Der Standard: Cili shtet ballkanik do pranohet i pari në BE, Kosova ka probleme me Vetëvendosjen

Aktuale

Der Standard: Cili shtet ballkanik do pranohet i pari në BE, Kosova ka probleme me Vetëvendosjen

Fitim Dika Nga Fitim Dika Më 29 nëntor 2016 Në ora: 16:09
ilustrim

Komisioni Evropian i ka dërguar sinjale të qarta Turqisë. Serbia dhe Kosova janë vlerësuar. Me Shqipërinë së shpejti do nisin negociatat për anëtarësim. Pas Brexit kanë mbetur edhe shtatë shtete që presin për t’u anëtarësuar në BE. Bisedimet ishin nisur me Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë, ndërsa Maqedonia dhe Shqipëria akoma presin. Bosnja dhe Kosova vlejnë akoma si “kandidate potenciale”. Në vijim keni vlerësimet për secilin shtet sipas të përditshmes austriake Der Standard, të përshtatur ekskluzivisht nga Bota sot.

Shqipëria

Shqipëria mori verës 2014 statusin kandidat dhe u festua në rrugët e Tiranës. Komisioni Evropian së fundi ka uruar për reformat vendin shqiptar, duke i kërkuar që të vijojë rrugën e përparimit. Ka deficite sa i takon punës së Prokurorisë dhe Gjykatës, ku akoma ka të punësuar të lidhur me krimin dhe bandat e narko-trafikantëve. Ky dikaster pritet të përmirësohet pas zgjedhjeve të 2017. Në raport vlerësohet edhe shkatërrimi i fushave të mbjella me bimë narkotike në Lazarat, me vlerë prej 4.5 miliardë euro, sa gjysma e PBB.  Për të filluar bisedimet me Shqipërinë, duhet ta miratojnë 28 shtetet anëtarë të BE. Anëtarësimi në BE: Larg, por në rrugën e duhur.

Bosnja dhe Hercegovina

Bosnja ka vërtet probleme të mëdha stagnimi me luftën kundër krimit, korrupcionit dhe të drejtës së pakicave. Në vitet e fundit Bosnja nuk është afruar aspak në drejtim të BE. Në Mostar nuk mund të organizohen zgjedhje lokale, përshkak të zënkave mes boshnjakëve dhe kroatëve. Personat që nuk deklarohen si boshnjakë, serbë dhe kroatë nuk mund të marrin asnjëherë poste qeveritare. Struktura politike me gjithë këto probleme, sikur vetë nuk dëshiron afrimin me vlerat evropiane. Ata frikësohen se mund të humbasin në këtë mënyrë pushtetin.
Anëtarësimi në BE: Shumë larg.

Serbia

Serbia ka hapur negociatat me BE në 2014, ndërsa pika më e vështirë e saj është Kapitulli 35, që parasheh normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Gjithashtu ka edhe mangësi tjera në krijimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër korrupcionit dhe ka stagnuar në përparimin e lirive të mediave. Pavarësisht se një ministre serbe është lesbike, komuniteti LGBT nuk trajtohen mirë, vlerësohet në raportin evropian. Ngjashëm vlen edhe për komunitetin romë.

Anëtarësimi në BE: I mirë.

Mali i Zi

Komisioni Evropian vlerësoi se zgjedhjet e tetorit 2016 në Malin e Zi i plotësuan kushtet. Megjithatë kërkohet depolitizim i administratës së vendit. Ky është problem edhe në vendet tjera të Ballkanit perëndimor, ku drejtorët përcaktohen vetëm përmes letrave partiake. Si kusht vlerësohet edhe lufta kundër korrupcionit, të drejtat e romëve dhe stagnimi sa i takon përparimit të lirisë së mediave. Dhuna fizike ndaj gazetarëve është çështje ditore. Vendi i Adriatikut pritet të anëtarësohet së shpejti në NATO. Anëtarësimi në BE: I mirë, por me probleme strukturale, ku vështirë të arrihet përparim.

Kosova

Kosova nuk është njohur si republikë nga pesë shtete dhe zyrtarisht nuk është vend kandidat. Në prill u fut në fuqi asocim stabilizimi, ndërsa KE e ka vlerësuar Kosovën se ka arritur përparime, megjithatë duhet të punojë më shumë në të drejtat e komunitetit LGBT. Komisioni ka kritikuar edhe polarizimin e fuqishëm mes partive opozitare dhe pozitare. Këtu mendohet partia opozitare Vetëvendosja, që punën e parlamentit e ka bllokuar disa herë me gaz lotsjellës dhe ka bërë thirrje disa herë për trazira. Gjithashtu lufta kundër korrupcionit akoma ka shumë punë. Anëtarësimi në BE: Akoma larg, por me përmirësime të vogla.

Maqedonia

Sipas raportit të KE, Maqedonia ndodhet në situatën më të rënduar politike nga 2001, që për pak sa nuk eskaloi në luftë mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Vendi ndodhet përpara problemeve për krijimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Zgjedhjet janë në 11 dhjetor, që nëse do jenë të lira e demokratike, do vendosin për të ardhmen e saj drejt strukturave evropiane. Shumë persona frikësohen në Maqedoni se vendi po shkon drejt një diktature. Anëtarësimi në BE: gjithmonë e më i keq.

Turqia

Shteti i fundit nuk trajtohet më nga raportet e KE, për shkak të arrestimit të shumë gazetarëve dhe kërkesës së qeverisë turke për të rifuqizuar dënimin me vdekje. Edhe Turqia në anën tjetër nuk duket shumë entuziaste për anëtarësimin e saj në strukturat evropiane.

Anëtarësimi në BE: Nuk trajtohet./Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat