Dështon sërish iniciativa e VV-së për seancë të jashtëzakonshme për Deharin

Aktuale

Dështon sërish iniciativa e VV-së për seancë të jashtëzakonshme për Deharin

Më: 17 nëntor 2016 Në ora: 12:21
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca

Ka dështuar për herë të tretë kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje për mbajtjen e një seancë të jashtë zakonshme për rastin e të ndjerit Astrit Dehari.

Për sot ishte thirrur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit por ajo nuk është mbajtur fare, pasi propozuesi i kësaj mbledhje  Lëvizja Vetëvendosje, nuk mori pjesë.  

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se mbledhja e Kryesisë është caktuar me qëllim sot pasi sipas tij , kryetari Kadri Veseli ka qenë në dijeni që nuk i kanë nënshkrimet për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme. Por kjo është hedhur poshtë nga kryetari  Veseli dhe shefi ideputetëve të LDK-së Ismet Beqiri.

Veseli tha se kjo tragjedi nuk duhet të politizohet.

Veseli: E vërteta do të dal në shesh

Propozuesi i seancës së jashtëzakonshme parlamentare nuk mori pjesë në mbledhjen e Kryesisë të cilën e patëm . Në rrethana të tilla nuk mundëm të diskutonim rreth çështjes të cilën vetë e kanë ngrit. Politika nganjëherë është teatër por nuk është  mirë në momente kur ka tragjedi të rënda edhe me shndërruar krejt në teatër për përfitime  me një tragjedi, të cilës institucionet e Republikës së Kosovës kanë me i shkuar deri në fund. E vërteta do të dal në shesh. Dhembja do të mbetet pasi një i ri e ka humbur jetën”, tha Veseli.

Por Glauk Konjufca , shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes përsëriti se nuk po arrijnë të mbledhin nënshkrimet pasi që ndaj deputetëve po bëhet presion nga partitë në pushtet.  

Konjufca: Deputetët kishin trysni 

“Dy herë na ka dështuar mbajtja e seancës së jashtëzakonshme. Për shkak se në momentin e fundit dy herë deputetë të caktuar për shkak të trysnisë i kanë tërhequr nënshkrimet e tyre. Dje ta zëmë kanë bërë trysni ndaj Danush Ademit dhe mbi Veton Berishën nga Prizreni që t’i tërheqin nënshkrimet e tyre dhe të dytë i kanë tërhequr nënshkrimet e tyre. Tash aktualisht ne ndodhemi me 38 nënshkrime nga deputetët e Republikës së Kosovë për seancë te jashtëzakonshme. Në momentin pikërisht kur e ka arritur këtë gjë Kadri Veseli ka thirre mbledhje të Kryesisë për seancë të jashtëzakonshme. Kur ne i kishim nënshkrimet ai nuk thërriste mbledhjeje të Kryesisë”, tha Konjufca.

Iniciativën e VV-së për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme e përkrah edhe AAK-ja. Pal Lekaj, shef i deputetëve të kësaj partie tha se Kuvendi  do të duhej të mbante seancën e jashtëzakonshëm për Astrit Deharin.

Lekaj: Sot do të duhej të diskutohet për Astrit Deharin

“Sot në ditën ndërkombëtare të studentëve po hezitojmë të diskutojmë për fatin e tyre. Kjo ehte hera e tretë që ne ftohemi për të caktuar një seancë të  jashtëzakonshme e nuk arrijmë ta kemi atë. Sot do të duhej të vendosej që kjo seancë të mbahet. Kuvendi  i Kosovës nuk po arrin të caktojë  një seancë për të diskutuar lidhur me vdekjen e dyshimtë të një studenti. Ne nuk po arrijmë t’iu krijojmë  kushtet për studime e as për punësim pas studimeve”, tha Lekaj.

Ndërsa,  Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së , ka thënë se LDK nuk i ka bërë trysni asnjë deputeti. Madje ai ka thënë që mund të pyeten edhe deputetët, të cilët e kanë nënshkruar.

Beqiri: Pyetni deputetët se a patën trysni

“Dua t’iu themi se nuk është e vërtetë as në natyrën e LDK-së, as në formën e punë së saj që t’i bëjë dikujt presion. Ne dëshirojmë si grup parlamentar i LDK-së të presim rezultatet . E pastaj askush nuk do të na pengojë që të diskutojmë edhe në seancë për rastin. Unë iu lus i keni dy deputetë, po flas me përgjegjësi edhe si kryetar i grupit dhe në emër të Arben Gashit dhe Shpejtim Bulliqit po i përmendi të dytë ju mund t’i pyesni të dytë kur të dalin se cila është e vërteta”, tha Beqiri.

Astrit Dehari, është gjetur i vdekur në burgun e Prizrenit. Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes së tij. Ai po mbahej në burg me dyshimet për terrorizëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat