Përfundon seanca për sot, vazhdon nesër

Aktuale

Përfundon seanca për sot, vazhdon nesër

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 07:47
Pamje nga kuvendi

(E plotësuar) - Kuvendi shqyrtoi propozim-vendimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, të kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit, të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa Naser Osmani, propozoi që për kryesues të bordit të jetë paga 1 mijë e 555 euro, kurse për anëtarë nga 1300 euro. Këtë e kanë mbështetur dy grupet parlamentare LDK, dhe PDK, por  kërkuan që të bëhet me ligj nivelimi i pagave në Kosovë.

Po ashtu u shqyrtua Propozim-vendimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e kompensimeve për kryetarin, nënkryetarët dhe anëtarët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore.

Deputetët e Kuvendit po ashtu  shqyrtuan Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015,  Rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017.

Punimet e seancës së sotme kanë përfunduar për të vazhduar nesër me votimin e disa projektligjeve dhe raporteve pasi që sot nuk pati kuorum.

Nesër po ashtu pritet që të votohen dy anëtarë të Bordit të RTK-së ndërsa në garë janë Afërdita Maliqi, Naile Demiri, Ganimet Klaiqi dhe Hazbije Qeriqi.

Hoti: Raporti i Auditorit më i mirë se i Qeverive të kaluara

Ministri i Financave Avdullah Hoti, duke vlerësuar raportin e Auditorit, tha se nga raporti 2015 ka një rritje 29 përqind krahasuar me vitin 2014 në përmirësimin e menaxhimit financiar në nivel vendi.

Sipas tij, opinioni i kualifikuar me theksim të çështjes, është klasifikimi jo adekuat që kanë të bëjnë me blerjen e librave që për Hotin nuk janë shqetësuese në aspektin e menaxhimit financiar të mjeteve financiare.

Hoti vlerësoi qëndrimin e Auditorit për efektet e politikave fiskale.

“Nuk ka vend për shqetësim për menaxhimin e financave publike. Sa i përket disiplinës financiare mund të keni vërejtje sa të doni, por raportet ndërkombëtare flasin ndryshe. Dinamika e borxhit publik është më e ulët se ajo e qeverive të kaluara”, tha Hoti.

Ai tha se subvencionet shumica ndahen për bujqësi që janë rreth 50 milionë euro.

Ndaj ministrit Hoti kanë reaguar deputetët nga PDK Bekim Haxhiu dhe Safete Hadërgjonaj.

Ata kërkuan nga ministri që të eliminohen të gjeturat e Auditorit ndërkaq Bekim Haxhiu kërkoi nga ministri të eliminohen këto të gjetura dhe “mos t’u mbaj vais” ngase është detyrë e Ministrisë që ato të eliminohen.

Edhe ky raport pritet që të hyjë nesër në votim pasi nuk ka kuorum.

Deputetët e PDK-së kritikë për Qeverinë LDK-PDK

Abdyl Ymeri nga PDK, ngriti çështjen e auditorit i cili tha se vlera prej 23 milionë eurove të keqplanifikuara është një vlerë e madhe.

Sipas tij, zyrtarë të institucioneve po vazhdojnë t’i shfrytëzojnë automjetet zyrtare pa mbajtur shënime për shfrytëzimin e tyre. Edhe keqmenaxhimi i prokurimit publik është shqetësues.

Kritika për Qeverinë pati edhe deputetja e PDK-së Safete Hadërgjonaj sipas së cilës vërehet se institucionet e Kosovës nuk janë në rrugën e duhur për menaxhimit të parasë publike, meqë është dhënë një opinion i keq për institucionet e Kosovës.

Sipas saj dështimi në planifikim është si pasojë e buxhetimit jo të drejtë nga Ministria e Financave dhe organizatat tjera buxhetore.

Hadërgjonaj tha më tej se planifikimi i investimeve të pa planifikuara është shqetësuese për vendin.

Po ashtu ajo potencoi faktin se  ka një ngecje të realizmit të projekteve kapitale dhe rritja e huamarrjes.

“Mënyra se si e menaxhon qeveria buxhetin sot do të ketë problem buxhetore edhe në vitet e ardhshme”, tha Hadërgjonaj.

Auditori i përgjithshëm: Qeveria ka keqplanifikuar 23 milionë euro

Besnik Osmani, auditor i përgjithshëm ka prezantuar në Kuvend raportin vjetor të Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2015.

Ai tha se Qeveria e Kosovës ka keqplanifikuar 23 milionë euro, edhe 2 milionë euro tjera si pasojë e gabimeve nga institucionet tjera.

Nuk votohen disa projektligje, mungojnë deputetët

 “Disa prej gjetjeve të tjera që kanë të bëjnë me prokurimin publik, ka: mangësi të menaxhimit të prokurimit publik, 11 mijë kontrata janë nënshkruar në vlerë prej 400 milionë euro, kjo vlerë kërkon menaxhim më të mirë me mjetet e taksapaguesve. Nuk janë monitoruar  kontratat tenderuese dhe ka pasur edhe blerje  pa kërkesë të institucioneve. Kemi mbulim të pozitave me ushtrues detyre të stërzgjatura, kemi pasur 1300 të punësuar me kontratë mbi vepër në të gjitha institucionet e Kosovës, shumica prej tyre pas pasur nevojë fare”, tha Osmani.

 Për të gjitha këto auditime,  institucionet kanë pranuar raportet.

 

Projektligji për Derivate nuk ka mundur sot të hyjë në votim pasi që Kuvendi nuk kishte kuorum.

Për nesër mbetet të votohen edhe Projektligji për Performancën Energjetike në ndërtesa, dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Akreditim.

Këto projektligje pritet që të hidhen në votim nesër në seancë, që është vazhdim i kësaj të sotit.

***

Pas një pushimi një orësh ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës. Për këtë pjesë kanë mbetur që të diskutohen edhe disa pika të parapara për seancën e sotme/

Veseli dhe Ymeri përplasen për rastin Dehari 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është përplasur gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës me kryetarin e VV-së, Visar Ymeri rreth vdekjes së Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit si dhe vdekjen e vëllait të tij rreth dy vite më parë, Arbnor Deharit.

Veseli ishte i pari ai i cili tha se kërkesën për diskutim i nxjerrë nga peticioni i nënshkruar nga më shumë se 23 mijë qytetarë ia kanë drejtuar Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione e jo Kuvendit.

Megjithatë, Veseli tha se nëse kërkohet që të  diskutohet në Kuvend, shkeljet ligjore do t’i marr vet parasysh dhe do ta shtrojë këtë çështje në Kuvend, por sipas tij  në këtë rast do të hapen letrat dhe të shihet nëse Astrit Dehari është vrarë, vetëvrarë apo është shtyrë të vetëvritet.

Veseli: Nëse kërkoni të flitet, t’i hapim letra për Astrit Deharin

“Unë e them se një djalë i ri është e vërtetë se ka vdekur në Kosovë. Një djalë i një familje që ka dhënë shumë, duhet të flitet në këtë kuvend në momentin e caktuar. Tash po flas edhe nga pozicioni im politik, në momentin e caktuar kur nuk ka manipulime të cilat po tentojnë të barten, grupi parlamentar i PDK-së do t’i jep nënshkrimet, ky moment është brenda muajit dhjetor, duhet të flitet për shkaktarët e vërtetë që e kanë shtyrë një djalë të ri t’ia merr jetën vetvetit, duhet të flitet për ata që e kanë nxitë, duhet të flitet për një sistem të drejtësisë, për një sistem të drejtësisë që duke e ditur se e ka pas një vëlla të vetëm të vetëvrarë, e ka lënë prapë një situatë derisa për një aktakuzë tre të tjerë i ka lënë jashtë, njëra prej tyre është vetëm pse ka qenë mbesa e Visar Ymeri ka mbetur jashtë e djali tjetër i cili ka qenë vëllai i u ka vra një vit përpara, s’e kanë marrë parasysh, ky është sistemi i jonë i brishtë i drejtësisë. Ka me u fol në këtë kuvend, po ua jep fjalën dhe kanë me u hap të gjitha letrat, duhet me marrë përgjegjësi, kush e ka nxitë dhe kush e ka shkaktu vrasjen e tij apo vetëvrasjen e tij”, tha ai.

Kurse, Visar Ymeri e kundërshtoi Veselin duke i thënë se po e konstaton vdekjen ende pa përfunduar hetimet.

Ymeri tha se derisa ende nuk po dihet se si ka ndodhur vdekja e Astritit, Veseli po e konstaton se ai është vetëvrarë.

Ymeri tha se Vesli po konstaton edhe për vëllain e Astritit, Arbnorin që është vetëvra, për të cilin po ashtu tha se ende nuk është konstatuar një gjë e tillë edhe pas dy viteve hetim.

Andaj, Ymeri pyeti nëse këto vrasje apo që Veseli po i quan  vetëvrasje , lidhen me deklaratën e këtij të fundit të bërë ditë më parë në Kuvend, ku sipas Ymerit është thënë “Ruajuni se po vetëvriteni”.

Image

Ymeri: Kadri Veseli na ka thënë mos u vetvrani

“Qe dy vjet e gjysmë ka hetime për rastin e Arbnor Deharit, asnjëherë nuk është konstatuar se si e ka humb jetën Arbnor Dehari. Pra ka pas hetues të ndryshëm, ju e keni dëgjuar edhe familjen e Astritit dhe Arbnorit që kanë treguar për këtë punë edhe hetimet nuk kanë përfunduar, janë ndryshuar hetuesit por hetimet nuk kanë përfunduar edhe tash Kadri Veseli po na thotë që edhe Arbnori është vetëvrarë.  Ky pe din pa u përfunduar hetimet, qeky Kadri Veseli i cili këtu në seancë neve na pat thënë kujdes mos u vetvrani, kujdes se po e vrani veten dhe pastaj natyrisht tash konstaton që paska vetëvrasje, pa u ditë kjo punë, pa u konstatuar kjo punë nga organet përgjegjëse. Prandaj hetimi i pavarur do të na tregonte nëse ka lidhshmëri në mes të fjalisë së Kadri Veselit për vetëvrasje dhe vetëvrasjeve të konstatuara për aktivistët tanë, këtë duam ta dimë ne, por këtë nuk po e lejon Kadri Veseli, sepse ky e kon trollon shtetin edhe tash del shpif këtu thotë pse e lanë atë jashtë, mbesën e Visar Ymerit e pse këtë e futën brenda. Pse pra, edhe ne po pyesim pse u arrestuan aktivistët tanë, edhe pse u montohen raste aktivistëve tanë edhe pse vdes njeriu në burgun e Kosovës, këtë po duam ta dimë ne që po e pengon ti”, deklaroi Ymeri.

Për të diskutuar për Astrit Deharin në Kuvendin e Kosovës, Grupi Parlamentar i VV-së ka kërkuar peticion ditë më parë duke grumbulluar nënshkrime.

Një seancë e tillë nuk është miratuar as sot nga deputetët e Kuvendit të Kosovës

"Dikush po frikësohet nga e vërteta për rastin Dehari"

Veseli ka thënë se dikush po frikësohet nga e vërteta, por kësaj çështjeje do t’i shkojnë deri në fund, në mënyrë që askush të mos mund të manipulojë me qytetarët.

“Më 14 dhjetor, Grupi Parlamentar i PDK-së do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme për rastin Dehari, në mënyrë qatë dihet e vërteta, ciladoqoftë ajo”, ka thënë Veseli.

Në të njëjtën kohë, Veseli ka thënë se duhet të dihet pse sistemi i drejtësisë mban në burg një njeri, ndërkohë për të njëjtën akuzë, pra si të dyshuar për terrorizëm, i lë jashtë tre të tjerë.

“Dikush duhet të japë përgjegjësi për këtë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se dikush gjithashtu duhet të jap përgjegjësi edhe për masat mbrojtëse për të akuzuarit, cilat kanë qenë ato.

Veseli ka thënë se duhet t’u shkohet deri në fund hetimeve dhe të mos manipulohet për ta dëmtuar Kosovën.

Deputetët e opozitës largohen nga seanca

Deputetët e Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës janë larguar nga salla ku po mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës.

Në sallë po qëndrojnë vetëm tre deputetë të VV-së të cilët para foltores po mbajnë pankartën me mbishkrimin “Drejtësi për Astritin”.

Në këto çaste po diskutohet marrëveshja për IPA-n.

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, ka ngritur shqetësimin e tij në lidhje me investimet në infrastrukturën sportive, me projektbuxhetin e vitit 2017.

Haxhiu tha se ka ngecje dhe neglizhencë të Ministrisë së Sportit për investimet në këtë fushë.

Sipas deputetit të PDK-së qytetarëve të Kosovës deri në vitin 2019 do t’u pamundësohet që ndeshjet e përfaqësueses së Kosovës t’i shohin në Kosovë.

Haxhiu po ashtu ka ngritur shqetësimin e tij pse është hequr nga buxheti projekti për lagjen e Jasharave

Zafir Berisha brengoset për sigurinë në vend

Deputeti nga Nisma për Kosovën Zafir Berisha në fjalën e tij para deputetëve ka ngritur si shqetësim për siç tha ai "sigurinë në Kosovë".

Hajdutët me maska, të cilët sipas Berishës për fatin e keq të qytetarëve, nuk luftohen sa duhet nga hajdutet pa maska në institucione.

“Futja e hajduteve me maska nëpër shtëpi të qytetarëve në Prizren, ka pasojë traumat e fëmijëve dhe personave tjera. Vjedhja e kryeprokurorit të shtetit është tregues i qartë se deri ku ka degraduar siguria në Kosovë. Qytetarët nuk janë të sigurt në shtëpi të tyre. Kemi qindra shtëpi dhe biznese që çdo natë vidhet deri tek shtëpitë e deputetëve ku familjarët kanë përfunduar në spital. Qytetarët janë të pasigurt në Kosovë. Në shkolla ka therje e rrahje. Në punë jemi të pasigurt. Nëpër spitale jemi të pasigurt. Nëpër burgje kemi rastin e Astrit Deharit dhe në duart e institucionit të shtetit jemi të pasigurt”, tha Berisha.

Ai ka folur edhe rreth produkteve me afat të skaduar që konsumohen nga qytetarët e Kosovës.

Lekaj: Qeveria duhet t’i mbrojë njerëzit e Kosovës nga shpifjet serbe

Shefi i Grupit të AAK-së Pal Lekaj folur para deputetëve në lidhje me disa shkrime në mediat serbe për kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj.

Lekaj tha se Qeveria duhet t’i mbroj njerëzit e Kosovës nga këto shpifje.  “Armiqtë tentojnë të godasin aty ku është më së forti. Ramushi ka marrë goditje nga ata që janë kundër vlerave pro perëndimore të Kosovës. Haradinaj ka qenë çdo herë në ballë të proceseve. Nëse dikush mendon se me shpifje të tilla zbehin fuqinë e  Ramushit në Kosovë e kanë gabim. Haradinaj e ka pasur çdo herë mbështetjen e popullit”, tha Lekaj.

Nuk votohet kërkesa e VV-së për seancë të jashtëzakonshme për Astritin

Një seancë të jashtëzakonshme për Astrit Deharin e kanë përkrahur AAK dhe Nisma ndërsa PDK dhe LDK e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Kërkesa e VV-së është hedhur në votim ndërsa kjo nuk është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Veseli: Do të zbulohet kush e ka nxit vetëvrasjen e Astritit

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli duke folur për rastin e Astrit Deharit ka premtuar se së shpejti do të ndriçohet.

Veseli tha se edhe në Kuvend do të ketë seancë ku do të debatohet për këtë rast e që siç tha ai do “ketë hetime edhe për shkaktarët që e kanë nxitur që një djalë i ri t’ia merr jetës veten”.

Veseli ka hedhur dyshime edhe tek sistemi i drejtësisë për të cilin tha se “mbesa e Visar Ymerit është lënë në shtëpi, ndërsa një djalë, vëllai i të cilit para dy vitesh  është vetëvrarë e kanë lënë vet”.

“Ky është sistemi i jonë i drejtësisë”, tha Veseli.

***

Vetëvendosje kërkon sërish seancë të jashtëzakonshme për Deharin

 Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca propozoi sërish Kuvendit që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për rastin e Astrit Deharit.

Konjufca në fjalën e tij ka përsëritur të gjithë procesin që nga vdekja e Astrit Deharit e deri më sot duke akuzuar institucionet e Kosovës për vdekjen e tij në burgun e Prizrenit.

Konjufca ka akuzuar edhe partitë në pushtet për siç ka thënë ai “presionin tek deputetët që të mos nënshkruajnë për një seancë e jashtëzakonshme”.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash e kanë miratuar Ligjin për Obiliqin.

Për ligjin për Obiliqin kanë votuar 71 deputetë të Kuvendit.

Kryetari Kadri Veseli i ka uruar banorëve të Obiliqit për këtë ligj dhe kryetarin Xhafer Gashi, i cili ishte prezent në këtë seancë.

***

Vetëvendosje, sërish shpalos pankartën “Drejtësi për Astritin”

Seanca e Kuvendit edhe sot ka filluar me një aksion simbolik të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët [para foltores së Kuvendit e kanë shpalosur pankartën “Drejtësi për Astritin”.

Madje deputetët e VV-së në palltot e tyre kanë vendosur shenjat me fotografinë e Astrit Deharit, i cili ka vdekur më 5 nëntor në burgun e Prizrenit në rrethana të paqarta.

 Ndryshe dje Iniciativa Qytetare ka dorëzuar një peticion me mbi 23 mijë nënshkrime me anë së cilit kërkohet seancë e jashtëzakonshme për aktivistin Dehari.

Sot mbahet seanca e Kuvendit

Sot në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca e radhës, ku në rend dite janë 20 pika të cilat priten që të diskutohen.

R e n d i  i  d i t ë s:

1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2. Koha për pyetje parlamentare,

3. Miratimi i procesverbalit nga seancat e mëparshme,

4. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (për ratifikimin e kësaj marrëveshje kërkohen të paktën 80 vota “për”),

5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale,  (Komisioni funksional për Legjislacion ka propozuar me shmangie nga Rregullorja e Kuvendit, shqyrtimi i parë dhe i dytë të behet në të njëjtën ditë në dy seanca plenare),

6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore,

7. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për kontrollin e brendshëm të financave publike,

8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Inspektoratin Shëndetësor,

9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, (për miratimin  e këtij Projektligji  kërkohen,  të paktën 61 vota „Për“, prej tyre 11 vota „Për“ të  komuniteteve që nuk janë  shumicë)  Amendamenti 2, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 81, paragrafi 1),

10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë,

11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për performancën energjetike në ndërtesa,

12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për akreditim,

13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rrethit të tij,

14. Shqyrtimi i Raportit vjetor i Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2015,

15. Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i  Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm  për vitin 2015,

16. Shqyrtimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015,

17. Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017,

18. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, të kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit, të Operatorit të Sistemit,  Transmisionit dhe Tregut-KOSTT sh.a.,

19. Shqyrtimi i Propozim-vendimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e kompensimeve për kryetarin, nënkryetarët dhe anëtarët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore,

20. Zgjedhja e 2  (dy) anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat