish partia e tyre, duke i përkrahur moralisht, fizikisht, ndoshta edhe financiarisht nga buxheti  i shtetit. Nuk është e çuditshme pse z.Thaçi e përkrahë partinë e vetë, duke i shkelur edhe ligjin, sepse ai është president i pazareve politike, por jo edhe përfaqësues i unitetit të popullit”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, “Bota sot” ka tentuar, por nuk ka arritur që të marrë përgjigje nga Presidenca, lidhur me atë se a po i jep Presidenti Thaçi përkrahje PDK-së, me rastin e zgjedhjeve te parakohshme ne Drenas./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat