Çka fshihet prapa refuzimit të seancës së jashtëzakonshme për Astrit Deharin?

Aktuale

Çka fshihet prapa refuzimit të seancës së jashtëzakonshme për Astrit Deharin?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 30 nëntor 2016 Në ora: 14:33
Astrit Dehari

Deputetët e pozitës kanë kundërshtuar mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për Astrit Deharin. Peticioni me afër 30 mijë nënshkrime është përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, AAK-ja dhe Nisma.

Kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje, bashkë me nënshkrimet e qytetarëve nuk është përfillur nga pozita.

Besa Luzha nga Shoqëria Civile, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se pas refuzimit të seancës do të shohin për instrumente të tjera, me të cilat do të kërkohet drejtësi për Astritin.

“Ne dëshirojmë që presioni qytetar të ketë efekt në mënyrë që të funksionojë demokracia. Do të shohim çfarë instrumente të tjera kemi në dispozicion”, ka thënë Luzha.

Ndërkaq, sipas analistëve, peticioni i qytetarëve është dashur të respektohet i cili tash e sa ditë po kërkon drejtësi për Aktivistin e LVV-së.

“Synimi i thirrjes së seancës për Astrit Deharin në Kuvendin e Kosovës është që ti behet presion sistemit të Drejtësisë edhe nga organi Ligjvënës, duke kërkuar drejtësi për Astrit Deharin i cili vdiq në mënyrë misterioze në burgun e Prizrenit. Deputetet e pozitës duhet ta respektojnë peticionin e shoqërisë civile, i cili tash e sa ditë po kërkon drejtësi për Aktivistin e LVV-së, ku deputetet duhet të kuptojnë së aty janë për të përfaqësuar qytetaret,  e jo për interesa personale, dhe sa ma parë duhet tu përgjigjet peticionit të qytetarëve të republikës së Kosovës sepse me taksat e tyre edhe paguhen, e jo të injorohen ashtu sic jemi mësuar ti shohim edhe disa herë tjera!”, ka thënë analisti Islam Krasniqi.

Kurse, sipas analistit Faik Krasniqi, seanca për vdekjen e Astrit Deharit, është dashur të ndodhte menjëherë pas ngjarjes tragjike.

“Duhet të dihet e vërteta rreth vdekjes misterioze së Astrit Deharit, dhe nuk ka pasur nevojë që të bëhet peticion për një seancë për të, por deputetët është dashur që të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme, menjëherë pas vdekjes tragjike të tij. Padyshim që deputetët e pozitës duhet ta respektojnë peticionin e qytetarëve, sepse qytetarët e Kosovës duan ta dinë të vërtetën rreth vdekjes së tij. Duan ta dinë cila është e vërteta. Dhe për asnjë moment s'duhet ndaluar duke kërkuar drejtësi për të”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Sipas tij, Drejtësia në këtë rast duhet të kërkohet për të gjithë.

“Prandaj nuk e kuptoj hezitimin e deputetëve të pozitës për mosmbajtjen e një seance për Astritin. Besoj që diçka po fshihet mbrapa këtij hezitimi”, ka thënë ai.

Ndryshe, seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës është zhvilluar me akuza dhe kundërakuza ndërmjet deputetëve të pozitës e opozitës rreth vdekjes së Astrit Deharit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat