PD dënon sulmin ndaj Konsullatës turke në Prizren

Aktuale

PD dënon sulmin ndaj Konsullatës turke në Prizren

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 16:30
Partia e Drejtësisë

Partia e Drejtësisë dënon ashpër sulmin e rëndë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Turqisë në Prizren, duke e vlerësuar si akt të izoluar të individëve të papërgjegjshëm dhe kërkon nga autoritetet shtetërore zbardhjen e plotë të rastit e dënimin e merituar të kryesve të kësaj vepre të shëmtuar, si dhe ndërmarrjen e të gjithave masave të sigurisë që akte të tilla të mos përsëriten më.

“Partia e Drejtësisë shpreh keqardhje për ngjarjen e turpshme në ditën e festës kombëtare të Shqiptarëve dhe siguron autoritetet shtetërore të Republikës së Turqisë se tek qytetarët dhe institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës do të kenë gjithmonë miq të sinqertë dhe të përkushtuar për ndërtimin e marrëdhënieve vëllazërore dhe miqësore ndërshtetërore në dobi të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, thuhet në reagimin e PD-së.

Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, thotë PD, “nuk do të harrojnë kurrë ndihmën vëllazërore që populli dhe Qeveria e Republikës së Turqisë ia kanë dhënë dha vazhdojnë t’ia japin shtetit tonë gjatë periudhës së okupimit, luftës për liri dhe pavarësi, dhe aktualisht shtetndërtimit të vendit dhe njohjes së tij në arenën ndërkombëtare”. “Aktet e këtilla të izoluara nuk guxojnë të paraqesin asnjë rrezik për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet popujve dhe shteteve tona”, përfundon reagimi i PD-së./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat