‘Një falsifikator si Sylë Ukshini s’është i denjë për ta përfaqësuar Kosovën’

Aktuale

‘Një falsifikator si Sylë Ukshini s’është i denjë për ta përfaqësuar Kosovën’

Më: 27 nëntor 2016 Në ora: 11:41
Sylë Ukshini

Hulumtuesi i pavarur shkencor në Institutin e Historisë, Shkodran Imeraj, ish koleg i Sylë Ukshinit, thotë se emërimi i Ukshinit në ambasadën e Kosovës në Tiranë është i papranueshëm. Ai thotë se përfaqësimi i Kosovës me njerëz si ai, që falsifikon tituj, është degradim i institucioneve të Kosovës.

Sipas Imerajt, Sylë Ukshini tash e sa vite përdor  titullin ‘doktor shkence’, titull këtë të cilin ende nuk e ka marrë.

Nga ana tjetër, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, nuk preferon të flas në lidhje me akuzat e bëra në adresë të tij, duke thënë se ‘nuk është Shkodrani ndonjë autoritet që i vlerëson titujt e të tjerëve’. Ukshini ka thënë se është emëruar nga MPJ-ja dhe se ai është pjesë e ambasadës tash e dy vite. 

Megjithatë, ish kolegu i Ukshinit, Shkodran Imeraj thotë se ministria e Punëve të Jashtme sa më parë duhet të marrë vendim për shkarkimin e këtij personi nga pozita aktuale, dhe për të njëjtin të kërkohet hetim.

Imeraj: Emrimi i Sylë Ukshinit i papranueshëm

“Ngarkimi i z. Sylë Ukshini në postin e të ngarkuarit me punë në ambasadën e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, është një lajm i papranueshëm. Për vet faktin se zotëria i apostrofuar dhe përkundër që thekson në opinion dhe të qarqet akademike, se ka një titull të doktorit të mbrojtur, ai nuk e ka. Është një person i cili afër 10 vite përdor titullin e doktorit të shkencave dhe një thirrje të tillë akademike ai nuk e ka. Është në studimet  e doktoratës në një nga  universitetet e Gjermanisë. Dhe përderisa një personalitet akademik që i thotë vetës akademik dhe bënë falsifikimin e titullit të doktorit të shkencave të jetë përfaqësues diplomatik i Kosovës, në ambasadën e Shqipërisë është e papranueshme. Është sinjal jo i mirë për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Dhe mendoj që ministria duhet me revidu vendimin, duhet me e shkarkua dhe duhet që institucionet dhe ministria të merr en me këtë rast”, thotë ai.

Sipas Imerajt, politika në shenjë falënderimi për nënshkrimin e marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, ku Kosova humb një pjesë të territorit, e ka shpërblyer Ukshinin me këtë post. Ndërsa pohon se Kosova ka kuadro më të përgatitura se Sylë Ukshini, të cilët do ta përfaqësonin Kosovën  në mënyrë me të denjë.

Imeraj:  Ukshini u shpërblye pasi nënshkroi demarkacionin me Malin e Zi

“I njëjti personalitet në raportin e komisionit për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, që është nënshkruar në vitin 2015, përdor titullin e magjistrit. Ndërsa po në vitin 2015 e përdor titullin e doktorit. Dhe nga viti 2009 e përdor titullin doktor i shkencave. Atëherë rrjedh pyetja se pse ai duhet të përfaqësoj Kosovën në ambasadë. Apo politika në shenjë falënderimi për nënshkrimin e marrëveshjes së demarkacionit ku Kosova po humb një pjesë të territorit me Malin e  Zi, e shpërblen zotin Sylë Ukshini, me postin e të ngarkuar me punë”, thotë ai.

Ndërkaq i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri Sylë Ukshini, nuk preferon të flas në lidhje me akuzat e bëra në adresë të tij. I kontaktuar nga KP, Ukshini ka thënë se është emëruar nga MPJ-ja dhe se ai është pjesë e ambasadës tash e dy vite.

“S’është Shkodrani ndonjë autoritet që vlerëson titujt e të tjerëve.  Mua me ka emëruar Ministria e Punëve te jashtme. Unë jam staf i ambasadës së Kosovës në Shqipëri tash e sa vite dhe i ministrisë që shtatë vite. Nuk janë çështje këto që diskutohen. Emërimin e ka bere ministria”, tha Ukshini.

Emërimi i z. Sylë Ukshini si i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Shqipëri erdhi pas dhënies së dorëheqjes së Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, z. Ramiz Lladrovci për të kandiduar në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Drenasit , për pozitën e Kryetarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat