Dëshmitari tregon si ndodhi aksidenti me fatalitet

Aktuale

Dëshmitari tregon si ndodhi aksidenti me fatalitet

Më: 21 nëntor 2016 Në ora: 21:38
Deshmitari flet në gjykatë

Ardit Kryeziu e Erlind Krasniqi kanë qenë në veturë me të akuzuarin Dikton Zariqi në momentin e aksidentit, nga i cili mbeti i vdekur i riu Milot Bajrami. Ata rrëfyen për gjithë atë që ndodhi më 1 nëntor 2015.

Dy bashkudhëtarët e Dikton Zariqit, i cili akuzohet për ngasje në gjendje të dehur dhe mosdhënie të ndihmës, treguan hollësi për aksidentin në të cilin në nëntor të vitit të kaluar humbi jetën i riu Milot Bajrami.

Ardit Kryeziu tha se në momentin e aksidentit ishte i ulur prapa të akuzuarit Zariqi dhe tregoi se bashkë me të kishin qenë në një bar në Prishtinë, ku kishin qëndruar deri pak  pas mesnatës.

Më tej dëshmitari tregoi për momentet kritike të aksidentit, që sipas tij erdhi pas një frenimi të vrullshëm të një veture.

“Diktoni për mos me goditë atë veturë është munduar me shmangë dhe e kanë anuar veturën nga ana e majtë. Vetura ka filluar të shkojë nga trotuari, pastaj kemi hipur në trotuar, e kemi goditur banderin dhe pastaj vetura ka qenë si në ajër dhe pastaj vetura në anën tjetër na ka goditë dhe kemi përjetuar shok dhe e di se kur jam zgjuar ka pasë shumë njerëz”, tha Kryeziu.

Dëshmitari tregoi se më pas  ai kishte dalë jashtë veturës dhe se kishin ardhur shumë njerëz për t’u ndihmuar edhe atyre por edhe veturës tjetër.

Ardit Kryeziu më pas u pyet nga Asdren Hoxha, avokat i familjes së dëmtuar, se pse nuk i kishin dhënë ndihmë edhe makinës me të cilën ishin aksidentuar.

“Unë kam shkuar deri tek vetura e të ndjerit, kam dashur me i ndihmu por ka pasë njerëz që kanë tentuar para meje me i ndihmu. Kur ka ndodhë aksidenti ne fillimisht e kemi nxjerrë  shokun dhe pastaj kemi parë se çfarë ka ndodhur andej”, tha Kryeziu.

Më pas ka dëshmuar edhe Erlind Krasniqi, i cili po ashtu ishte në të njëjtën veturë me të akuzuarin.

Sherife Bajrami, nëna e të ndjerit Milot Bajrami, e pyeti dëshmitarin se a është duke kryer veprën penale deklarim i rremë.

“Ju në mes të tjerash thatë se keni vozitur 60-70 km në orë, e raporti i Policisë është shumë ma shumë. A mendoni se jeni duke kryer veprën penale – deklarimi i rrejshëm?”, pyeti Sherife Bajrami.

Dëshmitari u përgjigj se nuk e kishte parë treguesin e shpejtësisë porse kishte deklaruar përafërsisht dhe se nuk është i sigurt se kanë qenë 60 km në orë.

“E ceka edhe më parë se unë nuk e kam parë treguesin që e tregon shpejtësinë pasi unë kam qenë mbrapa e as nuk e thash që sigurt kemi qenë 60 km në orë”, tha ai.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Dikton Zariqi më 1 nëntor 2015 në Prishtinë ka drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, në atë mënyrë që duke lëvizur ka rrezikuar trafikun publik dhe ka venë në rrezik jetën dhe trupin e njerëzve, gjë që ka rezultuar me vdekjen e një personi – Milot Bajramit./kallxo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat