Ish pjesëtari i SHIK-ut rrëfen vrasjen e dy policëve, Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj

Aktuale

Ish pjesëtari i SHIK-ut rrëfen vrasjen e dy policëve, Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 25 nëntor 2016 Në ora: 17:26
Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj

Ish  pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari ka thënë se Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj janë vrarë, pasi si zyrtar hetues të  policisë i ishin afruar  shumë zbardhjes të disa vrasjeve në Dukagjin, njëra  ndër to vrasja e Tahir Zemajt.

“Sipas njohurive dhe informacioneve Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj janë vrarë, pasi si zyrtar hetues të  policisë me punë të zellshme i ishin afruar  shumë afër zbardhjes të disa vrasjeve në Dukagjin, njëra  ndër to vrasja e Tahir Zemajt. Por, gjatë punës hetuese nuk ishin treguar të kujdesshëm për jetën e tyre dhe në një ditë nëntorit vrasësit bën pusi kundër tyre”, ka thënë ai.

Në këtë mënyrë, Miftari ka shpjeguar edhe rrethanat e vrasjes së dy policëve, duke theksuar se njëri nga dorasit kishte lënë gjurmë mbi makinën ku kishte ndodhur atentati dhe më pas ishte dënuar. Por sipas tij, nuk dihen ende organizatorët në këtë rast.

“Gjatë vrasjes ishte bërë shoshë vetura e policisë nga plumbat e kallashnikovë AK-47. Por gjatë tentimit për ta vrarë edhe një pjesëtarë tjetër të policisë i cili ishte bashkë me viktimat në patrullë, njëri nga dorasit kur ka kaluar mbi pjesën e përparme të veturës së policëve të vrarë për të shkrepur edhe një karikator me plumba ka lënë gjurmë komplet VIJAT PAPILARE të dorës së autorit. Kështu që njëri nga autorët është i dënuar, por nuk dihet kurrë kush kanë qenë organizatorët dhe personat tjerë të atij atentati ndaj policëve shqiptarë”, ka thënë Miftari.

Naim Miftari, ka ndërlidhur vrasjen e dy policëve, me rastin e vrasjes së Kolonel Tahir Zemajt dhe Smajl Hajdarajt.

“Policisë së Kosovës i janë vrarë dhjetëra policë nga paslufta gjerë më sot, ku shumica kanë mbetur raste të pa ndriçuara. Ky rast është vjetërsuar, dëshmitë janë venitur e dëshmitarët disa edhe nuk janë gjallë më. Por, ka munguar sidomos vullneti i drejtësisë së shtetit tonë pasi ka frikë të gjurmoj shumë vrasje që kanë lidhje politike pasi nuk dihet se kush mund të dal porositës  i vrasjeve. Shumë jam i bindur se kjo vrasja  del dhe vjen nga një kënd krejt tjetër dhe se vrasja e Tahir Zemes, Smajl  Hajdarit dhe vrasja e Isufit dhe Sabahates janë bërë dhe janë të lidhura mes veti”, ka përfunduar Miftari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat