Terrorizmi dërgon në Shqipëri kryeprokurorin e Kosovës

Aktuale

Terrorizmi dërgon në Shqipëri kryeprokurorin e Kosovës

Më: 24 nëntor 2016 Në ora: 11:00
Foto ilustrim

Jo vetëm tentativa për të kryer sulme terroriste pak ditë më parë në Shkodër nga një grup ekstremistësh, por edhe një dosje droge, ka qenë shkaku që ka dërguar në Shqipëri kreun e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

I shoqëruar nga tre prokurorë, Reshat Millaku mësohet se ka diskutuar me krerë të Krimeve të Rënda në lidhje me hetimin e përbashkët që në qendër ka konkretisht grupin e terrorit që u ndalua në tri shtete, ndërkohë që dy prej të arrestuarve të tyre kanë nisur të bashkëpunojnë me drejtësinë.

Në fakt, në grupin e të arrestuarve të Policisë dhe të Prokurorisë së Kosovës u tha se ishte edhe një imam nga Skenderajt i cili gjatë hetimeve ka dalë i implikuar në veprimtarinë e grupit që u godit në prag të meshës së Lumturimit të Martirëve në Shkodër dhe në prag të ndeshjes së shumëpërfolur me Izraelin. Ai pasi u arrestua dhe u mbajt në qeli për disa ditë rezultoi të ishte i lirë.

Image
I shoqëruar nga tre prokurorë, Reshat Millaku

Policia e Kosovës bëri me dije se imami i arrestuar ishte L.K, një person i mbajtur prej shumë kohësh në përgjim dhe vëzhgim. Në fakt ende nuk dihet se përse është lënë i lirë imami, ndërkohë që prokuroria shqiptare ka në pranga për lidhje me këtë grup që dyshohet se do kryenin sulme në Shkodër 5 persona, katër të arrestuar në Shkodër dhe një në Pogradec!

Referuar të dhënave që vijnë nga Prokuroria e Përgjithshme mësohet se dy dosje që janë ende nën hetim kanë sjellë në Shqipëri kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës Reshat Millaku. Shefi i njësisë speciale ka marrë takim me prokurorë të Krimeve të Rënda për të shkëmbyer të dhëna konkrete edhe për aksionin antiterrorizëm që dërgoi në burg 16 persona në Kosovë dhe katër në Shqipëri.

Se çfarë është diskutuar për këtë dosje mes të dyja palëve nuk jepet informacion, për shkak se hetimet konsiderohen tepër sekrete, aq më tepër që dy nga të arrestuarit në Kosovë kanë pranuar të rrëfehen duke hedhur dritë mbi planin e një celule të ISIS që kishte planifikuar të kryente akt terrorist në stadiumin “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael.

Madje u tha se gjatë ndeshjes në Shkodër do të përdorej edhe dron për të kryer aktin, po ashtu siç edhe do të kryhej imitim sulmi me atë të ndodhur në Francë, fillimisht me bomba dhe më pas me kallashnikov.

Në fakt në Shkodër, në momentin që u arrestuan 4 shtetasit tanë, u tha se u ndaluan 5 shtetas nga Kosova, ndonëse për këta të arrestuar dhe të nisur në drejtim të Kosovës asnjëherë nuk foli asnjë prokurori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat