PDK: NISMA e AKR po blejnë votat

Aktuale

PDK: NISMA e AKR po blejnë votat

Më: 4 dhjetor 2016 Në ora: 17:40
Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas, Betim Berisha

(E plotësuar) - Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas, Betim Berisha, ka thënë se Drenasi tashmë është vërshuar nga aktivistë të Nismës nga Malisheva dhe AKR-së nga Mitrovica, të cilët po tentojnë që t’i blejnë votat.

Berisha në një konferencë  për media tha se asnjë komisioner i PDK-së nuk e ka provokuar situatën dhe se ata që po provokojnë situatën janë komisionerët e Nismës. Berisha i ftoi simpatizantët e Nismës dhe AKR-së që të mos  humbin kohë,  dhe të mos udhëtojnë nga Mitrovica e Malisheva  për ta prishur procesin zgjedhor në Drenas, sepse do të ndahen të zhgënjyer me votën që do ta marrin nga qytetarët e Drenasit.

Berisha: AKR e Nisma po tentojnë të blejnë vota në Drenas

 “Unë do t'ua jap një lajm juve dhe i bëj apel Policisë në Drenas dhe Prokurorisë se tash veç ka filluar të mbushet Drenasi aktivistë nga Malisheva dhe Mitrovica, të cilët besoj dhe shpresoj që procesi të shkoj mirë. Mirëpo vërshimi i tyre në këto orë të vona, duke i munduar t’i joshin qytetarët e Drenasit dhe të blejnë votën e qytetarëve të Drenasit, unë u them se nuk blihet vota e qytetarëve të Drenasit. PDK është e sigurte që do të jetë fitimtare në këto zgjedhje ...Unë i ftoj dhe partitë tjera të cilat i ka kapur një panik, s’ka nevojë as nga Mitrovica, e sidomos as nga Malisheva që t’i kap panik për humbjen e tyre në Drenas. Unë ftoj dhe bëj apel të gjithë vëzhguesve dhe komisionerëve që ta ruajnë votën e qytetarit ashtu siç e kanë ruajtur çdo herë”, tha zëdhënësi i PDK-së në Drenas, Betim Berisha. 

PDK-ja akuzon Nismën dhe AKR-në për parregullsi gjatë procesit zgjedhor

Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin për vendimin e fundit për rikthimin në proces zgjedhor të kryesuesit të vendvotimit në Abri, Fadil Xhemajlit nga Nisma.

“Ky kryesues i vendvotimit u arrestua gjatë ditës nga Policia pasi ka tentuar ta prishë procesin zgjedhor, ndërsa pas presioneve mbi KQZ-në dhe Policinë, mësohet se ai është rikthyer në vendvotim.  Duke shprehur pakënaqësinë për kthimin e personit të dyshuar dhe arrestuar, PDK apelon që të kihet kujdes pasi i njëjti mund të synojë sërish të prishë procesin demokratik zgjedhor në fshatin Abri”, thuhet në reagimin e PDK-së në Drenas.

 PDK  thotë ndër të tjerash se partitë politike në Drenas po i bëjnë presion Komisionit të Zgjedhjeve dhe Policisë për lirimin dhe kthimin në proces zgjedhor edhe të personave tjerë të këtyre subjekteve të cilët gjatë ditës janë parë dhe kanë tentuar të prishin procesin zgjedhor.

“Edhe rasti i mëhershëm i denoncimit nga ana e PDK-së ndaj Blerim Sinanit gjatë pasdites u konfirmua dhe Policia ka bërë arrestimin e tij për prishje të procesit zgjedhor.  Gjithashtu, PDK ka informacione se zyrtarë të AKR-së dhe Nismës gjatë pasdites po joshin votuesit me para dhe gjëra tjera për ti joshur për të votuar kandidatët e tyre”, thuhet tutje në reagim. 

PDK thotë se denoncon qëndrimin e qytetarëve të komunave tjera afër vendvotimeve për të bërë presion ndaj votuesve.

“Kjo pasi disa qytetarë të Malishevës janë parë afër vendvotimeve duke bërë presion ndaj votuesve për të votuar Nismën.”, thekson PDK-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat