PDK-ja në panik, për herë të fundit dëshiron votat e komandantëve para Gjykatës Speciale

Aktuale

PDK-ja në panik, për herë të fundit dëshiron votat e komandantëve para Gjykatës Speciale

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 16 nëntor 2016 Në ora: 09:04
PDK

“Të kapur nga paniku kërkojnë zgjedhje për të tërhequr vëmendjen pasi që as PDK-ja nuk është e gatshme për to e as AAK, pasi që kanë probleme të brendshme. Por duan ndoshta të shfrytëzojnë këtë boshllëk me qëllim thithjen e votave të komandantëve për herë të fundit e pastaj dërgimin e tyre për në tribunal”, ka nënvizuar Kushtrim Kadriu.

Funksionalizimi i Gjykatës Speciale dhe lajmi se akuzat e para të kësaj Gjykate do të nisin qysh në janar të vitit të ardhshëm, duket se ka vënë në panik anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët janë në target të hetimeve të kësaj Gjykate.

Deputeti i kësaj partie, Shukri Buja, gjatë një interviste televizive ka deklaruar se Gjykata Speciale  pritet t’i dëmtojë ata si subjekt politik, duke theksuar se njëri prej të akuzuarve si pjesë e UÇK-së mund të jetë edhe ai.

E formimin e Gjykatës Speciale, Buja e ka ndërlidhur edhe me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe prishjen e koalicionit me LDK-në, si njëri nga më të zëshmit në këtë drejtim.

“Në qoftë se dikush pret që Gjykata Speciale të ia zgjidh problemet elektorale atëherë pse ne duhet të presim që mos t’i bëjmë para Speciales. Nuk mund të shkojmë tutje pa zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Buja.

Në një prononcim për “Bota sot”, analisti Ajet Avdyli, ka thënë se të gjitha zhvillimet negative të cilat kanë ndodhur në dy-tre vitet e fundit ndërlidhen pikërisht me formimin e Gjykatës Speciale.

“Po më bënë përshtypje tema që po e trajtoni, e vërtet duhet të ketë një qasje goxha të veçant. Komandantët e bosët e krimit në Kosovën tonë, tani janë në panik dhe janë të trembur, duke i ditur krimet e të bëmat e tyre kundër këtij populli. E provuan t`a destabilizojnë Ballkanin kur tentuan t`a destabilizojnë Maqedoninë në Kumanovë, nuk ja arritën. Andaj e filluan me Kosovën, gazi lotsjellës, sulmet ndaj institucioneve, veprimet e opozitës, të gjitha këto janë veprime e përpjekje për t`a destabilizuar shtetin, me qëllimin e vetëm, mos ta lejojnë  që Gjykata Speciale të marrë shtat dhe të filloj së punuari”, ka thënë Avdyli.

Andaj, Avdyli ka potencuar se përpjekja e fundit e këtyre komandantëve janë zgjedhjet.

Është e vërtetë se komandantët janë të trembur nga Gjykata Speciale andaj përpjekja e tyre e fundit është kjo që të bëjnë përpjekje që përmes zgjedhjeve t`a destabilizojnë Kosovën, me ankimime pas me mos njohjen e zgjedhjeve e probleme të tjera. Besoj se kjo është përpjekja e fundit e tyre, me që përpjekjet tjera tani po dihen, gjithmonë kanë qenë në shërbim të një destabiliteti të shtetit”, është shprehur ai.

Kurse, për analistin Kushtrim Kadriu, është fakt që shumë personalitete në vend janë në panik për shkak të Gjykatës Speciale.

“Faktike është që janë në penikë shumë personalitete në vend. Është bërë si një loje shpërblyese gjykata Speciale, ku secili nga ata që e ka mizën nën kapele po frikësohet dhe po bëjnë veprime të pa menduara.”, ka deklaruar Kadriu.

Sipas Kadriut, kërkesa për zgjedhje bëhet për të tërhequr vëmendjen apo edhe për siç thotë ai “thithjen e votave të komandantëve për herë të fundit”

“Të kapur nga paniku kërkojnë zgjedhje për të tërhequr vëmendjen pasi që as PDK-ja nuk është e gatshme për to e as AAK, pasi që kanë probleme të brendshme. Por duan ndoshta të shfrytëzojnë këtë boshllëk me qëllim thithjen e votave të komandantëve për herë të fundit e pastaj dërgimin e tyre për në tribunal”, ka nënvizuar ai.

Ai ka shtuar se dërgimi i tyre për tribunal, do të shpalosë pakënaqësi me strukturën e PDK-së, ku kemi tani rastet e akuzimit të Thaçit nga gruaja e komandantit Sylejman Selimi.

“Kemi tani restet e para të përçarjes së PDK-së, me rastin e arrestimit të kryetarit të Drenasit, ku tani më nuk ka organizim por anarki në PDK-në e Drenasit, ku pakënaqësia ka shpërthyer dhe më nuk qon pesh as fjala e Kryetarit të kësaj partie”, ka përfunduar ai.

Nga ana tjetër, sipas analistit Sami Blakaj, Kosova ka vite që është në lupën e drejtësisë ndërkombëtare, por së fundi është përfshirë edhe nga një valë e re e „etheve speciale“, të sjellura pikërisht nga Gjykata Speciale.

“Nën valën e këtyre etheve janë edhe të gjithë komandantët e UÇK-së, të cilët në një formë apo tjetrën mund të jenë të akuzuarit potencial të kësaj gjykate. Kjo mbjellje e panikës tashmë po vërehet qartë jo vetëm brenda udhëheqjes së UÇK-së, por edhe brenda nivelit politik dhe veçmas brenda PDK-së.  Partia Demokratike e Kosovës, është parti politike e themeluar  dhe e udhëhequr nga lidershipi i UÇK-së, dhe si e tillë parashihet të lëndohet më së shumti nga ky proces, i cili rrezikon ta lë këtë parti edhe pa lidershipin e saj”, tha ai.

Blakaj, theksuar se kjo është e qartë edhe për vet PDK-në, duke shtuar kalkulimi dhe interesimi i saj po del të jetë dërgimi i vendit në zgjedhje të parakohshme, duke e parë këtë lëvizje si të vetmen mundësi politike për ta shpëtuar partinë nga rreziku i mundshëm i gjykatës speciale dhe rrjedhimisht nga humbja elektorale.

Ndryshe, ditëve të fundit deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës po kërkojnë prishjen e koalicionit me LDK-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat