Institucionet e drejtësisë në veri, më 10 janar të vitit të ardhshëm

Aktuale

Institucionet e drejtësisë në veri, më 10 janar të vitit të ardhshëm

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 18:08
Delegacioni i Kosovës

Në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian u arrit dakordimi për finalizimin e zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi me datën 10 janar 2017. Bisedimet në Bruksel për këtë çështje zgjaten dy ditë dhe para pak çastesh u arrit marrëveshja për obligimet zbatuese dhe dinamikat e zbatimit të kësaj marrëveshje .

Me këtë rast, ministrja për Dialog, njëherit kryenegociatore, Edita Tahiri, deklaroi se dakordimi i arritur sot në Bruksel për finalizimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë ka rëndësi të madhe për Kosovën sepse kjo marrëveshje mundëson shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit në fushën e drejtësisë. Kjo Marrëveshje është e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e saj sepse institucionet shtetërore të drejtësisë me 10 janar 2017, do të fillojnë funksionimin tashmë në tërë territorin e shtetit tonë si dhe më në fund qytetarët do të mund të kërkojnë drejtësi nga institucionet shtetërore të Kosovës.

Zbatimi i marrëveshjes së Brukselit për drejtësi mundëson krijimin e sistemit unik të drejtësisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, që po ndodh pas shumë vitesh dhe këtë e mundësoi dialogu i Brukselit përkatësisht marrëveshja e Brukselit për drejtësi. Sipas marrëveshjes për drejtësi do të vendoset  një gjykatë themelore dhe një zyrë prokuroriale në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen shtatë komuna ashtu siç përcaktohet me Ligjin për Gjykatat e Republikës së Kosovës. Ligji për Gjykatat i Republikës së Kosovës /Nr. 03/L-199  neni 2.7, përcakton se Gjykata Themelore e Mitrovicës me seli në Mitrovicë themelohet për territorin e Komunës së Mitrovicës Jug dhe Mitrovicës Veri, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë. Sipas këtij ligji në Kosovë ekzistojnë gjithsejtë shtatë gjykata themelore.

Kjo marrëveshje shuan strukturat paralele në sistemin gjyqësor që kanë vepruar në veri të vendit në mënyrë ilegale. Sipas marrëveshjes për finalizimin e zbatimit me 9 dhjetor 2016 Serbia do të shfuqizojë kontratat e punës dhe do të ndal pagat për gjyqtarët dhe prokurorët serb të cilët do të integrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Serbia obligohet që ta njoftojë me shkrim BE-në, më së voni deri me 9 dhjetor 2016, se ka realizuar këto obligime zbatuese. Integrimi i tyre në sistemin e Kosovës do të bëhet me  10 janar 2017.

Delegacioni i udhëhequr nga ministrja Edita Tahiri kishte në përbërje edhe Nehat Idrizi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Tonka Berishaj, Ud. Kryetare e Gjykatës së Apelit, këshilltaren dhe koordinatoren e çështjes, Arjeta Rexhaj, Albert Avdiu, Drejtor i Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe koordinator i grupit të punës për drejtësi dhe përfaqësuesi nga Ambasada e Kosovës në Bruksel, Haxhi Bajraktari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat