DnV: 41 % të qytetarëve votuan në Drenas

Aktuale

DnV: 41 % të qytetarëve votuan në Drenas

Më: 4 dhjetor 2016 Në ora: 17:03
Qendër votimi në Drenas

(E plotësuar) - Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” është duke vëzhguar mbylljen e vendvotimeve dhe fillimin e numërimit të votave në Komunën e Drenasit.

Sipas DnV-së dalja e votuesve në zgjedhjet e sotme është 21,723 votues, apo 41 përqind. 

DnV thotë se të gjitha vendvotimet janë mbyllur deri në porën 17:30, dhe nuk është vërejtur ndonjë parregullsi gjatë mbylljes.

DnV: Shtohen presionet në vendvotime

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” thotë se po vazhdon ta vëzhgojë procesin zgjedhor në territorin e Komunës së Drenasit.

Dalja e votuesve deri në orën 16:00 është 16,889 votues (përfshirë ata me kusht) apo shprehur në përqindje 32%. Trendi i daljes nga ora 12:00 është rritur për 19%. “Trendi i votimit  sipas familjar ka shënuar rënie. Kurse problemet me listën e votuesve kanë shënuar ngritje. Deri më tani janë evidentuar 156 ankesa në këtë drejtim. Është evidentuar rritje e numrit të personave që asistojnë më shumë se një herë votuesit. Po ashtu është vërejtur rritje e numrit të personave të paautorizuar në vendvotime, ku janë evidentuar të paktën 6 raste deri më tani” , ka vlerësuar “Demokracia në Veprim”. 

Ja parregullsitë e tjera të evidentuara nga DnV

 Prej orës 12:00-17:00: Në vendvotimin 0314E/01R në Negrovc, shkolla “Jusuf Gërvalla”, dy votues kanë refuzuar të votojnë në kabinë dhe kanë realizuar votim të hapur. Në vendvotimin 0314E/02D në Negrovc, shkolla “Jusuf Gërvalla”, në ora 15:10 është evidentuar një konflikt verbal mes një votuesi dhe një vëzhguesi të Nisma për Kosovën. Si rezultat policia i ka larguar nga vendvotimi të dy palët. Në qendrën e votimit 0322E, në Qikatovë të Vjetër, shkolla “Dëshmorët e Drenicës”, është raportuar se grupe të organizuara të vëzhguesve të PDK-së janë duke ushtruar presion ndaj votuesve që po presin në radhë për të votuar. Në vendvotimin 0327E/02D, në Gllobar, shkolla “Naim Frashëri”,  janë evidentuar 14 raste të asistimit për të votuar. Në vendvotimin 0312E/01D në Likoshan, shkolla “Rexhep Gjeli”, disa votues pas votimit kanë vazhduar të qëndrojnë në oborrin e shkollës. Vëzhguesit e DnV-s ë e kanë raportuar rastin dhe policia më pas ka intervenuar duke i shpërndarë.   DnV u bënë thirrje të gjithë qytetarëve të Drenasit, me të drejtë vote që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Njëkohësisht DnV, kërkon që organet përgjegjëse për sigurimin dhe administrimin e zgjedhjeve të garantojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në këto orë të fundit të procesit zgjedhor. Po ashtu, DnV kërkon nga subjektet politike që të tregohen të përmbajtura dhe të mos pengojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

DnV: Deri në ora 16:00 votuan 32% të qytetarëve

Koalicioni i Organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, ka raportuar se deri në ora 16:00 në Drenas kanë dal në votime 32% të votuesve.

“Dalja në zgjedhje deri në ora 16:00 është 16,889 votues apo përkthyer në përqindje 32%. Trendi i daljes nga ora 12:00 është rritur për 19%”, raporton DnV. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat