Policia arreston hajnat që i hynë në shtëpi Kryeprokurorit Lumezi dhe ia vodhën telefonin

Aktuale

Policia arreston hajnat që i hynë në shtëpi Kryeprokurorit Lumezi dhe ia vodhën telefonin

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 17:25
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për “vjedhje të rënda” dhe “vjedhje të veturave”, ndërsa një i dyshuar tjetër ndodhet në kërkim policor. E veçanta e këtij aksioni është se në komunikatën e lëshuar për media, përmendet se që cak i sulmeve të këtij grupi ishte edhe shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ditë më parë ka konfirmuar se i është vjedhur telefoni i tij.

“Të gjitha gjësendet e sekuestruara janë dëshmi momentale për së paku pesë raste të vjedhjeve të veturave dhe një rasti të vjedhjes së rëndë ku cak ka qenë edhe shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Policia.

Zyrtarët për informim nuk kanë dhënë informata shtesë përveç kësaj komunikate.

Aty thuhet se duke u bazuar në hetimet policore ky grup dyshohet se është i përbërë nga katër persona, por që numri i tyre mund të jetë edhe më i madh.

“Ky grup, dyshohet të ketë kryer vjedhje të rënda në lagjen Veternik dhe në fshatin Çagllavicë, kryesisht nëpër shtëpi, ku para tyre ka pasur të parkuara vetura të shtrenjta. Të njëjtit vjedhjet i kanë kryer pas mesnate, derisa banoret kanë qenë duke fjetur, me ç’rast ata kanë vjedhur gjësende me vlerë dhe çelësat e veturave dhe me pas në largim e sipër duke i vjedh edhe veturat”, thuhet në komunikatë.

Pas arrestimit dhe gjatë bastisjes së banesave të tyre, policia konfirmon se ka konfiskuar, vinça për vetura, maska, dorëza, çelësa dhe dokumente të veturave që dyshohet të jenë të vjedhura, çekan, kaçavida, rroba për kamuflim, një pako e dyshuar me narkotik, tri libra të veturave BMË X6, gjashtë fishek etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat