Isa Xhemajlaj: Ja për çfarë po më shantazhon SHIK-u

Aktuale

Isa Xhemajlaj: Ja për çfarë po më shantazhon SHIK-u

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 3 dhjetor 2016 Në ora: 09:18
Isa Xhemajlaj

Fushata elektorale për kryetarin e Komunës së Drenasit tashmë është përmbyllur, por presioni mbi qytetarët e kësaj komune për të votuar PDK-në po vazhdon.

Kandidati i Nismës për Kosovën për pozitën e të parit të Drenasit, Isa Xhemajlaj, ka akuzuar PDK-në, për të cilën thotë se po tenton blerjen e Komisionerëve të Nismës, duke u ofruar atyre vende pune, dhe poashtu edhe para.

“I bëjmë thirrje klanit PRONTO” që të jetë larg njerëzve besnik që ka Nisma, sepse tani më nuk do të ju bëjnë punë as milionat që i kanë plaçkitur nga taksat e qytetarëve të Drenasit dhe qytetarëve anë e kënd Kosovës”, ka thënë Xhemajlaj.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”,  Xhemajlaj ka treguar se përveç kësaj, kërcënim i madh po u bëhet edhe mësimdhënësve, punëtorëve shëndetësorë si dhe punëtorëve të administratës për të votuar në favor të PDK-së.

“Secili që shihet në fushatë të partive tjera , ka me qenë i larguar nga puna , dhe secili që nuk vjen në fushatë të PDK-së ka me qenë i larguar nga puna”, ka thënë ai.

Xhemajlaj ka thënë poashtu se ndihet i kërcënuar nga krerët e ish-SHIK-ut, në krye me Kadri Veselin dhe Ferat Shalën, duke thënë se përmes mediumeve që i financojnë vet, ata po e shantazhojnë me banesën e tij, që sipas tyre bën pjesë në ndërtimet pa leje të ndërtuara në këtë komunë.

Por, kandidati I Nismës, ka mohuar se jeton në një banesë të tillë, duke thënë se edhe ai ka të drejtë të ketë një banesë aty ku po jeton.

“Më kanë hyrë edhe në çëshjte familjare, të cilat nuk janë të vërteta”, ka shtuar tutje Xhemajlaj.

Lidhur me këtë, analisti Blerim Burjani, ka thënë se këto gjëra mund të jenë objekt hetimi nga prokuroria.

Ai për “Bota sot” ka thënë se duhet të paraqiten gjithashtu prova reale, formale apo materiale, për të vërtetuar këtë, pasi duke pas parasysh ambientin politik në Drenas, mund të ketë edhe vështirësi të kësaj natyre në mes të kandidatëve.

“Këto gjëra shpesh kanë ndodhur edhe në zgjedhjet e mëhershme në Drenicë. Atje me çdo kusht tentohet të fitojë kandidati i PDK-së. Kjo ndoshta e bënë garën edhe jo aq tolerante”, ka thënë Burjani.

Ndërkohë, Xhemajlaj është shprehur i bindur në fitoren e tij në zgjedhjet e nesërme, duke thënë se janë qytetarët e Drenasit, ata që po e shtyejnë drejt kësaj fitoreje.

“Qytetarët e Drenasit kanë vendosur që të fitojë unë kësaj radhe, në fakt jo unë, por do të fitojnë qytetarët e Drenasit. Kjo për shkak se deri më tani i kanë mashtruar shumë me vende të punës, hapje të tregtisë e zhvillim ekonomik dhee me integrime euroatlantike, e meqë ato skanë ndodhur, qytetarët janë zhgënjyer dhe shpresën e ndryshimit e shohin tek unë”, ka thënë ai.

Ndryshe, në garë për kryetar të Drenasit janë: Ramiz Lladrovci nga PDK, Isa Xhemajlaj nga koalicioni Nisma – AAK, Bedri Nika nga LDK, Vehbi Berisha nga Fjala dhe Xhavit Drenori i pavarur. Në lisën e votimit do të jenë edhe emrat e dy kandidatëve të pavarur që janë tërhequr nga gara Naim Bazaj dhe Rrahim Elshani./BS/

Prononcimi nga Isa Xhemajli është marrë dje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat