Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj ishin afër zbulimit të vrasjes së Tahir Zemajt, kishin dy të dyshuar

Aktuale

Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj ishin afër zbulimit të vrasjes së Tahir Zemajt, kishin dy të dyshuar

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 26 nëntor 2016 Në ora: 08:04
Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj

Po hetonin dy vrasje politike, duke qenë kështu edhe shumë afër zbulimit të tyre. Por, Isuf Haklaj e Sebehate Tolaj, dy ish policët e Policisë së Kosovës, nuk arritën që ta kryenin deri në fund hetimin që kishin nisur. Ata u vranë më 24 nëntor të vitit 2003. Sipas burimeve të gazetës “Bota sot”, Isuf Haklaj e Sebehate Tolaj kishin arritur që rrethin e ngushtë të vrasjes së kolonel Tahir Zemajt ta binin vetëm në dy persona, ku edhe kjo dyshohet të jetë arsyeja e vrasjes së tyre, kështu duke mos arritur të qonin deri në fund zbulimin e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt.

Ndonëse, njëri nga atentatorët tashmë është i burgosur me 27 vite burg lidhur me këtë rast, ende nuk dihen se kush ishin urdhërdhënësit dhe organizatorët e vrasjes.

Prokuroria e shtetit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen se deri ku kanë arritur lidhur me këtë rast, pavarësisht se familjarët e dy policëve kanë deklaruar se ka të tjerë të involvuar në këtë rast.

Sipas publicistit Skënder Zogaj, fakti se ky rast nuk është zbardhur tërësisht tregon se, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj kanë qenë veprimtarë demokratë rugovian, institucionalistë të dëshmuar kundër krimit dhe korrupsionit.

“Vet fakti se edhe 13 vjet pas vrasjes ende nuk është zbardhur krimi ndaj shuarjes së jetës së dy policëve shembullor, Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, të vrarë në detyre, është dëshmia e turpit dhe faqe së zezë të  institucioneve shtetërore të Kosovës. Nuk është këtu fjala për mos efikasitetin e institucioneve, por është fjala për pengimin e zbardhjes së krimit, sepse, duhet thënë hapur, Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj kanë qenë veprimtarë demokratë rugovian, institucionalistë të vendosur të dëshmuar kundër krimit dhe korrupsionit, mbrojtës të rendit dhe ligjit, që uniformën policore e kanë veshur për ta bartur me nder dhe jo për të abuzuar me te”, ka deklaruar Zogaj.

Ai ka theksuar se, nuk ka asnjë mundësi që, policia e Kosovës të jetë kaq e dobët duke lejuar që kriminelët që kanë vra kolegët e tyre, të enden te lirë dhe ta vazhdojnë të rrezikojnë jetët e qytetarëve të ndershëm.

“Gatishmërinë për mbrojtën e atdheut Sebahati dhe Isufi e kishin treguar edhe në luftën çlirimtare, pas së cilës nuk duan asgjë pos, që ndershmërisht t'i shërbejnë popullit dhe vendit të tyre. Dhe, kjo ka qenë arsyeja e mos durimit dhe e urrejtjes nga  maskat e zeza që ua kanë shuar jetën. Krimi dhe kriminelët e kanë faqezezllëkun e tyre, mirëpo, është për t'u habitur me mosveprimin e Policisë së Kosovës, e cila qe 13 vjet qëndron si strucë,  asnjë mundësi që, policia e Kosovës të jetë kaq e dobët duke lejuar që kriminelët që kanë vra kolegët e tyre, të enden te lirë dhe ta vazhdojnë të rrezikojnë jetët e qytetarëve të ndershëm”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ish pjesëtari i SHIK-ut, Naim Miftari ka thënë se Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj janë vrarë, pasi si zyrtar hetues të  policisë i ishin afruar  shumë zbardhjes të disa vrasjeve në Dukagjin, njëra  ndër to vrasja e Tahir Zemajt.

“Sipas njohurive dhe informacioneve Isuf Haklaj dhe Sabahate Tolaj janë vrarë, pasi si zyrtar hetues të  policisë me punë të zellshme i ishin afruar  shumë afër zbardhjes të disa vrasjeve në Dukagjin, njëra  ndër to vrasja e Tahir Zemajt. Por, gjatë punës hetuese nuk ishin treguar të kujdesshëm për jetën e tyre dhe në një ditë nëntorit vrasësit bën pusi kundër tyre”, ka thënë ai.

Në këtë mënyrë, Miftari ka shpjeguar edhe rrethanat e vrasjes së dy policëve, duke theksuar se njëri nga dorasit kishte lënë gjurmë mbi makinën ku kishte ndodhur atentati dhe më pas ishte dënuar. Por sipas tij, nuk dihen ende organizatorët në këtë rast.

“Gjatë vrasjes ishte bërë shoshë vetura e policisë nga plumbat e kallashnikovë AK-47. Por gjatë tentimit për ta vrarë edhe një pjesëtarë tjetër të policisë i cili ishte bashkë me viktimat në patrullë, njëri nga dorasit kur ka kaluar mbi pjesën e përparme të veturës së policëve të vrarë për të shkrepur edhe një karikator me plumba ka lënë gjurmë komplet VIJAT PAPILARE të dorës së autorit. Kështu që njëri nga autorët është i dënuar, por nuk dihet kurrë kush kanë qenë organizatorët dhe personat tjerë të atij atentati ndaj policëve shqiptarë”, ka thënë Miftari.

Naim Miftari, ka ndërlidhur vrasjen e dy policëve, me rastin e vrasjes së Kolonel Tahir Zemajt dhe Smajl Hajdarajt.

“Policisë së Kosovës i janë vrarë dhjetëra policë nga paslufta gjerë më sot, ku shumica kanë mbetur raste të pa ndriçuara. Ky rast është vjetërsuar, dëshmitë janë venitur e dëshmitarët disa edhe nuk janë gjallë më. Por, ka munguar sidomos vullneti i drejtësisë së shtetit tonë pasi ka frikë të gjurmoj shumë vrasje që kanë lidhje politike pasi nuk dihet se kush mund të dal porositës  i vrasjeve. Shumë jam i bindur se kjo vrasja  del dhe vjen nga një kënd krejt tjetër dhe se vrasja e Tahir Zemes, Smajl  Hajdarit dhe vrasja e Isufit dhe Sabahates janë bërë dhe janë të lidhura mes veti”, ka përfunduar Miftari.

Me rastin e 13 vjetorit të vrasjes së dy policëve Sebehate Tolaj e Isuf Haklaj, shoqata Thirrje për drejtësi ka shprehur shqetësimin për mos zbulimin e tërësishëm të këtij rasti.

“Edhe një vrasje e dyfishtë politike. Në cilësinë e hetuesve policorë , në një atentat u vranë oficerët policorë Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj , njëkohësisht edhe ish luftëtarë të Betejës së Kosharës. U vranë me të vetmin motiv se hetonin vrasjet politike në Rajonin e Dukagjinit , atë të Tahir Zemajt dhe të Smajl Hajdarajt. Vetëm një nga vrasësit-dorasi , Bedri Krasniqi ish truproje e Ramush Haradinajt është dënuar me burg për këtë vrasje të dyfishtë. Drejtësia jonë ( dhe ndërkombëtare) e çmendur nuk shkoj më tej , as nuk identifikuan dorasët tjerë që morën pjesë dhe as urdhërdhënësin. Drejtësi për Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklajn! ... dhe për të gjitha vrasjet tjera politike!”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.

Ndryshe, Sebehate Tolaj dhe Isuf Haklaj kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat