Kujt po i pengon hetimi i krimeve të kryera nga SHIK-u?!

Aktuale

Kujt po i pengon hetimi i krimeve të kryera nga SHIK-u?!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 27 nëntor 2016 Në ora: 14:05
Foto ilustrim nga "Bota sot", Rexhep Selimi, Daut Haradinaj, Zafir Berisha e Hajrullah Tërnava

Krijimi i një komision parlamentar për të hetuar veprimtarinë e Shërbimit informativ të Kosovës (SHIK) është një ndër çështjet të cilat janë në duart e të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Opozita deklaron që është pro krijimit të këtij komision parlamentar, për kundër që më parë  kanë dështuar që t`i mbledhin nënshkrimet për një peticion.

Në kuadër të kësaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se duhen dyzetë (40) nënshkrime që të krijohet një komision parlamentarë që të hetohet Shërbimi i Informativ i Kosovës.

 “Komisioni parlamentar për hetimin e SHIK-ut nuk është krijuar ende për shkak se duhen 40 nënshkrime të deputetëve. Është në dorën e deputetëve të LDK-së që ta mundësojnë krijimin e atij komisioni nëse ata i japin edhe nënshkrimet që mungojnë. Por siç po duket LDK-ja nuk është e interesuar që të formohet komisioni hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së SHIK-ut, ndonëse gjithmonë ankohen në të.  Pra, sot SHIK-u nuk po hetohet nga një Komision Hetimor Parlamentar sepse LDK-ja, nga e cila është pritur, nuk po e donë një gjë të tillë”, ka thënë Selimi për Bota sot.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj  ka folur për Bota sot se kujt po i pengon  hetimet ndaj SHIK-ut,  duke thënë se ju pengon atyre që nuk e kanë nënshkruar.

 “Ju pengon atyre që nuk e kanë nënshkru, a ju intereson atyre që i kanë dhënë nënshkrimet”, thotë Haradinaj.

Ndërsa, deputeti i Nismës së Kosovës, Zafir Berisha ka thënë se pozita nuk po e lejon formimin e komisionit hetimor për SHIK-un.

“Ne kem nënshkruar një kërkesë për me u formu një komision i tille mirëpo kjo çështje është pengu nga LDK dhe kështu si opozita nuk i kemi pas nënshkrimet e mjaftueshme për me inicu formimin e komisionit hetimor për SHIK-un. Kjo i pengon Isa Mustafes dhe LDK sepse ende mendojnë të manipulojnë kur vijnë zgjedhjet në emër të të vrarëve pas luftës dhe propagandën kundër SHIK-ut”, ka thënë Berisha për Bota sot.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava ka thënë se në këto situata kur ballafaqohemi me shumë të panjohura sikur qe e kemi situatën kaq të ngarkuar dhe të ndërlikuar, edhe kjo ideja e formimit të një komisionit parlamentar ndoshta nuk kishte me qenë ide e keqe, "së paku ma mire  me bo diçka se hiq".

“Ishte para disa viteve si propozim në parlamentin e Kosovës,  por nuk i morri votat e konsiderueshme që të hulumtohet kjo çështje. U vlerësua si jo kompetente që parlamentaret ta hulumtojnë këtë çështje. Sikur të funksiononte shteti ashtu si duhet juridikisht, nuk ishte dashur askush të hamendet si me e krye dhe kush me e krye këtë pune të hulumtimit, sepse edhe ligjërisht dihet saktë se cilat organe ndjekës merren me këtë çështje.  Edhe mbas 17 vite "lirie" kur dihet sa njerëzit deri me tani që janë të vrarë, dhe llogariten ende si NN raste te pazbuluara. Jo rastësisht po thuhet se shteti është kape për fyti,  dhe veç çka nuk është ngulfate”, ka thënë Tërnava.

Gjithashtu, ai ka thënë se pas luftës ata që e shpiken dhe e formuan SHIK-un, e formuan për qëllimet e tyre, dhe prej njerëzve skamnore shumë shpejt u benën multimilioner.

“Te gjithë njerëzit e meruar në poste të larta nëpër institucionet shtetërore  e kanë marr miratimin (aminin) e tyre,  për ti kryer ato punë çfarë dhe si iu thonë të mëdhenjtë e këtij shërbimi. Ka pasur edhe njerëz të emëruar nëpër poste të larta të institucioneve shtetërore sikur prokuror etj,  që i kanë pasur pengesat (behanet) e veta të ati sistemi komunist,  por meqë kane dhanë premtimet se do të jenë lojal shefave te ri, janë emëruar si të tillë deri në pensionimet e tyre, e tani i gëzojnë edhe benificionet që ju premton ligji si njerëz me merita, e ne vend që ata, ishin dashur, në një shtet ligjor të japin llogarit e tyre,  për të bërat e tyre në të kaluarën. Tani behet pyetja, kush me i ndrique gjitha  ato raste të vrarëve gjatë dhe pas lufte? Shërbimi sekret SHIK-u dihet se nga kush dhe cila parti e ka formue. Jo rastësisht një kohë të gjate mes PDK dhe LDK e sidomos edhe sot e kësaj dite numër i konsiderueshëm të udhëheqësve, ata të çiltërrit të LDK-se, nuk janë të pajtuar dhe kërkojnë ende zbardhjen e këtyre vrasjeve të anëtareve të saj. Tani situata edhe në këtë parti (LDK) shume ka ndryshua, se disa nga droja mos po bien pre nga shërbimi në fjalë, por edhe nga ajo se janë bërë argat të tyre, dhe kanë fillue me krye edhe detyra çfare iu kanë dhanë shefat e këtij shërbimi në fjale, dhe i kanë krye në mënyre të përpikta ato detyra, dhe tani edhe nga ta, jo pak tani,  janë milionere dhe shume të dashur të tyre, prandaj edhe që disa herë bëjnë koalicione  mes veti si dy parti PDK-LDK si tani që janë në pushtet”, ka thënë Tërnava për Bota sot .

MË tutje ka thënë se para zgjedhjeve kërkojnë  që të zbardhen vrasjet e anëtareve të tyre të LDK -së në këtë mënyrë fitojnë votat e anëtareve të partisë se tyre dhe disa nga ta prej çlirimit që 17 vite janë të palëkundshëm në parlament dhe i bëjnë ligjet e këtij vendi.

“Me të berat e SHIK-ut në të kaluarën duhet të mirën organet ndjekës si Gjyqësia, Prokuroria, Policia, AKI, dhe kur i zbulojnë krimet e tyre duhet ti marrin dënimet e merituara,  dhe të dihen për krejt të kaluarën se çfarë rroli ka pas ky shërbim, e tani mbi këtë të kaluarën me fakte të organeve ndjekëse,  të formohet komisioni parlamentar dhe ta vlerësoj punën dhe qëllimin e formimit të këtij shërbimi dhe në bazë të bërave të këtij shërbimi të merr një vendim të prere për historikun e këtij shërbimi që t’iu shërbej në preventive gjeneratave të ardhshme. Hetimi i këtij shërbimi iu pengon,  njerëzve të cilët e kanë krijuar këtë shërbim. Besoj se një hetim i mirëfilltë i këtij shërbimi kishte me i kontribu të vërtetës,  dhe po që del se ata kanë punuar mirë, dhe këto vepra që po iu ngarkohen, dikush tjetër duhet të hulumtohen, kishte me qene edhe për ta një satisfikcion, dhe popullariteti i tyre kishte me u rritë dhe populli kishte me i dashur për punën e tyre të bërë deri me atëherë sa kanë qenë aktive. Pa u krye një hetim i mirëfilltë,  dhe me u skjaruar të gjitha të bërat e këtij shërbimi,  asnjëherë nuk kanë me u qetësuar shpirtrat e të vrarëve,  dhe familjareve të tyre dhe popullit të ndershëm të Kosovës”, ka përfunduar Tërnava.

Ndërsa, Bota sot ka kontaktuar me disa nga zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për këtë çështje por nuk ka marrë përgjigje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat