O'Connell: Nuk kemi asnjë qëllim të ndërhyjmë në politikën e Kosovës

Aktuale

O'Connell: Nuk kemi asnjë qëllim të ndërhyjmë në politikën e Kosovës

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 18:43
Ruairi O’Connell

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, ka thënë se letra e tij, në emër të Kuintit, drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk është dashur, siç thotë ai të bëhej publike.

Ai përmes këtij postimi ka sqaruar se nuk ka pasur qellim të ndërhyj në politikën e Kosovës, “është populli i Kosovës ai që duhet të vendos për udhëheqësit e vet. Ka qenë një gabim në përkthim në gjuhën shqipe. Ne nuk kemi thënë se ka pasur ‘gjithmonë’ shqetësime. Por, ne kemi vërejtur se ka pasur shqetësime ‘historike’, ka shkruar O’Connell,

O’Connell në letrën drejtuar KQZ’së ka kërkuar që OSBE të monitorojë zgjedhjet në Drenas, për shkak të mundësisë së keqpërdorimeve, por ka shprehur keqardhje që letra është bërë publike.

Ky është postimi i plotë i O’Connell

E shoh se letra ime që kam shkruar në emër të Kuintit, drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është bërë publike. Më vjen keq që kjo letër është bërë publike, edhe pse është dashur të mbetet si korrespondencë private me autoritetin qëndror të zgjedhjeve. Si e tillë, ne nuk kemi asnjë qëllim të ndërhyjmë në politikë; është populli i Kosovës ai që duhet të vendos për udhëheqësit e vet. Ka qenë një gabim në përkthim në gjuhën shqipe. Ne nuk kemi thënë se ka pasur ‘gjithëmonë’ shqetësime. Por, ne kemi vërejtur se ka pasur shqetësime ‘historike’. Ne nuk kemi dëgjuar ndonjë akuzë për mashtrim para kësaj zgjedhje. Motivimi ynë ishte se, në një periudhë me tensione të larta politike, është e rëndësishme si për Kosovën ashtu edhe për rajonin që zgjedhjet të pranohen nga të gjithë si të lira dhe të drejta, dhe se monitorimi i OSBE-së do të ndihmojë për të siguruar këtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat