Ulet besueshmëria e qytetarëve në drejtësi

Aktuale

Ulet besueshmëria e qytetarëve në drejtësi

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 12:38
Kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Hasan

Këshilli Gjyqësor i Kosovës organizoi konferencën e gjashtë vjetore gjyqësore, ku u tha se besimi tek drejtësia është ulur dhe duhet një angazhim serioz institucionet përgjegjëse për të marrë masa efektive për ndryshime të shpejta pozitive.

Të pranishmit u ankuan se ndryshimi i shpeshtë i ligjeve po ndikon në pasigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kurse numri i vogël i prokurorëve ka ndikuar në rritjen e numrit të lëndëve të vjetra.

Konferencën e nisi kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha se vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatësve do të sigurohet të jetë efikas dhe transparent. Ai përmendi se tashmë ka rritje në efikasitetin e zgjidhjeve të rasteve dhe se do të ketë përshpejtim në zgjidhjen e lëndëve të vjetra.

Idrizi: Ka një rritje në efikasitetin e zgjidhjes së rasteve

“Do të sigurohemi që vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave në bazë të rregulloreve përkatëse të miratuara së fundmi nga Këshilli Gjyqësor të janë efikase, transparente dhe të mbështetura në merita dhe të ketë për pasojë rritjen e efikasitetit në punën tonë të përbashkët, ndonëse ka një rritje në efikasitetin e zgjidhjes së rasteve, të gjithë kemi një detyrë madhore, të përbashkët që të vendosim sa më parë drejtësinë në vend për të gjithë qytetarët tanë duke intensifikuar zgjidhjen e lëndëve të vjetra apo të grumbulluara”, tha Idrizi.

Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, tha se sondazhet vazhdimisht tregojnë ulje të besueshmërisë së qytetarëve në drejtësi, andaj theksoi se kjo është shqetësuese për të gjithë dhe se duhet vendosmëri dhe përkushtim për fuqizimin e paanshmërisë dhe profesionalizmit.

Hasani: Sondazhet tregojnë perceptim negativ të publikut për korrupsionin në drejtësi

“Fakti që sondazhet në mënyrë permanente tregojnë se perceptimi negativ i publikut për korrupsionin në drejtësi është rritur dhe besimi tek drejtësia është ulur, duhet të na shqetësojë të gjithë neve dhe duhet të angazhojmë seriozisht institucionet përgjegjëse për të marrë masa efektive për ndryshime të shpejta pozitive. Sot më shumë se kurrë ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ndërtimi dhe konsolidimi i një gjyqësori të pavarur me gjyqtarë të tillë të pavarur që kanë vlerë të lartë profesionale dhe morale dhe një besueshmëri të lartë publike në një demokraci të re si kjo e jona është një proces i vështirë dhe i ndërlikuar që kërkon kohë, angazhim maksimal, ide dhe vizione të qarta, vlerësim objektiv të arritjeve dhe të mangësive dhe mbi të gjitha vendosmëri dhe përkushtim që synojnë rritjen dhe integritetin brenda radhëve të sistemit të fuqizimit e pavarësisë, paanshmërisë dhe profesionaliz mit”, tha Hasani.

Ndërsa, Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, tregoi se ndryshimi i shpeshtë i ligjeve po ndikon në pasigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në zbatimin e ligjit. Ai përmendi edhe se drejtësia në Kosovë është përballur edhe me mungesë të prokurorëve, ku edhe si rezultat është rritur numri i lëndëve të vjetra.

Isufaj: Ndryshimi i shpeshtë i ligjeve po ndikon në pasigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve

“Ndryshimi i shpeshtë i ligjeve nuk lejon konsolidimin e praktikës gjyqësore dhe detyrimisht ndikon në pasigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në zbatimin e ligjit. Pa dyshim që ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin shoqëror në të cilin ka kaluar vendi ynë dhe se këto reforma ishin dhe janë të nevojshme dhe me siguri që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në anën tjetër janë edhe shumë faktorë tjerë që kanë paraqitur sfida në sistemin e drejtësisë. Në vazhdimësi ne jemi ballafaquar me mungesë të prokurorëve dhe si rezultat është rritur numri i lëndëve të vjetra e që kanë ndikuar në efikasitetin e sistemit prokurorial”, tha Isufaj.

Kurse, Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i Prokurorisë së Shtetit, tha se sistemi gjyqësorë ka vërejtje të mëdha nga qytetarët e Republikës së Kosovës, andaj edhe faktori ndërkombëtar pohon se gjyqësori nuk është i pavarur dhe kërkon lirimin e ndikimeve politike.

Lumezi: Është dëgjuar një numër i madh i vërejtjeve në llogari të sistemit gjyqësorë

“Në publik është dëgjuar një numër i madh i vërejtjeve në llogari të sistemit gjyqësorë, në mes tjerash faktori vendor dhe ndërkombëtar ka pohuar se gjyqësori nuk është i pavarur dhe se duhet të lirohet nga ndikimet politike, por këtu ka pasur vërejtje edhe në mos ndëshkueshmërinë e krimit dhe me dënime të ulëta në disa raste edhe me minimumin e paraparë ligjor, si në raste të korrupsionit, terrorizmit dhe trafikimit me qenie njerëzore”, tha Lumezi.

Kjo është konferenca e gjashtë me radhë, gjatë këtij viti që mbahet në mënyrë që të shkëmbehen përvoja mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të ketë më shumë mundësi në zgjidhjen e rasteve të ndryshme gjyqësore. 

Hasani: Pavarësia dhe paanshmëria ndër sfidat e  gjyqësorit

Kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani, tha se gjyqësori po përballet më shumë sfida,  si përmirësimi  i veprimtarisë,  konsolidimi,  rritja e pavarësisë dhe paanshmërisë, lufta kundër fenomeneve korruptive dhe trajtimeve subjektive dhe të njëanshme të çështjeve. 

Sipas tij për një gjyqësor më te mirë, duhet angazhim i madh dhe serioz i të gjithë njerëzve brenda sistemit të drejtësisë, por edhe shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi.

Ai  gjatë fjalimi të tij në Konferenca e Gjashtë Gjyqësore të Republikës së Kosovës tha se reformat e nisura duhet të vazhdojnë.

“Shpreh shqetësim për gjendjen, dhe kërkoj nga gjithë ju të reflektojmë, si shoqëri, si shtet, pa i hedhur fajin institucioneve individualisht, pasi që me jashtë, por edhe në sytë e qytetarëve tanë ne përceptohemi si një tërësi”.

“Kjo tërësi duhet të vendos për drejtimin që do merr, kjo tërësi duhet të filloj me zbatimin e mekanizmave të kontrollit dhe të balancit të pushteteve; për nevojën e përmbushjes së objektivave që garantojnë rend, ligj, siguri dhe mirëqenie për të gjithë pa dallim, deri te dhënia e përgjegjësisë për çdo veprim apo mosveprim, në kryerje të funksioneve zyrtare, pa marre parasysh se kush dhe cilin institucion përfaqëson”,tha Hasani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat