Hoxhaj paralajmëron lajme pozitive nga Madagaskari për 20 vende mosnjohëse

Aktuale

Hoxhaj paralajmëron lajme pozitive nga Madagaskari për 20 vende mosnjohëse

Më: 24 nëntor 2016 Në ora: 14:06
Enver Hoxhaj

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar me agjendën intensive të lobimit gjatë Samitit të Frankofonisë, duke takuar përfaqësuesit e mbi 20 vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.

Në takimet me ministrat e jashtëm dhe udhëheqësit e delegacioneve të Kamerunit, Lejeune Mbella, të Laos, Sangsomsak Bounkeut, të Vanuatus, Jean Pierre Nirua, ministrin e jashtëm armen, Eduard Nalbandian, Hoxhaj ka ngritur nevojën e njohjes së Kosovës.

Ai ka thënë se njohja ndërkombëtare e Kosovës është e vështirë por pret lajme pozitive në javët në vazhdim.

“Gjatë këtyre dy ditëve të Samitit të Frankofonisë kam takuar rreth 20 vende jo njohëse dhe nga ministrat e tyre kam marrë zotim se këto shtete do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Natyrisht që njohja ndërkombëtare është një proces i vështirë, i cili kalon në faza të ndryshme, dhe që ka ngritjet dhe rëniet e veta. Por jam shumë i sigurt që gjatë javëve të ardhshme do të ketë lajme pozitive për Republikën e Kosovës. Qëllimi jonë është që jo në pafundësi të kemi një betejë ndërkombëtare për njohjen e Kosovës por të arrijmë që 2/3 e shteteve anëtare të OKB-së ta njohin Kosovën në mënyrë që kur Kosova të aplikojë për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare të ketë numër të mjaftueshëm të votave” ka thënë Hoxhaj.

Kryediplomati Hoxhaj po ashtu ka takuar edhe ministrat e Jashtëm të Luksemburgut, Jean Asselborn, atë të Togos, Robert Dussey dhe përfaqësuesin e delegacionit të Emirateve, Zaki Nusseibeh.

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Frankofonisë, ku Kosova është shtet anëtar vëzhgues që nga viti 2014, Hoxhaj ka takuar edhe Sekretaren e Përgjithshme të kësaj organizate, dhe shumë ministra të Jashtëm dhe udhëheqës të delegacioneve që e kanë njohur Kosovën dhe ato mosnjohëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat