Vendoset për seancën e re, kjo është data

Aktuale

Vendoset për seancën e re, kjo është data

Më: 17 nëntor 2016 Në ora: 18:21
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës

(E plotësuar) - Kryesia e Kuvendit në mbledhjen urgjente të mbajtur sonte, pa përfaqësuesit e Vetëvendosjes, ka vendosur që seanca e radhës të mbahet më 30 nëntor, në ora 10:00, ku do të diskutohet për projektligjin e Obiliqit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 30 nëntor, për shkak se disa deputetë gjinden jashtë vendit.

Veseli: Seancë e rregullt më 30 nëntor

“Takimi ka qenë një mbledhje e rregullt e Kryesisë së Kuvendit, në fakt ka qenë më tepër çështje teknike për përcaktimin e një seancë parlamentare, e cila do të jetë më datën 30 nëntor. E kemi lënë për këtë datë për vet faktin se një pjesë e madhe e Kryesisë të Kuvendit, por po ashtu edhe të deputetëve, do të mungojnë dhe për të mos humbur një sesion parlamentar, atëherë e kemi vendosur sonte në orët e vonshme ta mbajmë këtë mbledhje”, tha Veseli.

Ai ndër të tjera ka shtuar se Naim Bazaj nga Drenasi fuqimisht është në PDK dhe do të jetë përkrah kandidatit të PDK-së për kryetar komune.

Veseli: Naim Bazaj fuqimisht është në PDK

“Për Drenas ka ndodhur vetëm mirë, Partia Demokratike e Kosovës është duke u fuqizuar. Naim Bazaj fuqimisht është në PDK dhe do të jetë përkrah kandidatit të PDK-së për kryetar komune. Pra, do të kemi një fitore të fuqishme të PDK-së në Drenas. Drenica do ta tregojë fare qartë se sa e fuqishme është PDK ende në Kosovë. Naim Bazaj ka qenë i bindur për arsye se asnjë herë nuk është lëkundur nga pozicioni i tij nga Partia Demokratike e Kosovës. Ai ka qenë në parti me një qëndrim dinjitoz shumë burrëror. Ka pasur gëzim në gjithë Drenicën”, tha Veseli.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj pas mbledhjes së kryesisë tha se mbajtja e seancës së radhës është një lajm i mire për banorët e Obiliqit, sepse do të diskutohet për projektligjin e Obiliqit.

Lekaj: Projektligji për Obiliqin në seancën e radhës

“Ajo që patëm mirëkuptim është Ligji për Obiliqin me propozim që të jetë në rend të ditës dhe është një e mirë për ata qytetarë, ngase e kanë kërkuar gati që pesë vjet. Prandaj, do të merr fund ajo e mira që e ka kërkuar kryetari i Komunës së Obiliqit, por edhe qytetarët, sepse kanë pësuar nga KEK-u më së tepërmi, duke i dhënë energji tërë Kosovës dhe asnjë përfitim se kanë pasur. Tani tantiema do të jetë diku 20 përqind”, theksoi Lekaj. 

***

 Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka mbajtur sonte mbledhjen e radhës, në të cilën ka vendosur që Kuvendi, më 30 nëntor, në orën 10:00, të mblidhet në seancë të rregullt plenare, si dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Pas pikave të rregullta, kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në seancën e 30 nëntorit Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë shtatë projektligje: Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, Projektligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike, Projektligjin për Inspektoratin Shëndetësor,

Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, si dhe Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë. Nëse kalon procedurat e parapara parlamentare, ndërkaq, në këtë seancë do të shqyrtohet edhe Projektligji për Obiliqin.

Kuvendi do të vazhdojë punën me shqyrtimin e dytë të dy projektligjeve: Projektligjit për performancën energjetike në ndërtesa dhe Projektligjit për akreditim. Më pas, deputetët do ta shqyrtojnë raportin vjetor të Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe raportin vjetor financiar të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2015.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017, si dhe dy propozim-vendime: propozim-vendimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, të kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit, të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT sh.a., si dhe për caktimin e kompensimeve për kryetarin, nënkryetarët dhe anëtarët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore. Në fund, pritet shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit ad-hoc për zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi nismën legjislative të Projektligjit për plotësimin e Ligjit nr. 04/L-033 për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e hartuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, si dhe nismën legjislative të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-158, hartuar nga deputeti Shaip Muja, i mbështetur edhe nga 5 deputetë të tjerë, të cilat iu dërguan qeverisë për mendim.

U miratua, gjithashtu, edhe rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2017-2019 në bazë të Qarkores së dytë buxhetore të Ministrisë së Financave 2017/02.

Në këtë mbledhje, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

***

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, ka vendosur që seancën e re parlamentare, ta zhvillojë me 30-të nëntor.

Kjo seancë parashihet t’i ketë 14 pika të rendit të ditës,

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e Kryesisë.

Ata të enjten u larguan nga seanca parlamentare, pasi që disa deputetë të pozitës, i tërhoqën nënshkrimet e kërkuara nga Vetëvendosje, për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ku pritej të diskutohej për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Nis mbledhja e Kuvendit, Vetëvendosje nuk merr pjesë

Kryesia e Kuvendit e ka nisur mbledhjet ku do të flitet për seancën që pritet të mbahet në ditët në vazhdim, ku parashihen 17 pika në rend të ditës.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk po marrin pjesë në mbledhjen e Kryesisë,

Ata të enjten u larguan nga seanca parlamentare, pasi që disa deputetë të pozitës, i tërhoqën nënshkrimet e kërkuara nga Vetëvendosje, për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ku pritej të diskutohej për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

Sonte mblidhet Kryesia e Kuvendit 

Sonte me fillim nga ora 20:30 do të mblidhet Kryesia e Kuvendit të Kosovës. Lajmin për media e ka konfirmuar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj.

Ndësrsa, anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti ka thënë se ende nuk kanë vendosur.

“Ende nuk kemi vendosur, të shohim”, u shpreh ajo. Kjo mbledhje është vendosur pak më parë që të mbahet në këto orë të vona dhe si pika të rendit të ditës janë 19 ndërkaq 17 tjera janë nga shqyrtimi i propozimeve dhe kërkesave.

Më poshtë disa nga pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhje:

-Koha për deklarime jashtë rendit të ditës

-Koha për pyetje parlamentare

-Miratimi i procesverbalit nga seancat e mëparshme

-Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për kontrollin e brendshëm të financave publike

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Inspektoratin Shëndetësor

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshmin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë (për miratimin e këtij Projektligji kërkohen të paktën 61 vota “për” prej tyre 11 vota “për” të komuniteteve që nuk janë shumicë)

-Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat