Inatet pozitë-opozitë mbajnë peng zhvillimin e Kosovës

Aktuale

Inatet pozitë-opozitë mbajnë peng zhvillimin e Kosovës

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 27 nëntor 2016 Në ora: 17:14
Foto arkiv

Tejkalimi i polarizimit të skajshëm ndërmjet subjekteve politike dhe ulja e tensioneve në Kuvendin e Kosovës, ka qenë një nga rekomandimet e mbledhjes së Komisioni ndër parlamentar i Stabilizim Asociimit i Kosovës me BE-në, që u mbajt ditë më parë në Parlamentin Evropian në Strasburg.

“Do të dëshironim që edhe në Kuvendin e Kosovës të ketë debate të tilla dhe që aty të diskutohen mospajtimet mes forcave të ndryshme politike” ka thënë Picula duke shtuar se një prej rekomandimeve të takimit ka qënë edhe ai që 'Kosova të tejkalojë polarizimin politik, të ul tensionet dhe të normalizohet puna në Kuvend”, ka thënë  deputeti nga Kroacia Tonino Picula.

Por pavarësisht këtyre rekomandimeve, Pozita e opozita në Kosovë ende nuk kanë arritur të gjejnë kompromis rreth çështjes së Demarkacionit dhe Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Deputetët nga pozita ua hedhin fajin shumicës parlamentare për krizën politike.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Topalli, ka thënë se normaliteti mund të ndodh vetëm kur Qeveria dhe Kuvendi të punojnë normalisht, duke mos bërë marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesat vitale të vendit.

“Jemi shumë të interesuar që të kemi raporte normale të punës në Kuvend. Por kjo mund të ndodh vetëm kur Qeveria dhe Kuvendi të punojnë normalisht, mos ta shkelin Kushtetutën dhe ligjet tjera të vendit dhe të mos bëjnë marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën dhe interesat vitale të vendit. Normalizimi vjen edhe kur shumica parlamentare krijon kushte dhe mundësi që opozita, përkundër numrit te vogël te deputeteve, te marr pjese ne procesin e vendimmarrjes përmes ideve konstruktive”, ka thënë Topalli.

Ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk i realizoi shumë ide të mira vetëm për faktin që mazhoranca luante me kartën e inateve dhe jo të konstruktivitetit dhe interesave te vendit.

“Demokracia është e mirëfilltë atëherë edhe kur pakicat kane mundësinë e pjesëmarrjes reale ne proceset e rëndësishme të vendit. Mjerisht kjo nuk ka ndodhur deri tani”, ka thënë Topalli.

Edhe Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë për “Bota sot”, se agjenda politike përcaktohet nga shumica parlamentare.

“Pyetje për partitë parlamentare që kanë shumicën apo siç duan te shprehen vet ata " i kanë numrat". Agjenda politike përcaktohet nga ta kurse ata e kanë futur Kosovën në krizë politike nga e cila ata as që kanë synim ta nxjerrin”, ka thënë ai.

Bislim Zogaj, deputet nga radhët e PDK-së, ka thënë për gazetës "Bota sot", se adresimi i euro-deputetëve i takon opozitës. 

"Unë mendoj që gjitheherë pozita dhe opozita kanë rivalitet dhe e akuzojnë njëra tjetrën, pavarësisht cila është fajtore. Kërkesëb e euro-deputetëvr për kthyerjen e normalitetit në Parlament e vlerësoj drejtë, por ky adresim për mendimin tim i takon opozitës sepse opozita është ajo e cila ka sjellë jo normalitet në parlament. Kundërshtimi i saj ndaj çdo iniciative të pozitës po e bënë të veshtirë që të qohen proceset perpara për të përfituar qytetari i Kosovës, dhe jo vetem qe ka bërë këtëvpor edhe e ka humbur identitetin e të qenurit deputet me sjelljen dhe veprimet e tyre, nga fishkëllimat e deri te hudhja e gazit lotësjellës",ka thënë Zogaj. Për delutetin Bislim Zogaj, vet fakti që deputetet gjatë hyrjes në Parlament duhet të kontrollohen nga sigurimi flet mjaft. "Prandaj, shpresoj që pas ketyre vërejtjeve nga euro-deputetët opozita do të vetëdijësohet dhe do t'i kthehet normaliteti i punes së Kuvendit por edhe integriteti i të qenurit deputet. Sigurisht mendoj që. edhe pozita duhet të jetë më bashkëpunuese", ka përfunduar ai.

Nda ana tjetër, analisti Hidajet Ahmeti, thirrjen e euro deputetëve e ka quajtur të mirëseardhur, duke ditur ndihmën e vazhdueshme në mënyra të ndryshme që i është dhënë dhe i jepet Kosovës  nga faktori ndërkombëtarë.

“Mbi të gjitha duhet parë misionin dhe objektivin e  e organizatave ndërkombëtare e në veçanti misionin e BE-së karshi shteteve të Ballkanit perëndimorë. Kosova në veçanti ka objektiv që  të jetë pjesë e organizatave ndërkombëtare e posaçërisht pjesë në familjen e madhe evropiane. Nënshkrimi i MSA është një pikënisje  e Kosovës për në BE, por duhet pasur parasysh  se institucionet e Republikës së Kosovës e në veçanti Qeveria e tanishme, por edhe ato të ardhshme i pret një punë goxha e mundimshme, nganjëherë duke marrur edhe vendime jashtë vullnetit të tyre. Diskutimi për 35-së kapitujt e MSA-së  në të ardhmen, dhe reformat e domosdoshme që e presin Kosovën në vitet e ardhshme në të gjitha fushat, në njëfarë mënyre e përgatisin Kosovën për tu normalizuar dhe ta merr kahen e një shteti evropian, por duhet treguar një seriozitet dhe punë të vazhdueshme të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ahmeti.

Tradicionalisht, sipas tij, kultura politike ballkanase e në veçanti kultura politike kosovare e mbas luftës ka dëshmuar një logjikë të mbrapsht të funksionimit të partive pozitë-opozitë.

“Në Kosovë, partitë politike kane dalë jashtë çdo konture demokratikë, duke kaluar jashtë çdo stadi demokratik,  të cilët mundohen të përdorin çdo modus për t'i realizuar qëllimet e tyre politike. Fillimisht kish qenë e rrugës që partitë politike të demokratizohen përbrenda vetës, duke kaluar interesat e ngushta partiake, klanore e më pastaj ta hapet rruga e mirëbesimit qytetarë-parti politike. Duhet ndërtuar një frymë bashkëpunimi e mirëkuptimi gjithherë në interes qytetarë,  duke kaluar logjikën e mbrapshtë që është ndërtuar në konceptet e funksionimit të partive politike në Kosovë”, ka potencuar ai.

Ahmeti ka theksuar se politika destruktive e inat keqe në mes partive pozitë-opozitë akoma po mbetet peng i shumë proceseve në konsolidimin shtetëror e demokratik.

“Pikërisht kjo logjikë e mbrapsht e funksionimit përbrenda partive e ka sjellë Kosovën në një gjendje të rendë socio-ekonomike. Ka pak rast kur partitë politike parlamentare pozitë-opozitë kanë gjetur një emërues të përbashkët, por të mos thënë asnjëherë. Është shumë normale të ketë mospajtime konceptuale për ndonjë çështje të caktuar, por ato mospajtime të jenë në rrafshin konstruktiv e jo e inateve politike në mes partive politike”, është shprehur ai.

Sipas tij, opozita konstruktive mundë të llogaritet si telekomandë për një qeverisje të mirë, duke kontrolluar qeverinë në politikë bërjen e saj, duke dhënë kritika konstruktive dhe duke dhënë aleternativa për politika të caktuara qeverisëse.

“Mbi të gjitha interesi publik duhet të jetë primar në raport me politikat partiake. Vetëm në kete mënyre mund të ndërtohet mirëbesimi jo vetëm qytetarë parti politike, por edhe raporti pozitë-opozitë”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat