Antiterrori zbardh takimet e lëvizjet në Kosovë të të arrestuarve për terrorizëm

Aktuale

Antiterrori zbardh takimet e lëvizjet në Kosovë të të arrestuarve për terrorizëm

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 09:33
Burimet thonë se janë evidentuar nga vëzhgimi në teren dhe nga sistemi TIMS, se shtetasit Bekim Protopapa dhe Ergys Faslija, kanë udhëtuar drejt Kosovës në mes të muajit tetor.

Zbardhet itinerari i udhëtimit të fundit të 4 të arrestuarve në Shqipëri për terrorizëm. Burimet nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se, Bekim Protopapa dhe Ergys Faslija kanë udhëtuar drejt Kosovës një muaj para ndeshjes, ku janë takuar me disa nga 19 të arrestuarit në Kosovë, në xhaminë e ndodhur në lagjen “Dardania”, Kosovë. Po ashtu janë fiksuar edhe udhëtimet e Xhezair Fishtit dhe Medat Hasanit në Kosovë. Me ndihmën e homologëve në Kosovë, njësia e antiterrorist në Policinë e shtetit ka zbardhur takimin e fundit të të dyshuarve me disa nga 19 të arrestuarit në Kosovë, po për akuzën e terrorizmit.

Burimet thonë se janë evidentuar nga vëzhgimi në teren dhe nga sistemi TIMS, se shtetasit Bekim Protopapa dhe Ergys Faslija, kanë udhëtuar drejt Kosovës në mes të muajit tetor. Ky udhëtim, rezulton se është bërë vetëm një muaj para ndeshjes së 12 nëntorit me Shqipërinë dhe Izraelin. Burimet bënë të ditur se dy të dyshuarit, Protopapa dhe Faslija, kanë udhëtuar drejt Kosovës duke qëndruar një natë në Prishtinë. Ata kanë frekuentuar një nga xhamitë që ndodhet në lagjen “Dardania” në Prishtinë, e njohur si vend ku kryenin ritet fetare disa nga të arrestuarit e fundit për terrorizëm. Veç të tjerash, autoritetet e Antiterrorit në Kosovë, mësohet se në këtë xhami dhe aktivitetin e saj e mbajnë prej kohësh në vëzhgim, pasi dyshohet se aty predikohet pro luftës në Siri.

Në raportin e policisë së Kosovës, jepen detaje për takimet që Protopapa dhe Faslija kanë pasur me shtetasit shqiptarë të Kosovës, disa prej tyre tashmë të arrestuar vetëm pak ditë para ndeshjes Shqipëri- Izrael. Pas largimit nga Prishtina, mësohet se dy të dyshuarit për terrorizëm kanë udhëtuar për në Pogradec, ku janë takuar me ishluftëtarin e Al-Nusrës në Siri, Ervin Duka edhe ky tashmë i arrestuar për mbajtje të eksplozivëve dhe armëve pa leje. Ky takim, thonë burimet është evidentuar edhe nga agjentët sekret shqiptar. Takimin në Kosovë dhe Pogradec, mësohet se dy të arrestuarit e kanë pranuar, por ata kanë mohuar në mënyrë kategorike pretendimet se po planifikonin bashkë me shtetasit shqiptarë nga Kosova ndonjë sulm terrorist në Shqipëri. Takime në Kosovë, për agjentët e Antiterrorit ka bërë edhe imami i vetëshpallur i xhamisë së Kastriotit në Dibër, Xhezair Fishti dhe ish-efektivi i forcave Komando, Medat Hasani, njëherazi ishluftëtar i organizatës terroriste Al-Nusra në Siri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat