Cila është lidhja e Kadri Veselit me vdekjen e Astrit Deharit?

Aktuale

Cila është lidhja e Kadri Veselit me vdekjen e Astrit Deharit?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 dhjetor 2016 Në ora: 08:20
Kadri Veseli

“Në qoftë se vazhdoni kështu  me tendenca shumë të qarta, unë si kryetar i kuvendit nuk muj mbaj përgjegjësi për eskalimin e juj. Ju çdo fjalë që po e folni veç taksirat ndjellni ndaj njani tjetrit, i paqit në qaftë familjet e juaja por une nuk mbaj përgjegjësi. Po mundohna me evidentu po mundohna me ju largu ju pos fjalës vrasje, kriminal e keni hudhë mo e keni insalu në kët kuvend, runu ishalla veç se vrani vetën” u kishte thënë kështu, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetëve të Vetëvendosjes në një prej seancave të Kuvendit.

Kjo deklaratë e Veselit, e bërë para  një muaji ka sjellur menjëherë reagime nga Lëvizje Vetëvendosje.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ishte shprehur se përmes kësaj deklarate ai ka kërcënuar në seancë të kuvendit.

 “Kadri Veseli na ka thënë deputetëve të Vetëvendosjes se ruani se mos po vetëvriteni. Dhe ju e dini se ai i ka kapacitetet ta bëjë një gjë të tillë. Ky ishte një kërcënim i hapur”, ka thënë Ymeri.

Ndërsa pothuajse pas një muaji nga deklarata e Veselit dhe nga kundërpërgjigja e Ymerit, Lëvizja Vetëvendosje është duke e lidhur deklaratën e tij me vdekjen e aktivistit, Astrit Dehari.

Kryetari i VV, vdekjet e dy vëllezërve Dehari i konsideron vrasje, prandaj  gjatë një seancës në Kuvend ai e ka pyetur, Kadri Veselin, nëse ai ka lidhje me ato raste pasi që i quan vetëvrasje kur ende nuk janë mbyllur hetimet.

“Ky pe din pa u përfunduar hetimet, qeky Kadri Veseli i cili këtu në seancë neve na pat thënë kujdes mos u vetvrani, kujdes se po e vrani veten dhe pastaj natyrisht tash konstaton që paska vetëvrasje, pa u ditë kjo punë, pa u konstatuar kjo punë nga organet përgjegjëse. Prandaj hetimi i pavarur do të na tregonte nëse ka lidhshmëri në mes të fjalisë së Kadri Veselit për vetëvrasje dhe vetëvrasjeve të konstatuara për aktivistët tanë, këtë duam ta dimë ne, por këtë nuk po e lejon Kadri Veseli, sepse ky e kontrollon shtetin edhe tash del shpif këtu thotë pse e lanë atë jashtë, mbesën e Visar Ymerit e pse këtë e futën brenda” ka thënë Ymeri.

Ndërsa, mendim të njëjtë ndan edhe deputeti i VV-së, Glauk Konjufca.

Konjufca duke folur për rastin e aktivistit që kishte vdekur në burgun e Prizrenit, rast ky që u cilësua si vetëvrasje, ka kujtuar deklaratën e Veselit, kur i është drejtuar deputetëve më “kujdes se mos po e vrisni veten”,  pikërisht dy javë para rastit të Deharit.

“Kadri Veseli po parashikon vetëvrasje. Ky është problemi më i madh në Kosovë. Të parashikosh vetëvrasje është diçka. Dy javë më herët na tha rujuni se mos po e vrisni vetveten. Parashikim i vetëvrasjes. Kjo duhet të problematizohet” shprehet Konjufca.

Deklaratat e dy deputetëve të Vetëvendosjes kanë ngjallur reagime se mos ndoshta Lëvizja Vetëvendosje mund të dinë diçka më shumë, pasi që bëjnë lidhjen e Kadri Veselit me vetëvrasjen e Astrit Deharit.

Të pyetur nga “Bota sot” se cila mund të jetë lidhja e Kadri Veselit me vdekjen e Astrit Deharit dhe pse VV thotë se ai e ka parashikuar vetëvrasjen e Deharit, ata thonë se e gjitha lidhet me deklaratën e Veselit bërë më parë.

Zyrtari për  media në Vetëvendosje, Shkodran Hoti thotë se lidhja e Veselit me rastin e Deharit, vjen pas deklaratës dhe kërcënimit që i ka bërë deputetëve.

Ai thotë se sqarime për të gjitha duhet të jep Kadri Veseli.

“Mendoj që do të duhej vetë zoti Veseli të sqarohej për shpifjet që ka bërë dje, por edhe për vetë deklaratën e tij apo kërcënimin ndaj deputetëve. Ai duhet të sqarohet edhe për konstatimet se Astriti dhe vëllai i tij kanë bërë vetëvrasje, ndonëse për asnjëri rast nuk janë përmbyllur hetimet asnjëherë” deklaroi Hoti.

Gazeta "Bota sot", ka provuar të marrë një qëndrim të Kadri Veselit rreth kësaj çështje por nuk ka arritur, pasi ai nuk është përgjigjur në emailin e dërguar në kabinetin e Veselit.

Edhe, anëtari i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi lidhjen e Kadri Veselit me vetëvrasjen e Deharit  e bën duke iu referuar  deklaratës që i ka bërë deputetëve kur i ka thënë rujuni mos do ta vritni vetën.

“Unë mendoj se lidhja që e kanë bërë Visar Ymeri e Glauk Konjufca me Astrit Deharin dhe me parashikimin e vetëvrasjes është pas deklaratës që Veseli ka bërë, bazohen në kërcënimin që Kadri Veseli e ka bërë në njërën nga seancat e Kuvendit ( kur është diskutuar për vlerat e UÇK-së) aty ai ka thënë ruani mos e vrani veten” shprehet Bislimi.

Ndërsa analisti, Jeton Kelmenti thotë se nuk i beson këtyre varianteve se Veseli mund të ketë lidhje me vdekjen e aktivistit, Astrit Dehari.

Sipas tij Dehari nuk ka qenë aq i rëndësishëm sa që ta rrezikon Veselin apo dikë tjetër.

“Nuk besoj në asnjë variant. Astrit Dehari ka qenë një djalë i ri, një aktivist, nuk ka qenë ndonjë njeri i rëndësishëm që do t’i rrezikonte në çdo lloj aspektet as Kadri Veselin që po e akuzon Lëvizja Vetëvendosje e asnjë një njeri. Ai mund të ketë pasur ndonjë zënkë mes të burgosurve apo edhe mund të jetë vetëvrarë. Unë mendoj se është vetëvrasje se është një problem edhe i vëllait të tij dhe po keqpërdroret vetëvrasja e tij” shprehet Kelmendi.

Ai thotë se nuk e mbështet Kadri Veselin, mirëpo në këtë rast nuk beson se ka lidhje.

“ Unë nuk jam që mbështes as Kadri Veselin as dikë por këtu nuk mund të ketë lidhje asnjë lloj teorie. Ai mund të ketë bërë vetëvrasje që është gjëja më e padiskutueshme. Ka mund të ndodhë nga depresioni kjo vetëvrasje apo edhe ai ka mund të ketë marrë vesh ndonjë gjë për sulmin ndaj kuvendit edhe për atë që është dyshuar, apo dikush nga shefat e tij kanë mund t’i bëjnë ndonjë presion” pohon Kelmendi.

Kelmendi përsëriti se Astrit Dehari nuk ka qenë personalitet i rëndësishëm që oponetët e tij t’i frikësohen atij.

“ Astriti nuk ka qenë personalitet i rëndësishëm që oponetët e tij t’i frikësohen, prandaj është një politizim i skajshëm, krejtësisht i pamoralshëm dhe një keqpërdorim i tmerrshëm nga LVV dhe nuk mendoj se i bën mirë as Kosovës apo dikujt tjetër” përfundon Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat