DnV: Deri në ora 12 në Drenas votuan 13.23 për qind e qytetarëve

Aktuale

DnV: Deri në ora 12 në Drenas votuan 13.23 për qind e qytetarëve

Më: 4 dhjetor 2016 Në ora: 13:52
Albert Kransiqi nga DnV

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” po vazhdon ta vëzhgojë procesin zgjedhor në territorin e Komunës së Drenasit.

Dalja e votuesve deri në orën 12:00 është 6,956 votues (përfshirë ata me kusht) apo shprehur në përqindje 13.23%.

Parregullsia më e shpeshtë që po shoqëron shumicën e vendvotimeve është votimi familjar, kur më shumë së një person voton prapa kabinës së votimit.

Kjo dukuri është identifikuar në 68 raste. Vetëm në Negroc ka ndodhur që kryefamiljari t’i shoqëroj prapa kabinës së votimit 12 familjarë të tjerë.

Në ora 12:40 në vendvotimin e dyfishtë 0305E/02D në Gradicë, shkolla “Mehmet Gradica”, tre komisionerë paralajmërojnë mbylljen e vendvotimit për shkak të vështirësive me menaxhim të procesit për shkak të fluksit të madh të votuesve.

Në vendvotimin 0319E/02D, në Zabel të Ulët, shkolla “Arif Shala”, një person është lejuar të votojë përkundër që i ishte identifikuar ngjyra në gishtërinj.

Janë raportuar së paku 86 raste me vështirësi të votuesve për t’a gjetur emrin e tyre në listën e votuesve. Fotografimi i votës, ndonëse i ndaluar me ligj është dukuri e përsëritur edhe në këto zgjedhje.

Së paku në 6 vendvotime/raste është vërejtur fotografimi i votës. Në vendvotimin 0322E/01R, në Qikatovë të Vjetër, shkolla “Dëshmorët e Drenicës“, vëzhguesit e PDK-së bëjnë presion mbi vëzhguesin e DnV-së që të mos qëndrojë gjatë tërë kohës në vendvotim. Në 5 raste të tjera i njëjti person ka asistuar më shumë se një herë votuesit për të votuar me asistencë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat