Shoqata nga Klina i bën ftesë deputeteve për plotësimin e ligjit për Specialen

Aktuale

Shoqata nga Klina i bën ftesë deputeteve për plotësimin e ligjit për Specialen

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 12:53
Ilustrim

Përfaqësuese e Shoqatës" Familja dhe Shpresa", në Klinë, Zana Bytyqi, në një letër publike i ka bërë ftesë deputeteve nga Klina, Shqipe Pantina dhe Mirjeta Kalludra, që t’iu bashkëngjiten 166 qytetarëve të Klinës dhe të nënshkruajnë kërkesën për plotësimin e ligjit për Gjykatën Speciale për Kosovën, në mënyrë që të mund të hetohen krimet e luftës në Klinë dhe të gjitha komunat e Kosovë, si dhe gjykohen ekzekutuesit të cilët gjenden në Serbi.

Ja letra e plotë e Bytyqit drejtuar dy deputeteve nga Klina:

Ju ftojmë që t’iu bashkëngjiteni 166 qytetarëve të Klinës (86 familjarëve të viktimave të Masakrës së Kralanit dhe familjarëve të viktimave të tjera të luftës së komunës sonë të vrarë nga ushtria dhe policët serbë gjatë luftës 1998-1999), dhe të nënshkruani kërkesën për plotësimin e këtij ligji në mënyrë që kjo gjykatë të mund të hetojë krimet serbe të luftës në Klinë dhe të gjitha komunat e tjera nëpër Kosovë dhe gjykojë edhe përgjegjësit dhe ekzekutuesit e më të dashurave tanë.

Me 13 Nëntor, unë përfaqësuesja e shoqatës « Familja dhe Shpresa », Zana Bytyqi, iu jam drejtuar me një ftesë publike të gjithë deputetëve të parlamentit të Kosovës për të iniciuar ndryshimin/plotësimin për Gjykatën Speciale për Kosovën me seli në Hagë, të krijuar nga parlamenti i Kosovës, që kjo gjykatë të merret edhe me krimet e Serbisë ndaj më të dashurave tanë – Kralan 04 Pril 2016 – dhe ndaj të gjithë civilëve shqiptarë në Kosovë në luftën e viteve 1998-1999.

Me 21 nëntor e njëjta kërkesë publike iu është drejtuar edhe kryetarëve të të gjitha partive politike shqiptare (pra edhe kryetarëve të partive tuaja, zotëri Isa Mustafës dhe Visar Ymerit).

Edhe kjo kërkesë publike, zonjat Pantina dhe Kalludra, është shpërndarë në adresat tuaja elekronike.

Ju zonjat deputete, Shqipe Pantina dhe Mirjeta Kalludra, që të dyja nga Komuna e Klinës, ende nuk jeni përgjigjur në letrën e parë.

Ndërkohë ju njoftojmë se shoqata « Familja dhe Shpresa » ka mbledhur 166 nënshkrime për një kërkesë kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli - kësaj here jo në cilësinë e tij si kryetar të PDK-së, por në cilësinë e më të madhit të legjislativit të vendit tonë, të cilën do t’ia dorëzojmë këtyre ditëve administratës së parlamentit sipas rregullave protokolare.

Zonjat deputete nga Klina, Pantina dhe Kalludra, ju ftojmë pra, që t’iu bashkëngjiteni këtyre 166 qytetarëve të Klinës (familjarëve të viktimave të Masakrës së Kralanit dhe familjarëve të viktimave të tjera të luftës të vrarë nga ushtria dhe policët serbë gjatë luftës 1998-1999), dhe të nënshkruani kërkesën për plotësimin e këtij ligji në mënyrë që kjo gjykatë të mund të hetoj krimet e luftës në Klinë dhe të gjitha komunat e tjera nëpër Kosovë dhe gjykoj edhe përgjegjësit dhe ekzekutuesit e më të dashurave tanë të cilët ende pas 17 viteve janë të lirë dhe gjenden në Serbi.

Kërkesa  e dytë në këtë letër është dhe ndalja e dialogut me Serbinë deri në plotësimin e kushteve…

Zonjat deputete nga Klina, Pantina dhe Kalludra, po deshët të mësoni për këto kushte ejani lexojeni dhe nënshkruajeni këtë kërkesë (aty para dyerve të parlamentit të Kosovës), siç e kanë nënshkruar bashkëqytetarët tuaj nga Klina të cilëve ua keni marrë dhe turpëruar votën e tyre tash e plot 2 vite. Mund të na kontaktoni lirisht përmes e-mail-it dhe telefonit për të caktuar ditën dhe kohën e takimit për nënshkrimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat