A është vetëm demarkacioni kusht për liberalizimin e vizave?

Aktuale

A është vetëm demarkacioni kusht për liberalizimin e vizave?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 nëntor 2016 Në ora: 15:01
Foto ilustrim

Kur Komisoni Evropian ka ndërmarrë hapin e publikimit të raportit për përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, dhe vlerësimin pozitiv në këtë drejtim ka bërë që Qeveria e Kosovës të zotohet se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të bëhet në vitin 2016.

Mirëpo, përkundër kushteve sikur luftimi i krimit dhe korrupsionit tashmë kusht për liberalizim është bërë edhe demarkacioni.

Zyrtarët ndërkombëtarë vazhdimisht përmendin ratifikimin e demarkacionit si kusht për liberalizim vizash.

Ndërsa, zyrtarët dhe analistët nga Kosova thonë se demarkacioni nuk është kusht i liberalizimit.

Zafir Berisha, deputeti nga radhët e Nisma për Kosovën thotë se demarkacioni nuk është kusht për liberalizim të vizave, sipas tij kushti kryesor është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“ Jo, demarkacioni nuk është kusht i vetëm në mënyrë që të liberalizohen vizat. Demarkacioni ishte pjellë e Qeverisë si kushte për liberalizim vizash, përndryshe kushti kryesor siç e dijnë të gjithë është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit i cili nuk përmendet nga qeveritarët sepse vetë janë kupolla e këtyre dukurive devijante në shoqëri” shprehet Berisha.

Berisha thotë se edhe Lunacek ka thënë se edhe nëse ratifikohet demarkacioni, liberalizimi mund të mos ndodhë.

Sipas tij, në klasë të korruptuar e të degjeneruar ka rrezik që deri 2030 të mos ketë liberalizim të vizave.

“Edhe Lunacek ka thënë se edhe më u bë demarkacioni i  kufirit me Malin e Zi nuk do të ndodhë  liberalizimi i vizave. Kushti që duhet të përmbushet për liberalizim është që të jemi të përgjegjshëm në ndërtimin e shtetit dhe në respektimin e ligjeve në fuqi kushtetuese që për fat të keq nuk po ndodhë dhe për fajin e kësaj klase të korruptuar  e të degjeneruar ka rrezik që deri më 2030 s’do të kemi liberalizim të vizave” deklaroi Berisha.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje thotë se nëse demarkacioni është kusht i vetëm për liberalizim do të ishte padrejtësisë ndaj qytetarëve që t’i kërkohej territor në këmbim të lëvizjes së lirë.

Deputeti nga radhët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi thotë se nuk do të ketë as ratifikim e as liberalizim.

Përkundër deklaratave të ndërkombëtarëve dhe vendorëve se Kosova duhet ta ratifikojë demarkacioni në mënyrë që t’i përmbushë kriteret e liberalizimit të vizave, Selimi thotë se nuk ka deklarata të tilla.

“ Deri më sot askush, as Qeveria e Kosovës e as BE-ja nuk kanë deklaruar se nëse do ta ratifikonim Demarkacionin do të kishim liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës e kanë thënë vetëm të kundërtën, duke e ditur se nuk do të ketë as ratifikim e as liberalizim. Poashtu, edhe sikur të ishte kusht i vetëm ratifikimi i Demarkacionit gjithsesi do të ishte një padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës nga të cilët do të kërkohej të jepnin territor në këmbim të lëvizjes së lirë” thotë Selimi.

Ndërsa njohësi i politikës në Kosovë, Ilir Ibrahimi thotë se demarkacioni është njëri nga kushtet e kërkuara nga BE-ja për liberalizim mirëpo nuk është kusht i vetëm.

Sipas Ibrahimit, luftimi i korrupsionit, krimi i organizuar, shteti ligjor janë kushtet tjera që nuk duhen harruar.

“Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është njëri nga kushtet e kërkuara nga institucionet e BE-së për sa i përket liberalizimit të vizave për shtetasit kosovarë por ky nuk ka qenë kushti i vetëm. Duke qenë se çështja e demarkacionit ka zotëruar politikën kosovare për më tepër se një vit, atëherë edhe nga pushteti është prezantuar si pengesa kryesore për marrjen e liberalizimit të vizave. Por nuk duhet harruar edhe kushtet tjera, që për mendimin tim janë shumë më të rëndësishme, si luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, shteti ligjor etj etj në të cilat kemi parë të bëhet shumë pak ” pohon Ibrahimi.

Sipas tij nuk është e ndershme nga koalicioni qeverisës ta paraqesë demarkacioni si pengesë të vetme për marrjen e liberalizmit të vizave, por edhe opozita nuk duhet të ndërtojë kauzë për një çështje të pa ekzistuar.

“Prandaj nuk është e ndershme nga koalicioni qeverisës ta paraqesë çështjen e demarkacionit si pengesën e vetme për marrjen e liberalizimit të vizave, sikurse që nuk është e kuptueshme se si opozita ta ndërtojë një kauzë thelbësore të saj, mbi një çështje fare të pa qenë, e cila është bërë njëra nga pengesat për liberalizim të vizave” thekson Ibrahimi.

Ai shton se pasi opozita e ka shfrytëzuar demarkacionin si një çështje për ta bllokuar jetën politike atëherë BE-ja për tejkalimin e kësaj e ka bërë si kusht për integrim të mëtutjeshëm.

“Shpesh dëgjojmë që thuhet se një kusht i tillë si demarkacioni i është vënë vetëm Kosovës që është shumë e vërtetë. Por mos të harrojmë se BE-ja ndaj vendeve të Ballkanit perëndimor ka shfrytëzuar benefite të tilla si liberalizimi i vizave, për të tejkaluar pengesat me të cilat ballafaqohen këto vende. Pasi që opozita e ka bërë çështjen e demarkacionit si një çështje që e ka bllokuar jetën politike, atëherë natyrshëm BE-ja e ka bërë tejkalimin e saj si kusht për të vazhduar integrimin e mëtutjeshëm. Pra ne si shoqëri nuk duhet ta fajësojmë BE-në për foshnjërinë tonë politike, e as mos ta gënjejmë popullin se po të kalohejë demarkacioni do t’i kishim marrë vizat” përfundon Ibrahimi.

Ndërsa, sociologu, Fadil Maloku thotë se projekti i “kushtëzimeve” nga ana e ndërkombëtarëve ka për qëllim disiplinimin e politikanëve por edhe të qytetarëve.

“I gjithë projekti i "kushtëzimeve" nga ana e ndërkombëtarëve, është një lloj "karrote" sadiste, që ka për qëllim disiplinimin e skajshëm jo aq të politikanëve (tashmë të dijtur; të shantazhuar) tanë, sa të qytetarisë kosovare! Ndryshe, si mund të shpjegohet gjithë kjo vonesë përmes këtij presioni publik për t'u socializuar kosovarët, kur dihet që asnjë shtet apo vend më  herët nuk i është nënshtruar një rigoroziteti kaq të ashpër pranues, në këtë arkitekturë (me këmbë të qelqta!) të identifikuar si BE” shprehet Maloku.

Sipas Malokut ndërkombëtarët e kanë në dorë që t’i disiplinojnë politikanët por qytetaria është në target.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat