Prokuroria: Të gjithë ata që vjedhin vota në Drenas do të arrestohen

Aktuale

Prokuroria: Të gjithë ata që vjedhin vota në Drenas do të arrestohen

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 11:23
Pamje nga konferenca e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë

(E plotësuar) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria dhe Policia e Kosovës janë të gatshëm për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Drenas që do të mbahen më 4 dhjetor(të dielën).

Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit në KQZ, Enis Halimi, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për ditën e votimit, materialet janë bartur në depo si dhe kanë përfunduar të gjitha aktivitetet si trajnimi i komisionarëve etj.

Megjithatë, Halimi nuk ka siguruar që listat e votuesve janë pastruar  qindpërqind,  por ai ka shtuar se listën e votuesve KQZ e merr nga ekstrakti i gjendjes civile.

Halimi: Listat e votuesve janë pastruar në masën më të madhe

“Është e vërtetë se janë disa probleme për shkak të pamundësisë së pastrimit të plotë po ta dini që KQZ-ja e merr ekstraktin e gjendjes civile nga MPB përkatësisht Agjencioni i Regjistrimit Civil dhe ai ekstrakt cilësia e atij ekstrakti reflekton edhe në cilësinë e listës së votuesve . që ta dini, me rrgeullativën tonë që e kemi në fuqi çdo qytetar që ka dokument valid të Republikës i lejohet e drejta e atij e votës edhe pse ai mund të jetoj në perëndim”,  tha Halimi.

Ndërsa sa i përket votimit të dyfishtë apo votimeve me ndihmë të familjarëve, Halimi ka thënë se një gjë e tillë është e ndaluar me ligj, mirëpo tha se  votuesit të cilët nuk dinë shkrim-lexim i kanë të caktuara rregullat se si do të votojnë në ditën e votimit.

Halimi: Votimi me ndihmë lejohet për shkak të analfabetizmit

“Sa i takon votimit të dyfishtë, ju po flisni për një vepër penale që si e tillë sanksionohet me kod penal, por është keqpërdorim i të drejtës dhe mundësisë që i ipet dikujt me votu dhe si e tillë është sanksionuar dhe pikërisht për këtë fakt jemi sot këtu që të zotohemi që nuk do të lejojmë dhe nëse dikush tenton do të merren masa. Ndërsa për votimet familjare ajo lejohet me rregullativë për shkak të sistemit tonë që kemi të zgjedhjeve, nuk është votim familjar,  por është votim me ndihmë apo votim me asistencë për shkak të gjendjes së personave të ndryshëm që kanë analfabetizëm apo diçka tjetër por janë kriteret e sakta ligjore se si lejohet të asistohet, lejohet të asistohet vetëm një herë, një person nga këshilli i votimit vetëm në një rast të vetëm dhe jo më shumë”, tha Halimi.

Sigurimin e votës së qytetarëve e ka deklaruar edhe Prokuroria e Shtetit.

Prokurorja Laura Pula tha se do të reagohet në të gjitha rastet e incidenteve gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve për çdo raportim për keqpërdorim.

Pula tha se do të merren masa të veçanta në rastet e dezinformimit apo informimit të rrejshëm përmes portaleve dhe rrjeteve sociale. 

Pula: Do të reagojmë në çdo informim për keqpërdorim

“Prokuroria e Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës bazuar në këto procedura standarde të veprimit do të ndalojnë dhe do të arrestojnë të gjithë ata që në çfarëdo mënyrë do të ndikojnë në keqpërdorimin e votës duke përfshirë mos të harrojmë: qytetarët, personat zyrtarë, trupat zgjedhore të emëruar nga KQZ-ja si dhe përfaqësues të subjekteve politike të cilët janë në garë dhe të gjithë ata personat përgjegjës që në çfarëdo mënyre mundohen nga çdo institucion tjetër që e kanë për obligim të ndikojnë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të sabotojnë në mënyrë, në një apo në mënyrë tjetër procesin zgjedhor në mënyra të ndryshme. Prokuroria e Shtetit do të reagojë në të gjitha informacionet e siguruara nga qytetaët, personeli zyrtar i angazhuar nga KQZ-ja, Policia e Kosovës, portalet informative dhe rrjetet sociale. Po ashtu, të gjitha informacionet dhe pos timet e rrejshme do të jenë subjekt preliminar  nga prokurori i shtetit për hetim të mëtutjeshëm”, tha ajo.

Edhe Policia e Kosovës ka thënë se i ka ndërmarrë të gjitha masat për sigurinë e tërë procesit zgjedhor.

Zëvendësdrejtori Naim Rexha, tha se nga rreth 40 tubime zgjedhore sa janë mbajtur deri më tani, nuk është paraqitur asnjë incident.

Rexha: Nuk do t’i lëmë rastit asgjë

“Policia e Kosovës me kohë i ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet  nevojshme planifikuese me ç‘rast tashëm është thellë e angazhuar në të gjitha fazat e procesit zgjedhor të cilat deri më tani kanë kaluar dhe fazat e radhë së fushatës sot, heshtjes zgjedhore nesër, të realizimit të zgjedhjeve pasnesër dhe të procesit pas përfundimit të votimit. Në fakt, roli i Policisë  në bashkëpunim me prokurorin e shtetit referuar dokumenteve bazë të cilat u cekën nga zonja prokurore janë në plotni të mjaftueshëm për të mos i lënë rastit asgjë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor”, tha Rexha.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit do të mbahen më 4 dhjetor(e diel).

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë komunë janë shpallur pas dorëheqjes së Nexhat Demakut nga pozita e kryetarit, pasi që të njëjtit Gjykata e Apelit ia ka konfirmuar dënimin me tre vjet burg për krime lufte.

Në garën për të parin e Drenasit janë tetë kandidatë.

***

KQZ: Gjithçka gati për zgjedhjet në Drenas

Komisioni Qendror Zgjedhor i ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme që të dielën(4 dhjetor) mbahen në Drenas.

Në një konferencë të përbashkët me Prokurorinë dhe Policinë kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit në KQZ Enis Halimi tha se  tashmë të gjitha materialet janë në depo.

Ndërsa sa i përket pastrimit të listave dhe votimit të dyfishtë, Halimi tha se listat janë pastruar në mënyrën më të mirë të mundshme kurse për tentim votimin e dyfishtë, prokurorja Laura Pula tha se do t’i përgjigjen me 3  deri në 5 vjet burgim.

 Zëvendësdrejtori i Policisë Naim Rexha tha se deri më tani janë mbajtur rreth 40 tubime zgjedhore nuk është shënuar asnjë incident dhe shtoi se janë të përgatitur për të gjithë procesin e zgjedhjeve deri në fund.

Image

Konferenca e KQZ-së, Policisë dhe Prokurorisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit mbajnë konferencë të përbashkët për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Drenas.

Konferenca po mbahet në selinë e KQZ-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat