Kosova vuan pasojat e Hashim Thaçit!

Aktuale

Kosova vuan pasojat e Hashim Thaçit!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 nëntor 2016 Në ora: 11:18
Hashim Thaçi

Diplomacia e Kosovës sikur ka filluar të çalojë kohët fundit, si në çështjen e njohjeve të reja, ashtu edhe në  çështjen e anëtarësimeve në organizatat qoftë rajonale apo ato ndërkombëtare. 

Njohësit e çështjeve politike kanë pohuar se diplomacia e Kosovës për fatin e saj, më shumë njihet për deklarata politike dhe bombastike, se sa për punë të dukshme dhe rezultate diplomatike.

Sipas tyre, bllokimi i procesit të njohjeve për Kosovën është rezultat i mos punës së institucioneve, pasi gjatë kohës sa Hashim Thaçi ishte Ministër i Jashtëm, ai nuk bëri asgjë në këtë drejtim. 

Në fakt, sipas tyre ai post atëkohë Thaçit  i shërbeu vetëm si trampolinë për t'u bërë president.

Kurse Hoxhaj po përpiqet që të punojë në këtë drejtim, por është shumë e vështirë, pasi që do të duhej të kishte angazhim të vazhdueshëm.

Ata kanë pohuar se Ministri Hoxha nuk është për atë pune fare, pasi sipas tij Hoxha është një ministër i dështuar në dy mandatet që bëhet ministër.

Sami Blakaj, njohës i çështjeve politike ka pohuar se diplomacia është një fushë vërtetë e ndjeshme që kërkon punë dhe angazhim serioz në politikën e jashtme dhe mbi të gjitha kërkon strategji diplomatike, por assesi ajo të zëvendësohet me deklarata politike.

Sipas tij, diplomacia e Kosovës për fatin e saj, më shumë njihet për deklarata politike dhe bombastike, se sa për punë të dukshme dhe rezultate diplomatike.

“Diplomacia jonë është akoma në fazën e saj të „rinisë“ dhe si e tillë vuan nga protagonizmi dhe bajraktarizmi. Dhe kjo është e rrezikshme për Kosovën dhe konceptin e saj diplomatik. Në marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi dhe veçmas në diplomaci, asnjëherë deklaratat dhe premtimet nuk guxojnë t’u paraprijnë rezultateve, por e kundërta, rezultatet janë ato që duhet paraprirë deklaratave. Dhe kjo për faktin e thjeshtë, sepse çdo deklaratë e ngutur dhe e pamatur, mund të dëmtoj seriozisht marrëdhëniet diplomatike ndërshtetërore që në rastin e Kosovës ndër të tjera i dëmton edhe njohjet”, ka thënë Blakaj.

Ai ka theksuar se njohjet për Kosovën po dëmtohen nga fakti që diplomacia e Kosovës e nuk po arrin që në arenën ndërkombëtare të përfaqësohet në mënyrë cilësore, duke i munguar kështu ana profesionale dhe përmbajtjesore.  

Imer Mushkolaj, analist politik ka deklaruar se bllokimi i procesit të njohjeve për Kosovën është rezultat i mos punës së institucioneve. 

Sipas tij, gjatë kohës sa Hashim Thaçi ishte Ministër i Jashtëm, ai nuk bëri asgjë në këtë drejtim.

“Në fakt, ai post atij i shërbeu vetëm si trampolinë për t'u bërë president. Hoxhaj po përpiqet që të punojë në këtë drejtim, por është shumë e vështirë, pasi që do të duhej të kishte angazhim të vazhdueshëm. Çështja e njohjeve nuk duhet të jetë punë sezonale, por, përveç ministrit të Jashtëm, përgjegjës për njohjet është edhe presidenti, i cili është izoluar nga bota demokratike dhe mundësitë e vetme i ka të vizitojë qytete e fshatra brenda Kosovës”, ka thënë Mushkolaj.

Kushtrim Kadriu, politolog ka thënë se Ministri Hoxha nuk është për atë pune fare, pasi sipas tij Hoxha është një ministër i dështuar në dy mandatet që bëhet ministër.

Ai ka pohuar, se që nga koha kur ishte në qeveri Bexhet Pacolli disi është ndërprerë dhe është ndaluar procesi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.

“Këtu duhet ndërruar qasje e duhet gjetur personat që kanë ndikim në kanalet diplomatike. Qeveria e këtij e vendi duhet të caktojë një limit të realizimeve të punëve dhe objektivave në rast mos realizimi të detyrave. Pra duhet zëvendësuar, degraduar apo nëse kanë merita duhet graduar më lartë. Ministri Hoxha edhe më herët kur ka bërë vizata jashtë vendit, i njëjti ka dalë me deklarime pompoze, por njohjen e Kosovës, por në realitet nuk ka siguruar asgjë, prandaj nuk mundet një kategori e tillë e nivelit të Hoxhaj të sjellë njohje”, ka thënë Kadriu.

Arbër Gashi, njohës i çështjeve politike ka pohuar se, njohja e shtetësisë së Kosovës është interes kombëtar të cilit i nevojitet mbështetja e të gjitha subjekteve politike. 

“Dihet tash që ngecjet në këtë drejtim kanë ardhur si rezultat i situatës së gjithmbarshme në Republikën e Kosovës, ku rolin e vet negativ e ka lozur Partia Demokratike e Kosovës. Dështimi në UNESCO i ka dhënë një ‘shuplakë’ tjetër Kosovës. Njohja e shtetësisë së Kosovës është interes kombëtar të cilit i nevojitet mbështetja e të gjitha subjekteve politike. Dihet tashmë që ngecjet në këtë drejtim kanë ardhur si rezultat i situatës së gjithmbarshme në Republikën e Kosovës, ku rolin e vet negativ e ka lozur Partia Demokratike”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, dështimi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO i ka dhënë një shuplakë të nxehtë diplomacisë shqiptare në përgjithësi.

“Pra në vend se të reflektojnë dhe të marrin masa adekuate për nxitjen e njohjes së shtetësisë së Kosovës, drejtuesit e PDK-së janë bërë peng dhe e kanë lidhur fatin e tyre politik në bisedimet me Serbinë, duke i dhënë vlerë nacionale Marrëveshjes së fshehtë të Hashim Thaçit me ish-presidentin e Serbisë, Boris Tadiq. Si rezultat i këtyre Marrëveshjeve jo transparente dhe antidemokratike, pasuan tronditjet në formën e gjashtë pikave të sekretarit Ban dhe Marrëveshjet e Brukselit, ndër të cilat, Marrëveshja për Asociacionin e Serbisë në Kosovë është përgjegjësi historike e PDK-së dhe kuadrove që e drejtojnë. Për rrjedhojë, edhe ministri Enver Hoxhaj e luan të njëjtën valle. Premtime bosh për Kosovën në njërën anë dhe marrëveshje e fitore diplomatike për Serbinë në anën tjetër”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërkohë edhe përkundër insistimit nga Bota Sot” për të marrë ndonjë deklaratë në lidhje me këtë çështje Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka kthyer asnjë përgjigje në lidhje me këtë rast./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat