Flamuri turk krah flamurit kombëtar, tendencë për ndryshimin e historisë?

Aktuale

Flamuri turk krah flamurit kombëtar, tendencë për ndryshimin e historisë?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 29 nëntor 2016 Në ora: 09:24
Ilustrim

“Të shihet flamuri Kombëtar me 28 Nëntor krahas atij Turk në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, është njëjtë sikur në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës të vihej flamuri serb dhe ai i Kosovës së bashku”. Kështu ka vlerësuar në një prononcim për “Bota sot”, Kryetari i Ballit Kombëtar Demokratik për Kosovën Gazmend Islami, me rastin e vënies së flamurit të Turqisë krah flamurit të Shqipërisë, në Prizren me rastin e festës së 28 nëntorit.

“Kjo lojë e ndyrë e atyre që kanë menduar, këtë tregon më së mirë se deri ku ka shtrirë rrënjët pushtuesit tonë shekullor dhe kështu po lëshon rrënjë edhe pushtuesi i fundit. Kjo është fyerje për qindra mijëra dëshmorë që ranë për 500 vite. Po të kishim shtet normal në asnjë mënyrë nuk do të lejohej që të luhet me ndjenjat shqiptare, ata që e ndiejnë veten turq le të shkojnë në Turqi por mos të përdhosin flamurin tonë të shenjët që nuk duron afër flamurin turk”, ka thënë Islami.

Ndërkaq, sipas njohësit të çështjeve politike, Arbër Gashi, ka thënë për gazetën “Bota sot”,se festa e 28 Nëntorit është një ditë shumë e veçantë për shqiptarët.

“Për shkak të së kaluarës historike emocionet në këtë ditë rikthejnë ndjenjën e qëndresës shqiptare ndaj fqinjëve agresor dhe ringjallë kujtesën për Besëlidhjen e Lezhës, në të cilën, shqiptarët lidhën besën për të mbrojtur etninë dhe pavarësinë e principatave shqiptare kundër invadimit osman. Andaj, është mëse e nevojshme të thuhet se emocionet mund të shkaktojnë edhe kundërshtime të rastit, siç është ky i sotmi, i cili, shpresojmë të mbetet i izoluar dhe të mos shkaktojë probleme të panevojshme në marrëdhënjet tradicionalisht të mira me pakicën turqishtfolëse në qytetin e Prizrenit. 28 Nëntori, ju pëlqeu të tjerëve apo jo, për ne shqiptarët është jo vetëm ditë feste, por edhe ditë përkujtimi. Në këtë ditë, ne i përkujtojmë edhe viktimat e shumta të gjenocidit osman e atij serbogrek ndaj shqiptarëve”, ka deklaruar Gashi.

Ndërkaq, analisti Ismet Haziri, ka bërë përgjegjëse Komunën e Prizrenit lidhur me shfaqjen e flamurit turk krah atij shqiptar.

“Sa i përket pyetjes suaj në lidhje me shfaqjen e flamurit të shtetit të Turqisë, krah për krah  me flamurin kombëtar, mendoj se kjo duhet të jetë përgjegjësi e kryetarit të Komunës si i zotit i shtëpisë. Ne si shqiptar duhet të kultivojmë raporte të mira së pari me qytetarët e Kosovës që janë pakica, të mos  i lëndojmë ata në asnjë mënyrë, pra duke aluduar në këtë rast në minoritetin turk që jeton në Kosovë”, ka deklaruar Haziri.

Sipas tij, shfaqja e flamurit Turk në një ditë shumë të veçantë, ishte e pakuptimtë.

“Si një ditë më e madhe shqiptare që ka lindur pikërisht nga shpallja e pavarësisë së gjysmës së shtetit shqiptar duke u mëvetësuar nga robëria pesë shekullore e perandorisë otomane, në këtë raste është edhe e pa kuptimet dhe e pa pranueshme, që për mua politikisht po e mohon pavarësinë e shqiptarëve dhe nuk shoh ndonjë arsye të veçante te shpërfaqet flamuri turk pikërisht në këtë dite, përderisa gati në asnjë komunë nuk është dukur as flamuri i Kosovës që është obligim kushtetues, por ne këtë raste moralisht është e pranueshme ngase populli ka nevojë t`i manifestoj ndjenjat ashtu si  i ndien”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, fatkeqësisht në  Kosovë ka më shumë pushtet se llogaridhënie.

“Nëse dikush dëshiron që rrjedhat e historisë të i ndryshoje  se ka interesa  të caktuar është shume gabim, ngase  veprimet e momentit janë të pa rëndësishme kur përballen me të vërtetën historike, e historia  e vërtet është se shqiptaret në perandorin Osmane  se bashku me trojet  etnike kanë qenë kusure politike në interesat e fuqive të mëdha duke na tkurrur  në territor dhe duke na sakatosur ne popullatën që si elemente  i besimit islam ishin të padëshirueshëm dhe me marrëveshjet e mbretërive sllave dhe të qeverive greke me Turqinë, me miliona shqiptar merren rrugët e pa kthim drejte Anadollit”, ka thënë ai.

Mirëpo, sipas Hazirit, Kosova duhet të ketë raporte të mira me pakicën turke në Kosove të cilët edhe duhet të jen urë lidhëse e bashkëpunimit me shtetin turk, por duke i njohur faktet historike dhe fakte  reale  mbi ekzistimin e dy minoriteteve ne të dy vendet dhe njohjen absolute të gjitha të drejtave.

Ndërkaq, analisti Zydi Xhelili, ka deklaruar se incidenti i Prizrenit nuk duhet ta zbeh rëndësinë e 28 nëntorit.

“Në Prizren krahas flamurit tonë kombëtar qenka shfaqur edhe flamuri i Turqisë. Nuk di me tepër për këtë ngjarje mbase mund të jetë incident por ajo që di, asgjë nuk mund ta zbeh këtë festë të madhe kombëtare të shqiptarëve që me dinjitet të madhe po festohet gjithandej. Në këto incidente nuk ka vend për brengosje sepse shqiptaret e Kosovës në historinë më të re kanë respekt për shtetet që dhanë kontribut në çlirimin e Kosovës dhe në njohjen e pavarësisë”, ka deklaruar ai./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat