Zbulohet plani, ja çka tentuan të bëjnë me telefonin e kryeprokurorit Lumezi

Aktuale

Zbulohet plani, ja çka tentuan të bëjnë me telefonin e kryeprokurorit Lumezi

Më: 28 nëntor 2016 Në ora: 21:48
Aleksandër Lumezi

Avokatja e njërit të dyshuar për vjedhjen në shtëpinë e Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi flet për deklaratat e klientit të tij gjatë marrjes në pyetje në polici.

“E kam një telefon nëse don me e marr”.

Ky pretendohet të jetë njëri nga muhabetet e para të cilin e kishin bërë të dyshuarit për vjedhjen e telefonit në shtëpinë e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, pak orë pasi kishin dalë nga shtëpia e tij.

Vjedhja ka ndodhur më 22 nëntor në orët e hershme të mëngjesit ndërsa dy oficerë policorë janë suspenduar për shkak të neglizhencës në këtë rast.

Kështu të paktën ka rrëfyer në polici njëri nga personat e arrestuar gjatë ditës së sotme.

Në një intervistë ekskluzive për kallxo, avokatja Fetije Uka që është mbrojtëse e të dyshuarit M.G. ka shpjeguar deklaratat e klientit të saj të dhëna gjatë marrjes në pyetje në polici.

Sipas avokates, klienti i saj është një recidivist por “nuk ka gisht në ngjarje”. Ajo pretendon se klienti i saj  është takuar me të dyshuarit pasi ata e kishin kryer veprën.

Siç përshkruan avokatja, miqtë e të dyshuarit, njëri prej të cilëve thuhet të jetë kushëri i tij, pasi kishin pirë kafe, i kishin treguar klientit të saj një telefon të cilin i kishin thënë se “e kanë marrë në Veternik”.

“Pasi është kthy në shtëpi, klienti im i ka dëgju lajmet dhe i ka thirrë në telefon dhe i ka pyet se mos është ai telefoni që ma treguat, telefoni për të cilin po flasin mediat”, tha avokatja Uka.

Ajo tha se klienti i saj “nuk e ka prekur telefonin e as nuk ka gisht në këtë ngjarje” përderisa shtoi se nuk është në dijeni për fatin e telefonit i cili është vjedhur në shtëpinë e Kryeprokurorit.

Gjatë ditës policia njoftoi për arrestimin e një grupi të të dyshuarve të cilët besohet se kryen vjedhje në shtëpinë e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Polica njoftoi se ka zbuluar një varg provash materiale por nuk dha detaje nëse ka arritur të gjejë vendndodhjen e telefonit të vjedhur të kryeprokurorit të shtetit.

Menjëherë pas incidentit të vjedhjes, në shtëpinë e Lumezit janë vendosur kamera të sigurisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat