KMDLNj për vrasësit e Enver Hadrit: Drejtësi e vonuar por megjithatë është drejtësi

Aktuale

KMDLNj për vrasësit e Enver Hadrit: Drejtësi e vonuar por megjithatë është drejtësi

Më: 24 nëntor 2016 Në ora: 12:58
Enver Hadri

Dënimi me burgim të përjetshëm për ata që e përgatitën, e planifikuan dhe e kryen krimin ndaj Enver Hadrit në Bruksel për KMLDLNj-në mund të jetë drejtësi e vonuar por është drejtësi dhe porosi për të gjithë ata që planifikojnë të kryejnë krime të tilla se nuk do të mbesin të pa dënuar.

Në një komunikatë për media KMDLNj konsideron se ky lajm për familjen Hadri që asnjëherë nuk u ndal së kërkuari drejtësi për bashkëshortin dhe babain e tyre, për Kosovën, opinionin ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm shqiptimi i këtij dënimi shkaku se u vërtetua se prapa këtij krimi qëndron shteti jugosllav dhe ai i  Serbisë, se ka qenë vrasje politike dhe se krimi herët a vonë ndëshkohet.

“Mos ekzekutimi i këtij vendimi të Gjykatës Mbretërore të Belgjikës mund të shtyhet për një kohë për shkak se regjimi serb nuk është i gatshëm t’i ekstradojë në Belgjikë mirëpo Belgjika, si shtet i rëndësishëm i BE -së ka mundësi ta detyrojë Serbinë që këta kriminelë të dënuar t’ua dorëzojë autoriteteve belge sikur që Kroacia, pas shumë viteve të kundërshtimit u detyrua t’i dorëzojë autoriteteve gjermane ish krerët e Shërbimit Informativ dhe Kundërinformativ të Jugosllavisë, Zdravko Mustaq dhe Perkoviqin, tani shtetas të Kroacisë që ishin përgjegjës për vrasjen e aktivistëve politikë kroat në Gjermani përkatësisht për ekzekutimin e Stjepan Gjurekoviq, ish drejtor i INA – s. Ata nga gjykata gjermane u dënuan me dënime të larta ndonëse ishin në moshë të shtyer”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

KMDLNj shpreson dhe pret që gjykimet e tilla që po ndodhin në shtetet perëndimore për përgjegjësinë e autoriteteve politike jugosllave dhe serbe në eliminimin e kundërshtarëve politikë përmes kriminelëve të ndihmuar nga Sigurimi i shtetit, do të ndihmojnë edhe në zbardhjen e vrasjeve të natyrës politike , para dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Vullneti politik i munguar deri më tani, mund të ndihmojë në zbardhjen e rasteve ndërsa Shërbimet zbuluese dhe kundërzbuluese që kanë ekzekutuar kërkesën e politikanëve për eliminimin fizik të kundërshtarëve politikë mund të ofrojnë fakte të mjaftueshme.

“Të shpresojmë se ndriçimi i rastit të vrasjes politike të Enver Hadrit, aktivistit kombëtarë, politik dhe i të drejtave të njeriut nuk do të mbetet rast i izoluar”, thuhet në komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat